Faton Bislimi ligjëron në Harvard University

Gjilan – Me ftesë të Shkollës Postdiplomike të Qeverisjes “John F. Kennedy” dhe Qendrës për Zhvillim Ndërkombëtar në Harvard University, Faton Bislimi që ka kryer studimet e magjistraturës në këtë shkollë e që tani është profesor i ekonomisë dhe politikës në Kanada, ka mbajtur një ligjëratë (të premten më 1 shkurt) mbi procesin e shtetndërtimit në Kosovë dhe rolin e akterëve ndërkombëtar në këtë proces.
Jennifer Gala, koordinatore e programit të ligjërueseve të nderit pranë Qendrës për Zhvillim Ndërkombëtar në Shkollën Postdiplomike të Qeverisjes “John F. Kennedy” në Harvard University në prezantimin që i bëri Bislimit, ndër të tjera tha se “është kënaqësi e veçantë për Qendrën tonë në veçanti dhe shkollën tonë në përgjithësi që ligjëratat e tilla për vitin 2013 i fillojmë me njërin nga ngërzitë tanë.”
Tutje zonja Gala u fokusua në karrierën e suksesshme akademike dhe profesionale të Bislimi dhe të arriturat e tij në fushën e hulumtimeve shkencore në zhvillim ekonomik dhe shkenca politike. Gala po ashtu u fokusua edhe në punën e suksesshme që kishte bërë Bislimi sa ishte student në Harvard duke ritheksuar edhe njëherë faktin që prania e tij në këtë universitet ka lënë mbresa shumë pozitive dhe të përhershme për stafin akademik. “Zëri i Fatonit ishte zë racional dhe i argumentuar për Kosovën dhe nevojën e Kosovarëve për shtet të pavarur. Puna e tij në këtë universitet nuk harrohet sepse ishte punë dinjitoze dhe me vlera.”
Në ligjëratën e tij, Bislimi u fokusua në marrëdhëniet ndërmjet akterëve ndërkombëtar që veprojnë në Kosovë dhe institucioneve vendore. Paraprakisht, ai po ashtu foli për të kaluarën dhe të tashmen e Kosovës, duke elaboruar shkurtimisht historinë e Kosovën, luftën e fundit, dhe procesin që solli deri tek pavarësia e vendit. Në këtë muaj të pesë-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Bislimi tha se “progresi që ka shënuar vendi nuk duhet të kënaq askënd në atë masë sa që të vendnumërojmë. Përgjithësisht ka patur progres, procesi i shtetndërtimit të Kosovës gjenden në fazën më kritike të tij. Kosova tani ballafaqohet me një mori problemesh që do të definojnë të ardhmen e vendit dhe shtetit. Për t’i zgjidhur këto probleme duhet lidership i guximshëm, i matur, i vendosur, dhe i përkushtuar ndaj interesave nacionale e assesi ndaj interesave tjera, qofshin ato partiake, grupore, apo edhe personale.”
Mirëpo, Bislimi theksoi se një pjesë të barrës për ecjen e ngadalshme të Kosovës drejt krijimit të një shteti të zhvilluar e bartin edhe akterët ndërkombëtar që veprojnë në Kosovë. “Struktura e qeverisjes që ekziston tani në Kosovë, është një strukture shumështresëshe në të cilën ndërlidhen shumë interesa dhe nevoja, si në mes ndërkombëtarëve dhe vendorëve, ashtu edhe në mes të vendorëve ndërmjet veti apo ndërkombëtareve ndërmjet veti.”
Ligjërata e Bislimit u përcollë me shumë vëmendje nga dhjetëra studentë postdiplomikë të Harvard-it, profesorë të ndryshëm, si dhe shqiptaro-amerikan që jetojnë në rrethin e Bostonit.
Anne Dëojeski, Ndihmës Drejtoreshë e Programit të Magjistraturës në Harvard Kennedy School u shprehë tejet e kënaqur me ligjëratën e Bislimit. “Nga ligjërata e Bislimi kuptova dhe mësova gjëra për të cilat jam mirënjohëse. Unë kam qenë në Kosovë në një udhëtim studimor në vitin 2008 dhe ai vend më ka impresionuar, siç i impresionoi të pranishmit sot në këtë ligjëratë profesori Bislimi,” tha znj. Dëojeski.
Harvard University është universiteti më i njohur në botë dhe njëri ndër universitetet më të mira të SHBA-së dhe botës. Shkolla Postdiplomike e Qeverisjes “John F. Kennedy” është shkolla më prestigjioze e studimeve të qeverisjes, zhvillimit ekonomik, administratës publike dhe politikave publike, nga e cila kanë dale një numër i konsiderueshëm i liderëve shtetëror anekënd botës.
Faton Bislimi ka kryer studimet e magjistraturës në Zhvillim Ndërkombëtar dhe Administratë Publike në këtë shkollë dhe ka qenë i nderuar me bursën presidenciale Kennedy Felloëship. Paraprakisht, Bislimi kishte mbaruar dy fakultete ne Universitetin e Teksasit në Shkenca Kompjuterike dhe Matematikë me burse të plotë. Pas magjistrimit nga Harvard, Bislimi ishte kthyer në Kosovë ku ka punuar si Menaxher Projektesh në UNDP dhe ligjërues në AUK dhe KU Victory në Prishtinë. Në vitin 2010, Bislimi ka mbaruar edhe një magjistraturë në Marrëdhënie Ndërkombëtare ne Dalhousie University (Kanada) ku edhe ka ligjëruar lendë të ekonomisë. Bislimi po ashtu ka ligjëruar edhe në Mount St Vincent University në Halifax, Canada, kurse tani është në përfundim të doktoraturës në University of Alberta në Edmonton, Canada.
Bislimi po ashtu është themelues i Fondacionit Bislimi Grup përmes së cilit kanë përfituar shkollim në SHBA dhe Kanada dhjetëra kosovarë me bursa të plota. Ai ka ligjëruar edhe nëpër shumë universitete tjera nëpër botë, por kjo ishte hera e pare që ai ligjëroi në Harvard. “Për mua ishte nder i veçantë të isha student këtu. Tani ishte privilegj të ftohesha si ligjërues nderi dhe të mbaja këtë ligjëratë,” ka thënë Bislimi. Përndryshe, ligjërata e Bislimit ishte ligjërata e parë e mbajtur në Qendrën për Zhvillim Ndërkombëtar të Harvard-it me temë Kosovën dhe me një ligjërues nga Kosova. /rajonipress/