Është herët të bisedohet për zgjedhje

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci, ka hedhur poshtë kërkesën e opozitës për të biseduar në një tavolinë të përbashkët për datën e zgjedhjeve të parakohshme.
Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Grabovci ka thënë se aktualisht është shumë herët për të biseduar për procesin zgjedhor. “Për Partinë Demokratike të Kosovës është shumë herët të bisedohet për zgjedhjet nacionale. Në verën e 2017-s mund të ulemi dhe të bisedojmë për përgatitjen e zgjedhjeve lokale, kurse në pranverën e vitit 2018 do të jemi të gatshëm të bisedojmë për zgjedhjet parlamentare. Mirëpo, opozita do ta vazhdojë kërkesën për zgjedhje të parakohshme deri në vitin 2022 nëse nuk ndalet t’i vlerësojë veprimet dhe angazhimet e veta si dhe ofertën që do ta prezantojë para qytetarëve”, ka deklaruar Grabovci.
Grabovci ka mohuar se dalja e liderit të PDK-së në takim me strukturat e partisë nënkupton parapërgatitje për zgjedhje të parakohshme. “Aktivitetin tonë, komunikimin e rregullt me strukturat e partisë dhe elektoratin, e kemi të pandërprerë. Tani ky komunikim do të rritet dhe në asnjë mënyrë nuk do të zbehet, sepse në vitin 2017 na presin zgjedhjet lokale, ku duhet t’i prezantojmë sukseset tona para qytetarëve. Pastaj duhet të përgatitemi edhe për zgjedhjet parlamentare të vitit 2018”, ka theksuar Grabovci. Sipas tij, koalicioni PDK – LDK është funksional dhe do ta çojë deri në fund mandatin qeverisës. Grabovci ka thënë se edhe Hashim Thaçi së shpejti do të bëhet president i vendit. “Koalicioni aktual është funksional, stabil dhe shumë i fuqishëm. Marrëveshjet që i kemi nënshkruar do t’u përmbahemi në mënyrë reciproke dhe do të vazhdojmë deri në fund me këtë koalicion. Jam shumë i sigurt se qytetarët e Kosovës e presin me padurim zgjedhjen e Hashim Thaçit president të vendit”, ka deklaruar Grabovci.
“Epoka e re”: Z. Grabovci, opozita ka shprehur gatishmërinë të martën për t’u ulur në një tryezë dialogu me pozitën, por vetëm për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme. A jeni të gatshëm ta inicioni këtë tryezë dhe të merreni vesh për datën e zgjedhjeve?
Grabovci: Për Partinë Demokratike të Kosovës është shumë herët të bisedohet për zgjedhjet nacionale. Në verën e 2017-s mund të ulemi dhe të bisedojmë për përgatitjen e zgjedhjeve lokale, kurse në pranverën e vitit 2018 do të jemi të gatshëm të bisedojmë për zgjedhjet parlamentare. Jemi shumë të vetëdijshëm se PDK-në e presin detyra të shumta. Duhet ta kemi një mobilizim të jashtëzakonshëm, sepse po shihet qartë se institucionet e vendit kanë nevojë për angazhimin e PDK-së dhe për fitoren e saj. Në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe ato parlamentare jemi shumë të sigurt se do të kemi një fitore edhe më të thellë dhe një mbështetje edhe më të madhe të qytetarëve të Kosovës. Është normale që opozita të kërkojë zgjedhje. Mirëpo, opozita do ta vazhdojë kërkesën për zgjedhje të parakohshme deri në vitin 2022 nëse nuk ndalet t’i vlerësojë veprimet dhe angazhimet e veta si dhe ofertën që do ta prezantojë para qytetarëve. Do të kishte me qenë e udhës në rast se opozita do të ulej dhe të bëjë një bilanc të dëmeve që ia ka shkaktuar vendit dhe proceseve nëpër të cilat po kalon Kosova. Kjo opozitë, mbi të gjitha, ka sjellë zhgënjim te qytetarët me skena trishtuese, të llojit të njëjtë që janë përballur në të kaluarën jo shumë të largët. Prandaj janë të papranueshme skenat e tilla të dhunës nga opozita. Ne vlerësojmë se qytetarët e Kosovës kanë nevojë për angazhim të sinqertë për të ndikuar për ndryshimin e jetës së tyre. Kur e them këtë, kam parasysh problemet sociale me të cilat përballen qytetarët. Për t’i zbutur problemet e qytetarëve duhet të angazhohemi maksimalisht për zhvillimin ekonomik të vendit.