Fidanishtja

Familja Gashi: Më mirë në kontejner në Gjermani, sesa të kthehemi në shtëpi

/ 4 minuta lexim

Familja Gashi nga Kosova po e provon për herë të dytë fatin për të fituar kërkesën e azilit në Gjermani.Pas dëbimit nga Gjermania në vitin 1997, Halil Gashi, së bashku me familjen e tij që nga janari janë kthyer sërish në Obernhausen, në qytetin ku edhe kishin jetuar për afro shtatë vjet.

Ata jetojnë në një kontejner, por pavarësisht kësaj, shpresojnë për të jetuar në Gjermani dhe të kenë një të ardhme më të mirë, njofton albinfo.ch.

Për Halil Gashi nuk është për herë të parë që vjen në Oberhausen.

Më 1991, kur lufta ishte ndezur në Ballkan, Halili nga frika se mos po thirret të rrokë armët në dorë, ai së bashku me gruan e tij ishte shpërngulur për në Gjermani dhe kishte jetuar për disa vjet në Oberhausen.

Gjatë kësaj kohe kishin lindur edhe dy fëmijët e tij, djali Flamuri dhe vajza Fitorja. Aty edhe ishin edukuar.

Por shpresat për t’ iu mundësuar jetesa në Gjermani familjes Gashi nuk iu përmbushën. Në fund të vitit 1997, kur Fitorja e vogël ishte vetëm gjashtë muajsh, familja u dëbua për në Kosovë.

“Nuk ka asnjë rrezik për jetë dhe as për shëndetin tuaj dhe ju mund të ktheheni sërish në Kosovë”, kështu iu kishin thënë në atë kohë autoritetet gjermane, tregon tashmë 48-vjeçari Halil Gashi.

Eco Higjiena

Megjithatë, në vitin 1998/99 lufta e Kosovës kishte përfshirë edhe rajonin e vendlindjes së tij. “Në një mëngës në orën pesë ushtria serbe bastisën fshatin tonë. Babai im u vra mizorisht, ndërsa nipi mbeti i plagosur shumë rëndë”, shprehet Halili për “derwesten.de”, transmeton albinfo.ch.

Pa perspektivën e pasluftës

Në mes të vitit 1999 lufta në Kosovë përfundoi. “Mendova: Tani do të bëhet më mirë. Por kjo nuk ndodhi”, thotë ai. Gjatë kohës së luftës vendi u shkatërrua shumë, ndërsa familja në atë kohë kishte jetuar në një dhomë bodrumi.

“Gjithçka ishte shkatërruar nga bombardimet, dhomat ishin shndërruar në gërmadha, ndërsa ujë pikte nga tavani. Vera kalonte disi, por dimri… Në atë kohë fitova depresion nga lufta dhe fillova të mendoj sërish për të kërkuar një të ardhme në Gjermani. Në Oberhausen kisha përjetuar kohë të mira, kam pas luajtur futboll në një klub si dhe këtu kisha marrë edhe lejen e qarkullimit…”, përcjell albinfo.ch.

Ajo çfarë e mundonte atë gjatë kohës së pasluftës ishte mungesa e perspektivës. “Para luftës studioja si inxhinier i elektros dhe më 1987 kisha përfunduar shkollimin”.

Për shkak se në të njëjtën kohë atij iu desh të kryejë shërbimin ushtarak dhe filloi lufta në Ballkan, Halili nuk kishte pasur mundësi asnjëherë ta ushtrojë profesionin e tij dhe asnjëherë nuk kishte përfituar para nga kjo punë.

“Fëmijët e mi ishin të mirë në shkollë, por nuk kishin mundësi për një shkollim më të mirë. Për shkolla private nuk kisha para. Sistemi arsimor veç sa bëhej më i korruptuar. Unë nuk shihja të ardhme për fëmijët e mijë. Pastaj vendosëm që të kërkojmë të ardhme edhe një herë në Gjermani. Ishte një vendim i vështirë. Ishte e qartë se dy vajzat e tjera Salija (23) dhe Saranda, 22-vjeçare, të cilat ishin të martuara dhe kishin familje do të mbesin në vendlindje”, tregon ai.