Emërimet e reja në Gjilan ndezin reagime, qytetarët kritikë ndaj kabinetit të Alban Hysenit
Gjilan – Emërimi i drejtorëve të rinj komunalë nga kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka nxitur një valë të gjerë reagimesh në opinionin publik. Në rrjetet sociale dhe në hapësirën publike, qytetarë të shumtë kanë shprehur pakënaqësi të theksuar, duke kritikuar përzgjedhjen e disa prej drejtuesve dhe performancën e deritanishme të ekzekutivit lokal.
Një qytetar me inicialet H.I. ka reaguar ashpër ndaj drejtorit të Infrastrukturës, duke e cilësuar si të dështuar. “Drejtorë të dështuar, sidomos ky i infrastrukturës rrugore. Kaos e ka bërë qytetin, asnjëherë Gjilani s’ka qenë më keq. Gropa gjithkah, njeri pa vizion dhe pa kredibilitet. Shkurt: i paaftë”, ka shkruar ai, duke përmendur gjendjen e rrugëve si një nga problemet kryesore.
Në të njëjtën linjë kritike është shprehur edhe Agim Aliu, i cili ka vënë theksin te, siç thotë ai, mungesa e meritokracisë në emërime.
“Drejtorët e pamerituar dhe të imponuar janë dëm për komunën dhe shoqërinë. Kur emërimet bëhen mbi interesa e jo mbi meritë, humb profesionalizmi, bie efikasiteti dhe qytetarët humbin besimin në institucione. Komuna ka nevojë për njerëz me integritet, dije dhe përgjegjësi, jo për poste të fituara me imponim”, ka shkruar ai, duke shtuar megjithatë urime për ata që, sipas tij, janë emëruar me meritë.
Edhe më i drejtpërdrejtë ka qenë reagimi i qytetarit Ali Lajqi, i cili ka përdorur tone ironike për të përshkruar nivelin e kabinetit komunal.
“Kabineti i komunës ka arritur një nivel qesharak. Duket sikur drejtoritë po i udhëheqin fëmijë që s’kanë ide as për hapjen e një dyqani, e jo më për menaxhimin e qytetit. Zero vizion, zero punë reale, vetëm biseda boshe dhe foto për sy e faqe. Qyteti ngec, ndërsa ata bëjnë sikur po qeverisin”, ka deklaruar ai.
Ndërkohë, një tjetër komentues, me emrin Feri Feri, ka rikujtuar kontributin e ish-kryetarit Qemajl Mustafa gjatë zgjedhjeve të vitit 2021, duke lënë të kuptohet se disa figura politike nuk janë vlerësuar me poste pas mbështetjes së dhënë.
“E harruat Qemajl Mustafën në fushatë në vitin 2021 sa ju ka ndihmue, 700/800 vota ua ka fitue, u dasht naj post me ia bo”, ka shkruar ai.
Reagimet e shumta tregojnë një klimë të polarizuar rreth përbërjes së kabinetit të ri komunal. Deri më tani, nga Komuna e Gjilanit nuk ka pasur një reagim zyrtar lidhur me këto kritika publike.
Megjithatë, komentet e qytetarëve sinjalizojnë pritje të larta dhe një kërkesë të shtuar për transparencë, profesionalizëm dhe rezultate konkrete në menaxhimin e qytetit./rajonipress/


