Është rritur vetëdija për raportimin e rasteve të dhunës në familje

Nga Lindita Salihu – Dhuna në familje, sado që nuk është karakteristikë vetëm e shoqërisë sonë, sepse me këtë fenomen përballen edhe shtetet më të zhvilluara, prapë se parë mbetet një shqetësim serioz për të gjithë ne në Kosovë.

Mund të thuhet se shoqëria jonë ka punuar me intensitet të shtuar, si në krijimin e kornizës ligjore, ku ka inkorporuar konventat dhe aktet ndërkombëtare që rregullojnë fushën e të drejtave të njeriut, ashtu edhe në trajtimin e rasteve në praktikë. Ekspertët e fushave përkatëse kanë hartuar procedurat standarde të veprimit, për të qartësuar rolin e secilit institucion, i cili ka për detyrë trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe për ta përmirësuar hallkën e komunikimit ndërmjet këtyre institucioneve.

Me shumë përkushtim kanë punuar edhe institucionet komunale në Gjilan, në parandalimin e këtij fenomeni të dëmshëm dhe aspak civilizues. Komuna e Gjilanit ka miratuar Strategjinë Komunale Kundër Dhunës në Familje (2013-2018) dhe gjithashtu ka themeluar Mekanizmin Koordinues Kundër Dhunës në Familje, i cili ka për qëllim parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie në mënyrë sa më efikase.

Për realizimin e objektivave të Strategjisë punohet gjatë tërë vitit, por kryesisht gjatë 16 ditëve të aktivizmit, që fillojnë prej 25 nëntor – Ditën Ndërkombëtare Kundër Dhunës në Familje dhe zgjasin deri më 10 dhjetor – Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, kohë kur organizohen një sërë aktivitetesh sensibilizuese me akterët relevantë për ngritje të vetëdijes, parandalim të dhunës, mbrojtje dhe ri-integrim të viktimave të dhunës në familje.

Gjithashtu, Kuvendi i Komunës së Gjilanit ka nxjerrë një vendim për caktimin e lokacionit për ndërtimin e një objekti, një pjese e të cilit është i dedikuar për strehimoren për mbrojtjen e gruas dhe fëmijës, me qëllim që kjo kategori të ketë një akomodim sa më të përshtatshëm dhe të trajtohet me dinjitet.

Mekanizmi Koordinues Kundër Dhunës në Familje, që është një trupë bashkëvepruese me të gjithë akterët që merren me parandalim, mbrojtje dhe ri-integrim të viktimave të dhunës në familje, mban takime të rregullta, ku raportohen të dhënat për rastet e dhunës në familje dhe diskutohet për sfidat dhe problemet që hasin gjatë kryerjes së detyrave.
Po ashtu, në bashkëpunim është përgatitur plani i veprimit 2018-2020, nën mbështetjen e organizatës UN-women, ku përveç trajtimit të viktimave të dhunës në familje, trajtohen edhe kryerësit e dhunës përmes trajnimeve psiko-sociale. Me këta persona, deri më tani nuk është marrë askush.

Nga statistikat e institucioneve të cilat merren drejtpërdrejt me trajtimin e viktimave, shihet se numri i rasteve të dhunës në familje ndryshon nga viti në vit. Gjatë vitit 2017, në polici janë referuar 12 raste më shumë në krahasim me vitin 2016, por kjo nuk mund të konsiderohet si rritje e dhunës, sepse mund të bëhet fjalë për ngritje të vetëdijes në raportim e dhunës në familje.

Përndryshe, për periudhën janar – dhjetor 2017, në polici janë raportuar 96 raste të dhunës në familje, ku në 81 raste viktimat janë gra, kurse në 15 raste janë burra.

Numri i rasteve të mbështetura nga Qendra për Punë Sociale ka qenë 74 dhe atë 59 femra dhe 15 meshkuj. Në strehimoren “Liria” janë sistemuar 79 raste, 51 gra dhe 23 fëmijë. 23 fëmijë kanë qenë të moshës prej 0-12 vjeçe, 5 – të mitura (13-17 vjeç), 49 – të rritura (25-55 vjeç) dhe 2 gra të moshës 55-75 vjeçare.

Këtyre personave, strehimorja ju ka ofruar ushqim, veshmbathje, medikamente si dhe shërbime tjera përcjellëse. Atyre iu ofrohet edhe ndihmë psiko – sociale, me ç`rast janë mbajtur 125 seanca individuale psikologjike dhe 52 seanca grupore gjatë vitit 2017. Gjithashtu, organizohen edhe aktivitete për gratë dhe fëmijët e strehuar, si kurse të kompjuterëve, kurse për thurje dhe qëndisje, kurse gatimi etj.

Drejtoria e Arsimit, nëpërmjet mësimdhënësve në shkolla ka identifikuar 4 raste të dhunës në familje, të cilët pastaj janë rekomanduar në institucionet përgjegjëse. Ndërkaq, nga psikologja e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare janë trajtuar 8 gra, 3 fëmijë dhe një burrë, viktima të dhunës në familje.
………………………………………………………………
(Autorja është zyrtare për Barazi Gjinore)

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).