Elfi Agushi, synim të vetëm pati çlirimin e Kosovës

Të jesh përkrah një veprimtari kryengritës, të paluhatur dhe me moral të lartë si Elfi Agushi, do të thotë të jesh në anën e ideatorëve të mëvetësisë së Kosovës, si: Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Rexhep Malaj, Zijah Shemsiu, Nuhi Berisha, Afrim Zhitita, Fahri Fazliu, Ali Ajeti, Afrim Vata etj.

Elfiu, nga të gjithë mërgimtarët tanë në Zvicër, njihet si njeriu i përjetimeve dhe ngjarjeve të bujshme. Ai edhe pse vetëm me tetëvjeçare të kryer me kohë luftoi padrejtësinë dhe pushtimin sllavo-komunist.

Përgjatë gjysmëshekulli asnjë çast s’pushoi së vepruari. Kreu detyra të shumta, dhe me mjaft përgjegjësi, në dobi të çështjes sonë kombëtare .

Meqë, pati migruar shumë i rinj në Gjenevë të Zvicrës, së bashku me Kadri Zekën, Shyqeri Ukshinin, Kadri Abdullahun, Ejup Ahmetin, Jakup Halimin, Selman Kllokoqin, Enver e Zahide

Abdullahun, Adem Islamin, vëllezërit Januz e Qamil Salihu, Ilaz Bajramin, Ismet Rashitin, Gafurr Çalajn dhe Shabi Hajdinin, dhe pse të përcjellur çdo hap nga UDB- ja, jugosllave dhe bashkëpunëtorët e saj, me 25 tetor të vitit 1981, në“Vieille ville du Geneve” hapin Klubin Kulturor “Ikballe Prishtina“.

Emër ky i bashkëshortes së ideologut dhe patriotit të njohur Hasan Prishtina. Ky propozim mbi emrin kishte dal nga veprimtari i ndjerë Kadri Zeka, që më vonë ishte pëlqyer edhe nga strukturat e tjera të Këshillit iniciues.

Ambasada jugosllave në Bernë të Zvicrës, me Konsullatën e saj të Përgjithshme në Gjenevë, me të gjitha mjetet mundohet që të pezullojnë punën e këtij Klubi të vetëm shqiptar.

Përfaqësuesit diplomatikë të Jugosllavisë, më qëllim të paralizimit të punës së këtij Klubi, sajojnë gënjeshtra nga më të ulëtat ndaj shqiptarëve.

Ata para organeve shtetërore të Zvicrës, shqiptarët i paraqesin si pakicë e padëgjuar në ish- Jugosllavi, dhe si një grup njerëzish problematikë e të paintegruar në shoqërinë jugosllave.

Me gjithë rrezikun për jetën kjo celulë e parë mërgimtarësh atdhetar nuk zmbrapset nga lufta mbi të vërtetën dhe origjinën e popullit shqiptar të Kosovës.

Duke parë rezistencën e këtyre veprimtarëve të devotshëm dhe trima përfaqësuesit e shtetit jugosllav zbusin qëndrimin e tyre.

Ata legalizimin e punës së Klubit, e kushtëzojnë me zëvendësimin e emrit nga Ikballe Prishtina, me ndonjë emër tjetër të komunistëve jugosllavë.

Xhafer Shatri (i burgosur politik që më 4 shkurt 1982,kishte ikur nga Burgu i Prishtinës, dhe kishte ardhur në strehim politik në Gjenevë të Zvicrës)bashkë me kryesinë e Klubit dhe me anëtarësinë, një gjë të tillë e kishin kundërshtuar kategorikisht.

Pas vrasjes me atentat të vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla, dhe Kadri Zeka, nga UDB- ja jugosllave, edhe pse në rrethana tepër të vështira, u themelua Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi, si bashkim i tri organizatave ilegale të deriatëhershme.

Në mars të vitit 1983,organi i LRSHJ-së, “Zëri i Kosovës “filloi të redaktohet dhe të shtypet në Gjenevë.

Xhafer Shatri ishte kryeredaktor deri në janar të vitit 1985,kur për shkak të mospajtimeve të brendshme dha dorëheqje nga Redaksia e Zërit të Kosovës, dhe u largua nga LRSHJ.

Ndërkaq, përcjelljen e organit të Lëvizjes në Kosovë e bëjnë në mënyrë klandestine dhe me shumë rreziqe veprimtarët e guximshëm, Zijah Shemsiu, Nuhi Berisha, Sami Kurteshi, Salih Basha, Zahir Kamberi, Fahredin Tafallari, Elfi Agushi, Shyqeri Ukshini, Hasan Malaj, Ejup Ahmeti, Jakup Halimi,etj.

