Uji Dea

Ekstradimi në SHBA i kosovarit të dyshuar për vrasje, Hovenier shkruan në X, çfarë dihet për rastin

/ 2 minuta lexim
ZN

Ambasadori Jeff Hovenier, ka shkruar për ekstradimin e kosovarit Ahmet Gashi, 42-vjeç, i cili dyshohet për një vrasje të ndodhur në vitin 2006.

“Javën e kaluar, ne përdorëm Traktatin e Ekstradimit SHBA-Kosovë për të dërguar një të pandehur nga Kosova në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me gjyqin. Ne i vlerësojmë shumë autoritetet kosovare që i ndihmuan qeverisë amerikane në këtë rast. Angazhimi ynë i përbashkët për forcimin e sundimit të ligjit vazhdon t’i bëjë vendet tona më të sigurta”, shkruan Hovenier në “X”, transmeton Express.

Ahmet Gashi i njohur si Ahmet Arifi, 42 vjeç, u arrestua javën e kaluar dhe u dërgua në Shtetet e Bashkuara më 13 dhjetor si i dyshuar për vrasje dhe vrasje paramendim.

Ai doli para gjykatës në Bronks më 16 dhjetor, ndërsa seanca e radhës kundër tij do të zhvillohet më 16 janar 2025.

Gashi dyshohet për vrasjen e Kemal Kolenoviq, një ish-boksier profesionist i peshave të mesme me prejardhje nga Mali i Zi, i cili ishte 28-vjeçar në kohën e vdekjes më 31 dhjetor të vitit 2006.

ZN

Sipas hetimit, më 31 dhjetor 2006, Gashi kishte pasur një mosmarrëveshje dhe një përleshje fizike në restorantin dhe barin Moonlight në Bronks.

Pasi ishte përzënë nga klubi i natës, Gashi e kishte vazhduar fjalosjen me njerëzit jashtë klubit dhe përsëri i ishte kërkuar të largohej.

Gashi, sipas aktakuzës, hipi në veturën e tij të zezë, e tipit SUV, dhe iu vërsul njerëzve në trotuar, duke e goditur Kemal Kolenoviq. Kolenoviq, një kalimtar i pafajshëm, u hodh disa metra larg pasi u godit me veturë dhe më vonë vdiq nga plagët e marra.

Gashi më pas kishte ikur për në Kosovë dhe u ekstradua në SHBA më 13 dhjetor 2024.