Eko Higjiena

Falja 60 milionëshe, goditje për shtetin dhe biznesin

/ 9 minuta lexim
Mobi Casa

Vendimi i paligjshëm, që kohë më parë e mori kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, për faljen e borxheve në vlerë rreth 60 milionë euro për kompanitë vendore të prodhimit të ujit të pijes, në mesin e analistëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile ka krijuar një ndasi në mesin e tyre, pasi disa janë pro e disa kundër faljes së këtyre borxheve.

Disa thonë se kompanitë prodhuese të ujit të pijes, të cilat i “ndihmoi” Qeveria , kanë qenë kompani profitabile dhe të njëjtat nuk kanë pasur asnjë rrezik të falimentimit të tyre. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresën elektronike dhe me gjithë telefonatat dhe përpjekjet e gazetës për të marrë opinionet se çka thonë në Qeverinë e Kosovës për këtë çështje që po trajtohet, gazeta nuk ka marrë asnjë përgjigje nga zyrtarët e Qeverisë së Kosovës. Vetë kryetari i LDK-së, ish-kryeministri Isa Mustafa, e ka cilësuar si të paligjshëm vendimin për faljen e borxheve ndaj kompanive që kanë shitur ujë dhe kanë inkasuar të hyra, e tash u falen borxhet milionëshe. Ndërsa, njohësja e kësaj fushe, deputetja e Kuvendit të Kosovës, Safete Hadërgjonaj (PDK), që është edhe anëtare e Komisionit për Buxhet dhe Financa, për gazetën “Kosova Sot” ka thënë se nuk është në dijeni nëse një vendim i tillë a ka pasur bazë ligjore. Por, e ka pranuar se kjo falje e borxheve krijon pabarazi në treg.

Veprimet e kryeministrit, mesazhe negative për investitorët

Analisti Lulzim Beqiri tha për “Kosova Sot” se ka qenë hap i gabuar në mesin e shumë hapave të gabuar nga kryeministri aktual.”Kompanitë manipuluese të ambalazhimit të ujit financiarisht i kanë punët për mrekulli, madje për çdo ditë po e rrisin edhe asortimanin e tyre me lloj-lloj risish në treg, pra nuk kanë pasur nevojë për falje të borxheve. Ato kanë pasur nevojë që të mbështeten, t’u garantohet një treg i lirë dhe të kenë qasje në institucione, sepse në disa takime kemi parë që servohet uji i importuar”, potencoi ai.

Sipas Beqirit, shprehja e kryeministrit se “i kam falë për pikën e qejfit” është rast për prokurori, ngase as paranë tënde nuk mundesh me falë pse t’u ka tek ty, ngase një veprim i tillë është edhe antiligjor, sepse për të falë borxhin e ka të drejtën vetëm legjislativi, e jo ekzekutivi”.

Sipas tij, veprimet e kryeministrit Haradinaj janë një mesazh negativ për kompanitë prodhuese.”Është nxitës që mos të paguhen tatimet dhe kjo përçon mesazh negativ se ekonomia është në duart e politikës”, theksoi Beqiri.

AKB-ja mbështet faljen e borxheve të vjetra

I pyetur në një intervistë televizive se pse u fal borxhi 53 milionësh, kryeministri nuk arriti të paraqesë argumente bindëse, por pas këmbënguljes së intervistueses deklaroi se e ka marrë këtë vendin se “iu ka tek”. Ndërkohë lideri i AKB-së e ka quajtur të drejtë vendimin e Qeverisë ‘Haradinaj’ për faljen e borxheve ndaj prodhuesve të ujit të pijes. Sipas tij, këto biznese kanë qenë në rrezik që të falimentojnë, edhe pse produktet e tyre i shesin në treg.”Ndaj vendimi i Qeverisë sonë aktuale ka qenë i drejtë plotësisht, sepse shteti duhet ta tregojë ngrohtësinë e vet ndaj bizneseve të atij vendi, aq më tepër kur bëhet fjalë për një borxh që ka qenë një borxh shumë i vjetër dhe i njëjti ka datuar që nga viti 2001″, vijoi më tutje ai.

ARKATANA

Sipas Shahinit, kjo formë e faljes së borxheve nuk është praktikë e re dhe e panjohur, sepse kështu veprohet në shumë vende.”Në këtë drejtim kroatët para hyrjes në tyre në BE, kanë shkuar edhe më larg, sepse shteti i ka falur edhe borxhet e këqija që kanë pasur bizneset nëpër bankat e tyre komerciale”, potencoi për “Kosova Sot” Agim Shahini.