Brezi i të mërguarve i viteve shtatëdhjetë dhe nëntëdhjetë e njeh z.Elfi Agushi edhe si njeriun që kërkoi dritë e dije për të gjithë të rinjtë shqiptarë.

Elfiu, duke ndarë shumëherë një pjesë të të hollave nga paga e tij ndihmoi edhe Lëvizjet studentore të Universitetit të Kosovës, të cilat nëpërmjet demonstratave dhe peticioneve të ndryshme kërkonin liri dhe të drejta të barabarta me serbët, kroatët, sllovenët, malazezët e maqedonasit.

Mospërfillja e kërkesave të shqiptarëve nga Federata e ish- Jugosllavisë, e revolton aq shumë Elfiun,i cili nga ky moment me të gjitha forcat lufton për shkëputjen e Kosovës, nga sundimi sllavo- komunist.

Në lidhje të ngushta veprimi me rininë studentore të Universitetit të Kosovës, ai pati shpërndarë ilegalisht edhe revistat “Bashkimi” “Lajmëtari i Lirisë” “Liria“ dhe “Zëri i Kosovës “të cilat dritën e botimit e shihnin falë punës së palodhshme të tribunëve të njohur popullor Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.

Nëpërmjet këtyre revistave i bëhej thirrje e drejtpërdrejtë popullit shqiptar për kryengritje ndaj pushtimit të egër jugosllav.

Edhe në vitet e mëvonshme Elfi Agushi, do të jetë nga të parët që parezervë do të mbështesë krijimin e një fondi të posaçëm për studentët e dalluar të trojeve shqiptare.

Ky fond iniciativë e zotit Asllan Gjinovci, u pati mundësuar studimet disa studentëve nga Kosova dhe Shqipëria, në Fakultete të ndryshme të Universitetit të Gjenevës.

Pas përfundimit të suksesshëm të këtij aksioni z.Agushi,dha kontribut me vlerë të veçantë edhe në formimin e Nëndegës së LDK-së, në Gjenevë.

Duke e konsideruar këtë Parti si Lëvizje gjithëpopullore vetëm gjatë një vikendi të fundmajit 1990,ai pati pajisur me libreza mbi dyqind anëtarë.

Elfi Agushi, sot 76 vjeç ishte edhe në ballë të “Fondit gjithëkombëtar “të themeluar më 12 tetor të vitit 1991.

Në xhirollogarinë e këtij Fondi që i parapriu edhe krijimit të Fondit të zyrtarizuar të Republikës së Kosovës, vetëm në kantonin e Gjenevës, u tubuan 285mijë e 248 franga zvicerane.

Që nga janari i vitit 1992,secili mërgimtarë e kishte obligim moral dhe kombëtar që në Fondin e Republikës së Kosovës, të njohur ndryshe edhe si Fondi Bukoshi , të ndajë si kontribut mujor 3% të të ardhurave personale.

Elfi Agushi, jo vetëm që kontribuoi me të holla, por ishte edhe njëri nga anëtarët më aktiv të Kryesisë së këtij Fondi, deri në mbylljen e tij.

Një gjë që më ka bërë përshtypje të jashtëzakonshme nga puna e përbashkët me Elfiun, ishte gjakftohtësia dhe vendosmëria e tij për ta çuar çdo nismë deri në fund.

Ai edhe indiferentëve e pesimistëve më të mëdhenj ua kthente besimin, duke u garantuar që pavarësimi i Kosovës, nga Serbia, do të ndodhë patjetër.

Si një segment tjetër jetik të shqiptarëve jashtë atdheut Elfiu,e konsideronte edhe ruajtën e gjuhës dhe kulturës së vendit të origjinës.

Ai, në shtator të vitit 1995,të gjithë prindërve u kishte bërë thirrje që t’i angazhojnë fëmijët e tyre në Shkollën Shqipe të Gjenevës.

Madje, në këtë periudhë kur unë po bëja punën e mësimdhënësit në Shkollën Shqipe të Mësimit Plotësues në “Ecole du Mail “dhe në “Ecole Onex -Parc” të Gjenevës, z.Agushi,pati dhënë shembullin konkret duke i sjellur në shkollën shqipe, tri vajzat e kushëririt të tij të parë Rrustem Agushi.

Në një interval të shkurtër kohor motrat Shqipe, Shkurte dhe Zahide Agushi, jo vetëm që përvetësuan gjuhën e nënës, por u bënë edhe pjesë e programeve tona kulture.

