‘Është arrestuar me 3-4 kerre’, ‘një persekutim klasik’: Specialja në aksion me arrestime e bastisje, nxit reagime të ashpra
Tri arrestime e një rast i bastisjes. Ky është rezultati i deritanishëm i një aksioni të Speciales të zhvilluar gjatë ditës së sotme në Kosovë, e i cili ka filluar qysh herët në mëngjes, shkruan Gazeta Express.
Ata që ranë në prangat e hetuesve të EULEX-it, të cilët ishin ata që kryen këtë aksion, janë Isni Kilaj, Bashkim Smakaj e Fadil Fazliu. Ndërsa personi i katërt, për të cilin deri tash ka pasur vetëm bastisje është Hajredin Kuçi, bastisje që është duke vazhduar ende.
Pikërisht lidhur me këtë rast, është deklaruar është deklaruar djali i Kilajt, i cili për T7 ka thënë se: “Gjyqtari e ka hedhur poshtë mbi tri herë kërkesën e Prokurorisë dhe masnej është liru me kusht me disa masa të rrepta sigurie”.
Ai ka thënë se Isni Kilaj nuk e ka shkelur asnjë masë. Blend Kilaj shtoi se shpresojnë që do të mbyllet ky proces dhe do të largohen masat e rrepta ndaj babait të tij.
Edhe për rastin e të arrestuar Fadil Fazliu, i cili është vëllai i heronjve Fazli e Bahri Fazliu, ka folur ka folur djali i tij, Fahri Fazliu.
“Sot rreth orës 8 të mëngjesit te banesa e tij në Kodër të Diellit ku edhe ështa bastisur para një viti, është arrestuar me 3-4 kerre të forcave të EULEX’it me udhër të Dhomave të Specializuara Fadil Fazliu, babai im. Përndryshe Fadili ka qenë pjesë e UCK’së, është vëllai i heronjve Fazli dhe Bahri Fazliu”, tha ai.
Ai ka deklaruar edhe se Fadil Fazliu ka qenë vetëm duke shkuar në punë dhe se me të s’ka qenë askush.
“Ai ndodhet në zyret e EULEX’it, pritet të dërgohet në Hagë”, derisa shtoi se nuk i është thënë arsyeja.
Lidhur me këtë aksion kanë deklaruar edhe vetë Zyra e Prokurorit të Specializuar, nga ku është konfirmuar ky aksion.
ZPS ka thënë se operacionet janë për hetime për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, raporton Express.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) po kryen operacione në vazhdimësi në Kosovë në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Operacionet e ZPS-së janë autorizuar nga ana gjyqësore prej Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe janë mbështetur nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, thuhet në njoftim.
Lidhur me këtë aksion ka pasur reagime të shumta, ku ndër ta është edhe Ish-këshilltari i Thaçit, Adil Behramaj i cili ka deklaruar se arrestimet e Speciales sot në Prishtinë filluan menjëherë pasi ish-presidenti dje u ngrit në këmbë kundër padrejtësive.
‘’Një ditë pasi Hashim Thaçi u ngrit në këmbë kundër padrejtësisë në Hagë, menjëherë në Prishtinë filloi arrestimet Zyra e Prokurorit të Specializuar. Ky është një persekutim klasik ndaj njerëzve që në formë direkte apo indirekte kanë lidhje me UÇK-në dhe krerët e saj në Hagë. Bashkim Smakaj është ish-ushtar i UÇK-së dhe një hero i heshtur i shtetit të Kosovës.
Sot, Prokuroria e Gjykatës Speciale është shndërruar në Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale dhe jo të arrestuarit e saj në Hagë!’’, ka shkruar ai.
Përveç këtyre zhvillimeve në Kosovë, një tjetër zhvillim interesant që ka lidhje me Specialen, ka ndodhur në Hagë.
Atje kanë pushuar zyrtarisht të gjitha hetimet ndaj Sokol Bashotës.
Këtë e ka bërë të ditur Bashota përmes një postimi në ‘Facebook’, ku ka thënë se pushimi i hetimeve ndaj tij nuk është fitore vetëm e tij, por edhe triumf i pastërtisë së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Pas (5) viteve hetime, tani, me datën 19 Shtator 2024 jam njoftuar zyrtarisht se të gjitha hetimet ndaj meje kanë pushuar. Pastërtia e luftës së shenjtë të UÇK-së, u konfirmua edhe një herë zyrtarisht. Shfrytëzoj rastin ta falënderoj edhe avokatin tim z. Artan Qerkini për ndihmën profesionale në arritjen e këtij qëllimi”, ka shkruar ai. /GazetaExpress