ARKATANA

Evropa nuk është e plotë pa Kosovën

/ 7 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Enver Hoxhaj – Pa integrimin e Kosovës në BE ky ideal evropian do të vazhdojë të mbetet gjysmak. Zhvillimet e fundit në fqinjësinë lindore të BE-së janë dëshmia më e mirë pse Ballkani Perëndimor duhet të integrohet sa më parë në BE, ngase kjo do të ishte në të mirën e përbashkët të të gjitha vendeve të rajonit dhe të shteteve anëtare të BE-së.

Integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian është një nga çështjet më të rëndësishme për të cilën ka pajtueshmëri nga i tërë spektri politik, ekonomik dhe shoqëror i Kosovës. Kjo rezulton për faktin se integrimi në BE ka rëndësi të madhe për zhvillimin e Kosovës dhe pozicionimin e saj ndërkombëtar.

Pa integrimin në BE, Kosova si vend i vogël nuk mund t’u përballojë sfidave rajonale dhe ndërkombëtare. Po ashtu, aspirata kosovare për integrim në BE buron nga përkatësia e saj, nga gjeografia, identiteti evropian, afërsia kulturore me Perëndimin, nga përfitimet ekonomike dhe sociale nga ky union i gjithanshëm, nga mishërimi i paqes me fqinjët dhe krijimi i miqësive të reja, si dhe nga nevoja për sigurimin e një ekzistence të përbashkët në një botë dinamike dhe globale.

Përkundër këtij vullneti të fuqishëm politik dhe përkrahjes së gjerë shoqërore për integrim në BE, Kosova mbetet vendi i vetëm që është duke përjetuar një proces të stërzgjatur integrues si pasojë e ndryshimit të rregullave të zgjerimit të BE-së, unitetit të luhatshëm brenda BE-së karshi Kosovës, si dhe dinamikës së shtetndërtimit të brendshëm të Kosovës. Edhe pse Kosovës iu premtua perspektiva evropiane që në vitin 2003, vetëm një dekadë më pas, në vitin 2013, procesi integrues për Kosovën u përshpejtua me nisjen e negociatave për nënshkrim të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim (MSA) me BE-në.

Kjo marrëveshje, e cila do të konkludohet së shpejti do të jetë marrëveshja e parë kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së, dhe do të shërbejë si kornizë kryesore për modernizimin politik, ekonomik dhe shoqëror të Kosovës. MSA-ja është e rëndësishme, sepse i kontribuon forcimit të demokracisë dhe sundimit të ligjit në Kosovë, forcimit të stabilitetit politik dhe ekonomik, zhvillimit të marrëdhënieve të ngushta politike ndërmjet Kosovës dhe institucioneve të BE-së dhe vendeve anëtare, nxitjes së zhvillimit ekonomik të Kosovës, harmonizimit të legjislacionit të BE-së dhe nxitjes së bashkëpunimit rajonal. Të gjitha këto dimensione janë thelbësore për zhvillimin dhe përparimin e Kosovës.

Përveç këtyre dimensioneve, kjo marrëveshje do t’i shërbejë Kosovës në harmonizimin e politikës së jashtme me atë të BE-së dhe do të ndikojë pozitivisht në pozitën ndërkombëtare të Kosovës, duke përfshirë këtu dialogun politik që Kosova do të ketë në të ardhmen me BE-në për pjesëmarrjen e Kosovës në bashkësinë demokratike ndërkombëtare dhe rritjen e rolit të Kosovës në çështjet rajonale dhe evropiane.

Mirëpo, duhet theksuar se në këtë proces integrues evropian ka kontribuar politika e jashtme e Kosovës e përkushtuar për konsolidimin e sovranitetit të jashtëm të Kosovës përmes njohjes së gjerë diplomatike dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, politikës së vendosjes dhe fuqizimit të marrëdhënieve diplomatike, qasjes konstruktive dhe pragmatike të Kosovës në raport me të gjitha vendet e rajonit, si dhe diplomacisë publike të Kosovës. Pa përparimin në këto aspekte të konsolidimit të shtetësisë së Kosovës, perspektiva evropiane do të ishte e zymtë dhe jo e ngjashme me vendet tjera që janë dhe aspirojnë të jenë pjesë e këtij klubi politik dhe ekonomik.

