Eko Higjiena

Ekspres milionerët!

/ 4 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Enis Veliu – Politikanët po pasurohen çdo ditë e më shumë, e në anën tjetër biznesmenët po varfërohen. Në parim kjo duket shumë paradoksale dhe e pavërtetë, por në realitet po ndodh një gjë e tillë. Si në asnjë vend të botës, politikanët kosovarë janë bërë më të pasur se sa biznesmenët.

Këta të fundit me rroga maksimale deri në 1500 euro kanë ndërtuar shtëpi luksoze, ngasin vetura të shtrenjta, shkollojnë fëmijët në kolegje private, thënë më shkurt bëjnë jetë të shtrenjtë evropiane, në një shtet ku shumica e popullatës jeton sikurse në shtetet e varfra afrikane.

Ndërkaq, në anën tjetër pjesa dërrmuese e biznesmenëve vendorë paguajnë kredi nëpër banka, të cilat i kanë marrë për të zhvilluar biznesin.

Por, nuk janë të vogla rastet kur kredia ka shërbyer si mjet i vetëm për të paguar përqindjen si kusht themelor për të bërë biznes në shtetin tonë.

Ambienti biznesor në Kosovë gjithnjë e më shumë po keqësohet. Kompanitë që dikur kishin primatin për tregti, apo edhe prodhim, tash thuajse janë shuar krejt, e në vend të tyre janë ngritur korporata të fuqishme, ku në to kanë hise politikanët tanë që po e “hanë” shtetin e biznesin.

Për shkak të presioneve që kanë nga politikanet për kërkim të përqindjes në këmbim të kryerjes së punëve, kompani të fuqishme kanë ardhur në vendin tonë me qëllim që të investojnë këtu. Por, ende pa filluar punën, atyre iu janë kërkuar para, e ku më pastaj ata kanë ikur për të bërë biznes në Maqedoni apo edhe Serbi.

Eco Higjiena

Mirëpo, ka të tjera që kanë investuar dhe kanë ikur nga shteti i Kosovës, pasi që përqindja që është kërkuar në emër të ryshfetit ka qenë më e lartë se profiti i planifikuar i kompanisë.
Ryshfeti në Kosovë ka nisur nga 5, por ka shkuar deri në 30 për qind të vlerës së tenderit, apo projektit.

Largimi i investitorëve për shkak të korrupsionit është goditja më e rëndë që i është dhënë shtetit, nga këta politikanët, e që në kushte normale këta marrin para për ta promovuar atë.
Në deklarimet e pasurisë që ata kanë bërë së fundi në Agjencinë Kundër Korrupsionit shihet se një pjesë dërrmuese e tyre kanë pasuri më të madhe se një milion euro.

Madje si për çudi, një pjesë të madhe të pasurisë ata e kanë krijuar në 10 apo edhe pesë vitet e fundit. E nëse bëjmë një kalkulim shumë të thjeshtë, shihet saktë se paratë e marra në dhjetë apo edhe pese vitet e fundit në emër të pagës, në të shumtën e rasteve janë më të vogla njëzet, apo edhe më shumë herë se sa pasuria e krijuar.

Në kushte normale, deklarimi i pasurisë është dashur t’i hyjë në punë prokurorisë, ku kjo e fundit ishte dashur të kërkojë informacione të hollësishme rreth prejardhjes së pasurisë së krijuar, por një gatishmëri dhe vullnet i tillë ka munguar dhe po mungon.

Madje, në disa raste edhe këta të fundit janë futur në “vallen” e politikaneve, ku të gjithë së bashku po përmbysin shtetin e individin.

Nuk janë të vogla rastet kur për çështje inati e rivaliteti, persona të caktuar kanë përfunduar në burg si të dyshuar për krime të ndryshme ekonomike, e ku pas një, apo më shumë viti, drejtësia e ka thënë të kundërtën. Ata janë liruar si të pafajshëm në mungesë të provave.