Faktori politik shqiptarë në Luginë, në vend të unitetit verbal, unitetet në veprim !
Nga Riza Halimi – Nga takimi i kryetarit të qeverisë serbe me përfaqësuesit Shqiptarë të Luginës së Preshevës opinioni u njoftua kryesisht për replikat e tensionuara në mes të kryeministrit Daçiq dhe kryetarit të Kuvendit Komunal në Bujanoc, Jonuz Musliu.
Mirëpo është e domosdoshme të theksohet se në pjesën më të madhe të takimit megjithatë u diskutua për temat që delegacioni shqiptarë i ka paraqitur në Programin e masave urgjente për afirmimin e të drejtave të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
Gjithashtu është e rëndësishme të theksohet se me këtë rast u pranua propozimi i kryeministrit që takime në këtë nivel të mbahen në çdo tre muaj me ç’rast do të shqyrtohen rezultatet e arritura në periudhën paraprake.
Në këto momente këto janë rezultatet e para të një procesi që është kërkuar dhe premtuar që nga janari i këtij viti, kur u mbajt takimi i parë i përfaqësuesve shqiptarë me kryetarin e Trupit koordinues të qeverisë serbe për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, pas tensioneve të shkaktuara me largimin e dhunshëm të lapidarit nga qendra e Preshevës dhe ndërtimit të qendrës memoriale të xhandarmerisë në Lluçan të Bujanocit.
Për takimin e janarit si dhe takimet tjera me përfaqësues të qeverisë serbe zyra e OSBE – së në Bujanoc kishte vetëm rol organizativo teknik. Ndërsa takimet, me kryeministrin dhe më herët me nënkryetarin e parë të qeverisë serbe, ishin të ftuar dhe organizuar nga zyrat përkatëse të qeverisë dhe të shërbimit të Trupit koordinues.
Jo vetëm nga këto fakte, por edhe nga rrjedhat e gjertanishme të negociatave në Bruksel, është krejtësisht e qartë se bashkësia ndërkombëtare nuk ka pranuar, edhe përskaj kërkesave të vazhdueshme të subjekteve politike shqiptare të Luginës së Preshevës, që edhe kjo çështje të shqyrtohet në procesin e normalizimit të raporteve në mes të Serbisë dhe Kosovës të udhëhequr nga Ketrin Eshton.
Bashkësia ndërkombëtare është këmbëngulëse në qëndrimin se për çështjen e Luginës së Preshevës është zhvilluar një proces i bisedave që përfundoi me nënshkrimin e marrëveshjes në mes të udhëheqësve të UÇPMB – së dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë me të cilën u pranua programi i qeverisë federative dhe qeverisë së Republikës së Serbisë i shkurtit të vitit 2001 si zgjidhje për krizën e atëhershme në Luginë të Preshevës.
Mirëpo, bashkësia ndërkombëtare është njëkohësisht koshiente se pjesa më e rëndësishme e këtij programi qeveritar ka ngelë pa u realizuar, andaj edhe vazhdon angazhimi i grupit të ambasadorëve miq të Luginës, i cili po intensifikohet tash kur përfaqësuesit shqiptarë paraqitën kërkesat e tyre me programin e masave urgjente.
Në anën tjetër është shumë e qartë se pas 9 viteve të qasjes kalkuluese, madje edhe diskriminuese të qeverisë serbe ndaj Luginës së Preshevës, janë edhe obligimet e Serbisë ndaj pakicave nacionale në procesin jo të largët të fillimit të negociatave për anëtarësim në BE, që e motivon qeverinë aktuale t’i fillojë këto biseda të nivelit më të lartë me përfaqësuesit Shqiptarë të Luginës së Preshevës.
Në kushte kur Shqiptarët në Luginë të Preshevës po ballafaqohen me probleme të rënda ekzistenciale del kontraproduktive qasja vetëm senzacionaliste e paraqitur në media nga takimi me kryeministrin Daçiq.
Pas protestave masive të Shqiptarëve në Preshevë e Bujanoc dhe paraqitjes së programit të përbashkët që ia drejtuan qeverisë serbe në shkurt të këtij viti, subjektet politike shqiptare në Luginë të Preshevës dhe liderët e tyre, nuk guxojnë me deklarata folklorike t’i japin shkas qeverisë serbe t’i vazhdojë lojërat e gjertanishme të pa kufi lidhur me realizimin e programit të vitit 2001.
Është koha e fundit që faktori politik shqiptarë në vend të unitetit verbal të demonstroj unitetin në veprim, duke u përgatitur sa më mirë për bisedat vijuese me përfaqësuesit e qeverisë si në fazën e parë të zgjidhjes së problemeve urgjente jetësore ashtu edhe për përcaktimin e statusit të Shqiptarëve në Serbi konform me praktikat ekzistuese të shteteve demokratike në bazë të modeleve të njohura për rajonet ku pakicat nacionale paraqesin shumicën e popullatës.
Në realizimin e të drejtave të plota individuale dhe kolektive të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës gjithashtu rol gjithnjë e më aktiv do të ketë Shqipëria pas marrjes së statusit të kandidatit për anëtarësim në Unionin Evropian, e posaçërisht do të jetë në rritje e sipër ndikimi në këtë drejtim i Kosovës, e cila me dokumentin e Ahtisarit dhe me marrëveshjet e arritura në Bruksel paraqet modelin më të mirë në botë për zgjidhjen e çështjes së pakicave nacionale.