FIDANISHTJA

Në një dimension tjetër, BE-ja është duke luajtur rol të rëndësishëm në lehtësimin e dialogut për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe është duke ofruar asistencë të gjithanshme për përafrimin e Kosovës me standardet evropiane. Politika e jashtme dhe ajo e zgjerimit e BE-së ka treguar suksese në Kosovë. Për këtë populli dhe institucionet e Kosovës u janë pa dyshim mirënjohës institucioneve dhe shteteve anëtare të BE-së. Por, duhet përmendur këtu fakti se pa integrimin e plotë të Ballkanit Perëndimor dhe të Kosovës BE-ja nuk është projekt i kompletuar i paqes.

Mirëpo, shikuar nga prizmi krahasues rajonal, institucionet e BE-së dhe shtetet anëtare duhet t’i ofrojnë Kosovës mundësi të barabartë në procesin integrues në BE, duhet të jenë më këmbëngulës për përfshirjen e Kosovës në nismat dhe ngjarjet rajonale, duhet t’i afrohet mundësia e liberalizimit të vizave, si dhe duhet t’i afrohet përkrahje për të konsoliduar pozitën ndërkombëtare të Kosovës si vend i pavarur dhe sovran.

Në këtë drejtim pesë vendet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën duhet të lëvizin shpejt dhe të njohin pavarësinë e Kosovës, ngase ky veprim do të ishte në shërbim të ruajtjes së unitetit institucional dhe politik brenda BE-së, por edhe do t’i shërbente funksionit esencial për t’i ofruar Kosovës mundësi dhe trajtim të barabartë në procesin integrues evropian.

Puna e diplomacisë kosovare ka arritur të zbusë qëndrimet e këtyre shteteve dhe me disa nga këto ka vendosur bashkëpunim institucional, mirëpo ende kërkohet përkushtim brendapërbrenda BE-së për këtë çështje. Ngjashëm institucionet e BE-së dhe vendet që kanë njohur Kosovën duhet të qartësojnë dhe rrisin tutje përkrahjen për aspiratat e Kosovës evropiane.

Zgjedhjet e sivjetme parlamentare evropiane afrojnë një mundësi që strukturat e reja udhëheqëse të politikës së jashtme dhe të asaj të zgjerimit të vazhdojnë dhe zgjerojnë tutje përkrahjen për Kosovën në rrugën e integrimit në BE. Zgjedhjet nacionale në Kosovë këtë vit paraqesin një mundësi për të vazhduar dhe rikonfirmuar përkushtimin për të zbatuar me sukses MSA-në, për të marrë liberalizim të vizave, si dhe për ndërmarrë reformat e nevojshme si pjesë e kushtëzimeve para anëtarësimit në BE. Këto veprime afirmative ndaj Kosovës do të ishin në shërbim të plotësimit të idealeve themelore të BE-së, për të ndërtuar një Evropë të plotë dhe të lirë.

Pa integrimin e Kosovës në BE ky ideal evropian do të vazhdojë të mbetet gjysmak. Zhvillimet e fundit në fqinjësinë lindore të BE-së janë dëshmia më e mirë pse Ballkani Perëndimor duhet të integrohet sa më parë në BE, ngase kjo do të ishte në të mirën e përbashkët të të gjitha vendeve të rajonit dhe të shteteve anëtare të BE-së. Kosova do të vazhdojë përkushtimin e saj për plotësimin e kushteve për integrim në BE, sepse këtë proces e sheh si kthim të Kosovës në Evropë, prandaj është e vendosur në konsolidimin e plotë të Evropës dhe është e përkushtuar për një Evropë të plotë, të lirë dhe në paqe.

(Autori është ministër i Jashtëm i Kosovës. Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për rubrikën “Këndi Evropian i Kohës”, që është produkt i bashkëpunimit të “Kohës Ditore” me Zyrën e BE-së në Kosovë, me qëllim të stimulimit të debatit rreth BE-së dhe perspektivës së Kosovës në BE)