Eko Higjiena

Faleminderit Zvicër

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Një femër e vetme në krye të një organizimi të madh, Drita Krasniqi, tha “Danke Schweiz” në 5- vjetorin e shtetësisë së Kosovës, në mënyrën e një nëne që kujdeset për të gjithë.

“Danke Schweiz” ishte e veçanta e 5-vjetorit të manifestimit të ditëlindjes së Kosovës sivjet në qytetin e vogël të Zvicrës lindore, në Rorschach. Femrat shqiptare ishin protagoniste të këtij manifestimi. Drita, Fatmirja, Nora dhe motrat Drilona e Doruntina ishin të parat që përgatitnin ushqimet tradicionale shqiptare dhe ato zvicerane për mysafirët e ftuar zviceranë e shqiptarë. Ndërkohë që përgatitjet finale të programit artistik të shkollës së muzikës „Jehona“ dhe shkollës Shqipe në Rorschach po merrnin instruksionet e fundit nga mësuesit e tyre, Murati dhe Lumnia.

Ideatorja e këtij përvjetori, Drita Krasniqi, tha se ndjehet e lumtur që kjo ditë e rëndësishme për ne po shënohet bashkërisht me zviceranët. Për të arritur deri këtu ajo ka pasur mbështetje të fortë të Zyrës së Integrimit për St. Gallen-Rorschach, në krye me Silvia Maag, e cila në emër të mysafirëve zviceranë falënderoi nikoqiret që i kanë ftuar edhe miqtë zviceranë, duke porositur nga podiumi që të punojnë edhe më tutje në afrimin e komunitetit shqiptar me vendësit këtu në Rorschach.

Për të dhe mysafirët zviceranë, u shpreh ajo, është tejet mbresëlënëse paraqitja e fëmijëve me këngë e valle shqipe pa u hamendur para një publiku kaq të madh. Të cilët pa dyshim që për të arritur deri këtu kanë kaluar prova të shumta me mësuesin e shkollës së muzikës, Murat Avdiu, i cili në bashkëpunim me të tjerë dhe promotoren e këtij manifestimi, Dritën, përçojnë shembullin më të mirë se me punë e përkushtim gjithçka është e mundur. Pra, të mblidhen 500 deri 600 persona. Shqiptarë të përzier me zviceranë, italianë, kroatë, turq e të tjerë. Po në këtë mes do të duhej të ishin edhe organet komunale (Stadtrat) të qytetit, të cilët ftesën e marrë nga organizatorët e kanë refuzuar me arsyetimin se kjo ngjarje për ta është tepër politike. Domethënë, e drejta e popullit të Kosovës për të jetuar dhe festuar i lirë qenka ngjarje politike që duhet qëndruar larg?

KKGJILAN

Sido qoftë, për Dritën, si nënë e dy fëmijëve, ky refuzim nuk e ka zbehur dëshirën për ta çuar deri në fund këtë eveniment. Ajo motivin për punë e ka nga ndjenja shpirtërore për bashkëjetesë që i ka dhënë, siç thotë ajo, “vendlindja ime e dytë, Zvicra“. Mungesa e takimeve të përbashkëta, bashkë me imazhin tonë negativ ishin shtysë tjetër për të marrë këtë hap. „Mbështetjen më të madhe për realizimin e këtij manifestimi“, thotë ajo, „e kam marrë nga vetë zviceranët“. Përderisa tregohet e zhgënyjer me Ambasadën e Kosovës në Bernë, e cila nuk ka arritur dot ta furnizojë me broshura informative për Kosovën. „Ata me thoshin jo thirrë këtu, jo thirrë atje. Më shkurt, kurrgjë hiq, nuk kam gjetur përkrahjen e tyre“, shprehet e habitur shtetasja e Kosovës, Drita Krasniqi.

Por pa mëri, e relaksuar dhe falënderuese për pjesëmarrjen e konsullit nga Cyrihu, Sali Sefa. Të cilit pas një fjale rasti ia dhuroi një buqetë me lule. Konsulli shqip dhe gjermanisht falënderoi qytetarët zviceranë për mbështetjen e fortë që i kanë dhënë mërgatës sonë këtu dhe Kosovës. Duke pranuar se potenciali i madh i diasporës shqiptare nuk është duke u shfrytëzuar si duhet. „Unë mendoj“, u shpreh ai, „se ne ende nuk jemi duke e shfrytëzuar potencialin e madh që e kemi në Zvicër“. Edhe si konsullatë, edhe si ambasadë, edhe si qytetarë këshilla ime është të punojmë së bashku për të mirën tonë.

Sido që të jetë, gjatë festave shqiptarët janë për lakmi, thotë i riu zviceran, Markus Leutenegger, i cili prezencën e tij të pestë radhazi në manifestimin e pesëvjetorit të shtetësisë së Kosovës e arsyeton me mikpritjen shqiptare, ngrohtësinë, kulturën, mbështetjen e njëri-tjetrit e afërsinë familjare. „Unë jam rritur me shqiptarë dhe kurrë s’kam pasur stres me ta“. Këtë madje ai e ka përjetuar që nga paslufta e këndej, sa herë që ka kaluar pushimet verore atje. Duke mos ia huqur për asnjë vit, thotë i familjarizuar në mesin e shumë shokëve shqiptarë, te të cilët i kalon pushimet verore në afërsi të Prizrenit.(albinfo)