RCCOLA

“Ëndrra” e Jahjagës

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Adrian Çollaku- Presidentja jonë, Atifete Jahjaga, e “entuziazmuar” nga takimi që pati kryeministri Hashim Thaçi me homologun e tij serb, Ivica Daçiq, e ka “nxitur” atë që të kërkojë një takim sa më të shpejtë “kokë më kokë” me homologun serb, Tomisllav Nikoliq. Ajo madje të martën, pa e pyetur kush, u tregua e gatshme që të takojë kudo dhe kurdo presidentin e Serbisë. Çfarë zemërgjerësie e deles së plagosur që nget pas ujkut.

Jahjagës po duket sikur i “mbeti” hatri pse ajo nuk e kishte thyer e para akullin që të takohet me zyrtarët më të lartë serbë. Me kompleksin e inferioritetit, ajo qysh kur është bërë presidente na tregonte se është e gatshme të takohet me të gjithë, pa përjashtuar edhe presidentin serb, vetëm e vetëm që, siç donte të na bindë, “për t’i mbrojtur interesat e qytetarëve”.

Një ditë ndoshta do t’i realizohet edhe kjo “ëndërr” dhe pasardhësi i Sheshelit, radikali Nikoliq do të denjojë të pranojë dorën e shtrirë ashtu që edhe Atifetja jonë të duket si faktor vendimtar. Së paku të duket, sepse, në fund të fundit, as takimi i saj i mundshëm me Nikoliqin, ashtu si shtrëngimi i duarve të kryeministrit Hashim Thaçi me Ivica Daçiqin në Bruksel, përveç do fotografive, nuk është se kanë diçka të rëndësishme.

Nuk besoj se është ndokush, në Kosovë, jo vetëm nga politika, por edhe nga shoqëria civile, nga mediet apo edhe vetë qytetarët që të mos jetë për zgjidhjen e problemeve përmes dialogut. Dhe rrjedhimisht askush në parim nuk është as kundër dialogut me Serbinë. Por, i tërë problemi është tek çështja se çka do të bisedohet dhe me çfarë kushtesh do të hyjmë në ato bisedime.

U pa shumë mirë edhe javën e kaluar se çfarë lufte bëri kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, që ta marrë një copë letër nga Kuvendi, si një leje për fillimin e negociatave me Serbinë. Nuk shkoi as një orë nga koha kur Kuvendi e kaloi rezolutën, e cila u procedua në mënyrë super të shpejtë nga Grupi Parlamentar i PDK-së, dhe turr e vrap ia theri për në Bruksel. Kaq i ka mjaftuar shefit të ekzekutivit kosovar që të nisë bisedimet me Serbinë, që ta takojë Daçiqin…

Ndërkohë që takimi Thaçi- Daçiq u hapi rrugë bisedimeve, institucionet tona, gjegjësisht Qeveria e Kosovës nuk ka kurrfarë platforme se si do t’iu qaset këtyre bisedimeve dhe çka të bëjë me to. Rezoluta e miratuar në Kuvend, e cila i jep leje Qeverisë që të udhëheqë këto bisedime, nuk e kushtëzon me asgjë Serbinë.

Fundamenti

Është edhe më i dhimbshëm fakti se si dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ishin në gjendje së paku t’i kërkojnë Qeverisë vendosjen e disa parakushteve për të hyrë në bisedime me Serbinë. Së paku zbardhja e fatit të mijëra personave të pagjetur, shpagimi i dëmeve që kjo Serbi ia ka shkaktuar Kosovës, kërkimfalja për krimet në Kosovë dhe ajo që nuk e ka bërë dhe nuk shihet se e ka ndërmend ta bëjë, distancimi i kësaj politike nga ajo e kohës së Millosheviqit…

Pra, me këtë rast dy partitë opozitare dëshmuan se nuk kanë invencion dhe nuk dallojnë për asnjë nuancë nga partia në pushtet. Frika se mos po i prishin “miqësitë” me ndërkombëtarët në rast se do të vendosnin parakushte dhe në këtë mënyrë ta vështirësonin arritjen e pushtetit, bëri që LDK e AAK me bishtin nën shalë ta ulin kokën e të mos e hapin gojën.

Vetëvendosja, i vetmi subjekt opozitar që ishte kundër këtyre negociatave dhe që protestoi, u rrah e u dhunua ekstremisht nga Policia e Bajram Rexhepit. I keni parë ato pamje duke i ndjekur protestuesit deri në shtëpi të tyre, pse po protestonin kundër bisedimeve, ishin tmerruese…

Një gjë është e sigurt.

Edhe në këto bisedime, si në ato teknike, agjendën do të na e bëjnë prej A deri në ZH ndërkombëtarët. Edhe në këto bisedime do të jemi spektatorë, pra në asnjë formë faktor vendimmarrës. Për gjithçka do të vendosin të tjerët, e tanët që do të ulen aty në bisedime do të jenë implementues dhe asgjë më shumë.

Prandaj, edhe Jahjagës nuk duhet t’i mbetet hatri pse nuk ka marrë ende pjesë në këto bisedime. Apo pse nuk i ka shtrënguar duart me Nikoliqin. Bile, ajo duhet të lutet që ndërkombëtarët të mos e ftojnë në këto procese, të mos ia realizojnë “ëndrrën”, sepse do të dalë si letër e djegur.