Bizneset e konsiderojnë borxh të supozuar

Ndërsa, prodhuesi i pijeve dhe lëngjeve të gazuara, Bashkim Osmani, ka thënë për gazetën “Kosova Sot” se vendimin e kryeministrit Ramush Haradinaj e vlerëson shumë lart. “Ky borxh që ka marrë popullaritet në mediat tona nuk është i vërtetë, por është një borxh i supozuar, sepse asnjëherë nuk kanë pasur obligime ndaj ambalazhuesve të ujit të pijes”, u shpreh ai. “Si prodhues kemi qenë të pakënaqur me këto vendime ndaj dhe presionet tona ndaj Ministrisë së Mjedisit kanë bërë që tash të kemi një tarifë normale që nga 2015, krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Por, asnjëherë ato 60 milionë euro që po i potencojnë mediat dhe individët e politikanët e caktuar nuk është e vërtetë se i kanë pasur prodhuesit e ujit”, vijoi më tutje Osmani. Sipas tij, është supozuar një borxh i tillë se gjoja ka pasur kundërvajtje se nuk është paguar një borxh i tillë. “Por asnjëherë nuk është konfirmuar se ka qenë një borxh i tillë”, theksoi ai. Bankieri Milazim Abazi tha për ‘Kosova Sot” se falja e borxheve të kompanive që mbushin ujë të pijes në Kosovë, nga ana e qeverisë ‘Haradinaj’, ka qenë vendim i drejtë për dy arsye. 1) borxh, të cilin e ka falë Qeveria, faktikisht ka qenë i pambledhur dhe daton që nga viti 2002 e deri me 2017. Këtë borxh nuk ka qenë në gjendje ta mbledhë asnjë qeveri e kaluar, por është mbajtur në evidencë si një borxh i pambledhur; 2) Qeveria ‘Haradinaj’ është përcaktuar fuqishëm për mbrojtje të prodhimit vendor nga importet e ndryshme e me të sulmuarat nga importet janë fabrikat e ujit”, potencoi ai. Sipas Abazit, të gjithë ata që po e kritikojnë qeverinë ‘Haradinaj’ për këtë falje borxhi duhet t’i tregojnë opinionit kosovar pse ata kur e drejtonin qeverinë nuk i kanë mbledhur këto borxhe nga kompanitë e mbushjes së ujit.

Shoqëria civile kërkoi hetime

Instituti GAP, Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GSJP) dhe Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP) kanë reaguar më herët ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për faljen e rreth 70 milionë eurove borxhe të ambalazhuesve të ujit ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës, duke e cilësuar atë të kundërligjshëm dhe të dëmshëm për buxhetin e vendit. Në reagimin e përbashkët të tyre thuhej se sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjit për ujërat e Kosovës, burimet ujore janë pasuri me interes të përgjithshëm dhe pronë e Republikës së Kosovës.”Vendimi për faljen e borxheve për ambalazhuesit e ujit është në kundërshtim me përcaktimin e pronësisë së burimeve ujore të Republikës së Kosovës, sepse nga ky vendim ka përfituar një grup shumë i vogël nga kjo pasuri shtetërore. Falja e borxheve për shfrytëzuesit e ujit gjithashtu është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimet dhe legjislacionin në fuqi. Sipas nenit 6.1 të Ligjit për ujërat e Kosovës, “shfrytëzuesi i ujit do t’i paguajë të gjitha shpenzimet, të cilat dalin nga ofrimi i shërbimeve në të cilat do të jenë të përfshira edhe shpenzimet e resurseve ujore për shfrytëzim”. Kësisoj, falja e borxheve nuk mund të bëhet me vendim ekzekutiv të qeverisë, pa marrë aprovimin e Kuvendit. Shembull për këtë është edhe Ligji për faljen e borxheve publike, i cili u aprovua në Kuvendin e Kosovës”, vijon më tutje ky reagim. “Përveç këtij neni, është shkelur parimi i përfshirjes në diskutim të palëve të interesit nga po i njëjti ligj.

Sipas këtij parimi “organet kompetente janë të detyruara që të sigurojnë, që në procedurën për miratimin e dispozitave, dokumenteve strategjike, plan-programeve dhe vendimeve të marrin parasysh interesat e palëve të interesuara”. Në procesin e marrjes së këtij vendimi ka pasur mungesë të plotë të transparencës dhe qartazi janë përjashtuar aktorë tejet të rëndësishëm në këtë proces, siç janë: Komisioni Parlamentar për Buxhet dhe Financa, Komisioni Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, shoqëria civile, etj. Ky vendim gjithashtu paraqet ndërhyrje të qeverisë në kompetencat e gjyqësorit, kjo për arsye se mediat kanë raportuar se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka shtruar padi ndaj disa prej borxhlinjve të lartcekur”, kishin potencuar OJQ-të. “Përveçse i kundërligjshëm, vendimi për faljen e borxheve cenon edhe qëndrueshmërinë e sektorit të ujërave. Në bazë të Ligjit për ujërat e Kosovës mjetet financiare për administrimin, menaxhimin dhe zhvillimin e ujërave sigurohen pikërisht nga pagesat si ato të ambalazhuesve të ujit dhe të shfrytëzuesve tjerë”. Sipas shoqërisë civile, falja e borxheve në mënyrë arbitrare dërgon mesazh negativ tek sektori privat dhe dëmton të hyrat buxhetore të buxhetit të Republikës së Kosovës, sepse duke u bazuar në këtë vendim ad-hoc shumë biznese do të hezitojnë t’i paguajnë detyrimet e tyre ndaj shtetit të Kosovës dhe kështu borxhet e tyre do të grumbullohen dhe bëhen të papërballueshme.

(Kosova Sot)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.