Fundamenti

Ëndrra për një paradoks

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Nga -Blerina Rogova Gaxha- Nuk ishte nata, siç nuk ishin as kafe-baret si ato të qyteteve evropiane, në të cilat zbavitesh në orët e natës, për çka Prishtina edhe ka nam, ato që për një grup të huajsh, gazetarë e botues, e bënin Prishtinën t’u dukej interesante.

Nuk ishte dielli ai që u interesonte, as vapa nuk ua nxirrte shpirtin, ajo u dukej interesante. Sigurisht, sepse ishin këtu për të parën herë.

Nënë Tereza e Prishtinës, që pjesërisht është ‘under costructions’, dhe në e rreth të cilit shesh zhvillohet jeta, takohen personat, gjinden punët e jepen tenderët, nuk ka si të mos ‘i mahnisë’ edhe vizitorët e huaj. Qentë kinezë që shiten si lodra në këtë shesh, ishin dhe nuk ishin diçka e rëndësishme në atë çast, ashtu siç ishte edhe lepuri lodër që një botuesi austro-gjerman ia kujton Lizën në botën e çudirave. Por Prishtina nuk është një qytet i çudive, është më shumë qytet i paradoksit dhe ironisë.

Në ecjen në sheshin e Terezës, njëri pyet për fotot e vëna në ndërtesën e Ministrisë së Kulturës, dhe kërkon të dijë se cila është pika më e fortë e Ministrisë së Kulturës? Çfarë ka arritur më së shumti. Përgjigjja që të del krejt padashje është se i ka ndërruar pesë ministra në jo më shumë se trembëdhjetë vjet… Pas godinës me plot ish-zotë shtëpie të del përpara Grandi i madh, karshi Zahir Pajazitit. Një simbol i qytetit, i tmerrit të marsit të 99-tës, dhe një hero, ballë për ballë. Aty do të ketë një shesh, të ri. Po ç‘është KEK? Korporata Elektroenergjetike e Kosovës. Gjendja e mjerueshme e kësaj godine, a do të thotë se ekonomia është e mjerë?

UBT

Ai vazhdon dhe ne vazhdojmë rrugën nëpër dhe e pluhur. Cila është kjo kinema? Janë dy kinema në kryeqytet, në fakt këto të dyja që i takojnë një kompanie, janë të vetmet edhe në krejt shtetin. Janë dy library në qendër, një tjetër pak më larg qendrës, një e katërtë, një e pestë, ndoshta edhe një e gjashtë, aty ku nuk shihet. Një teatër në qendër, një tjetër i fshehur në një rrugicë qorre, dhe një tjetër privat.

Një Bibliotekë dhe një Galeri Kombëtare, afër saj edhe një Qendër Kinematografike, dhe një Muze, po ashtu Kombëtar, i mbyllur. Edhe një park arkeologjik, edhe një përmendore që flet për vllaznim-bashkimin e dikurshëm. Po ç‘është historia për ju? Pyet gazetarja nga Franca? Ç‘kuptim të ka Jugosllavia e Titos? Pyetja e saj të çon menjëherë në shpërbërjen e Jugosllavisë, dhe kontekstin në të cilin u shkatërrua ky vend, dhe në atë që solli një ndër luftrat më tronditëse e kontradiktore, deri ta pluhuri pllakat e Granitit të Terezës dhe pluhuri rreth saj.

Por rrugët janë plot makina të bukura e të shtrenjta, kafenetë plot dhe restorantet gjithashtu? Nuk të lë fort përshtypjen e një vendi për të cilin shkruhet e thuhet se jeton në varfëri të madhe… Mjafton të dukesh mik. Pamja këtu thotë më shumë se gjithçka. Mjafton të kesh për të tjerë, për sytë e huaj, se për vete i gjindet diqysh.

Kryeqyteti kosovar që filloi të rritej në nisje të shtatëdhejtave, ka një dekor të mrekullueshëm. Gjallërinë, lëvizjen e madhe, rininë, femrat e bukura dhe kafenetë e pafundme. Por çfarë ka tjetër? Një kaos misionesh? Një kaos njerëzish “të fortë”? Një kaos njerëzish të zakonshëm? Një kaos në kryeqytet?… Ëndrra për një shtet, apo ëndrra për një paradoks? Kush mund t’i shpëtoj ironisë së Prishtinës? Duhet të dish të jetosh, ndryshe e humb rrugën në arkitekturën komuniste, në arkitekturën futuriste e në arkitekturën arkaike. Kush mund t’i shpëtoj ironisë së kohës e të Kosovës? Duhet të dish të jetosh që të durosh. Po pavarësia? Po 10 shtatori?