I edukuar në frymën që skamnori dhe hallexhiu duhet ndihmuar në ditë kritike Elfiu, gjatë Luftës së fundit në Kosovë, së bashku me mërgimtarët Miftar Abdullahu, Adem Çerkini, Violeta Reka, Faruk Osmani, Nexhmedin Ilazi, Mirsada Sheshivari, Xhelal Idrizi, Banush Bakolli, Sabedin Fazliu,dhe Muharrem Zymberi, udhëhoqën me mjaft sukses shoqatën bamirëse “Nënë Tereza “të Gjenevës.

Ata, nëpërmjet kësaj shoqate kanë dërguar ndihma të konsiderueshme në ushqime e veshmbathje në Maqedoni, Shqipëri dhe Vuthaj të Plavës dhe Gucisë, për të zbutur sadopak gjendjen e rëndë të të shpërngulurve me dhunë nga Kosova.

Kjo ekip e vyeshme humanitarësh nëpërmjet z.Elfi Agushi, pati dërguar edhe në Sarajevë të Bosnjës dhe Hercegovinës, njëzet e dy tonë barëra, ushqime dhe veshmbathje .

Si dhe kur u takua Elfi Agushi, me guerilasit e parë të UÇK- së

Elfiu, qëkur ishte fëmijë e mbante në zemër pjesën tjetër të Atdheut- Shqipërinë, e Kastriotëve.

Historinë e vërtetë të popullit të tij ai e kishte mësuar nga xhaxhai i tij Agush Agushi, nën autoritetin e të cilit edhe ishte rritur. Elfiu ishte djalë i vetëm i Salih dhe Zymrije Limani Agushi.

Atij ende pa i mbushur tre muaj të plotë çetniko- partizanët serbë ia likuiduan pa gjurmë babain Salihun, së bashku me një grup shokësh nga Drenica.

Pas rënjës së diktaturës dhe komunizmit kursimet e punës së tij të 30 viteve në Zvicër, Elfiu kishte vendosur t’i investoj në Tiranë, në qytetin e ëndrrave të rinisë së tij.

Ai më 1993,në Rrugën e Brigadave blen një lokal afarist me diku 150m2. Meqenëse nuk posedonte shtetësinë shqiptare atë e kalon në pronësi të z.Ismet Hajrullahu.

Fatmir Shefqet Humolli, afarist i njohur nga Lupçi i Poshtëm i Llapit, që ishte edhe pjesë e celulave të para të UÇK- së,këtë lokal e merr me qera nga z. Ismet Hajrullahu.

Me përkeqësimin e gjendjes në Kosovë z.Humolli,këtë objekt afarist e kthen në strehimore të atyre të rinjve që vinin nga Kosova në Shqipëri për armatim.

Këtu deri në zgjidhjen e çështjes së banimit qëndronin edhe ata që ishin të keqtrajtuar dhe të përndjekur nga regjimi fashist i Millosheviqit.

Fatmiri i njohur për korrektësinë çdoherë ishte i përpiktë në kryerjen e detyrimeve ndaj z. Ismet Hajrullahu,të cilin deri vonë e njihte si pronar të vërtetë të objektit.

Ai, ndërkohë,njoftohet edhe me Elfiun me të cilin krijon raporte plotësisht miqësore. Edhe pas 27 vjetëve miqësia e z. Agushi me z. Fatmir Humolli, vazhdon.

Elfiu,me plotë sinqeritet pohon që Fatmirin e konsideron si njërin nga miqtë e tij më të mirë.

Bisedat me te edhe pse emocionuese e bëjnë krenar. Ai, në Fatmirin sheh të gjithë ata djem e ato vajza që i dolën zot Kosovës, në ditët më kritike.

Andaj, vlerësimi i Elfiut, përputhet me pjesën dërrmuese të atyre që e njohin Fatmirin, prej vitesh.

Fatmiri, qëkur ishte nxënës i Shkollës së Mesme, si pjesëmarrës i demonstratave të vitit 1981,qe dënuar me shumë vite burgimi të rëndë nga regjimi komunist i ish- Jugosllavisë.

Pjesë e brumit të kësaj familje të përjetësuar në historinë tonë të lavdishme janë edhe motër e vëlla Ylfete dhe Mentor Humolli, që ranë në altarin e lirisë më 1shkurt 1990,përkatësisht 19 maj 1999 në Betejën e Koshares.

Elfiu,ndihet i nderuar që më 1995 në Tiranë, e kishte takuar edhe themeluesin e celulave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, heroin Zahir Qerim Pajaziti.

Me Elfiun, që ia kushtoi jetën çlirimit të Kosovës, duhet të jetë krenare jo vetëm Anamorava, por e gjithë Kosova!

Idealizmi i tij dhe puna plot rreziqe le të merret model nga ne, dhe brezat e ardhshëm !

ARIF EJUPI

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS