Emërllahu: Nisma Socialdemokrate në Viti, do të garojë fuqishëm në zgjedhjet lokale të tetorit

Viti – Dega e Nismës Socialdemokrate në Viti ka nisur përgatitjet për zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor të këtij viti. Nisma do të garojë fuqishëm dhe do të jetë maksimalisht e mobilizuar për të qenë zëri i qytetarëve të Vitisë. Nisma do të marrë pjesë në zgjedhje si me listën për Kuvendin Komunal, ashtu edhe me kandidatin për kryetar të Komunës së Vitisë thotë Elham Emërllahu kryetar dege.
“Kjo është një kërkesë e drejtpërdrejtë e qytetarëve, por edhe një nevojë jetike për të ardhmen e komunës sonë. Në zgjedhjet e ardhshme, Nisma do të jetë faktor përcaktues për qeverisjen lokale në Viti. Rezultatet e zgjedhjeve të fundit nacionale e kanë dëshmuar se dega e Nismës në Viti është një subjekt i organizuar, me një strukturë të qëndrueshme, profesionistë e aktivistë të dalluar që i besojnë vizionit të kryetarit z. Fatmir Limaj dhe programit politik të Nismës tha Emërllahu për rajonipress.
Sipas tij një ndër arsyet pse Nisma po përgatitet me përkushtim për këto zgjedhje është qeverisja e dobët dhe zhgënjyese e koalicionit aktual LDK – PDK gjatë mandatit 2021 – 2025.
“Ky koalicion ka dëshmuar një qasje të dështuar, klienteliste dhe të mbyllur në rrethin e interesave të ngushta grupore, duke e ngulfatur zhvillimin e komunës sonë. Katër vitet e fundit janë karakterizuar nga projekte infrastrukturore të dobëta, arsim i degraduar, shëndetësi e paaftë, mungesë e përkrahjes për bujqësinë, dhe mungesë e furnizimit me ujë të pijshëm. Nepotizmi dhe korrupsioni kanë qenë pjesë përbërëse e kësaj qeverisje. Koalicioni LDK – PDK në Viti është qeverisja më e dobët që nga paslufta dhe u ka kushtuar shumë qytetarëve të komunës sonë. Nisma Socialdemokrate është e gatshme të ofrojë një alternativë të besueshme, të përgjegjshme dhe të përkushtuar për ta nxjerrë Vitinë nga kjo situatë” tha Emërllahu./rajonipress/