Uji Dea

Eklipsi i madh (Prozë poetike)

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Stinët po i përplas në këtë natë të gjatë e në ty – Atdhe. Më dhemb stina jote e blertë e gjakosur, në fundin e gotës së zbrazur pi mjerimin tënd, në vend teje puth shpirtin me shpirt e s’paska ku më hollë se në gotën e zbrazur.

Disa kujtime më mbetën në fijet e flokut të thinjur, si një emblemë e pavulosur.

O, nuk paska gjë më pa vlerë se t’i këndosh së kaluarës dhe ta kuptosh se ende ke mbetur endacak i lazdruar netëve që nuk po ikin dot. I mallëngjyer për të kaluarën dhe i etur për të sotmen, ndihem i brengosur për të ardhmen.

Provoj të dehem me gotën e thyer, e etja mbetet varur në bebëzën time si një meteor. Asgjë s’më ka mbetur ta ëndërroj, pos pak shpresë për të ma puthur lotin në faqen time të mplakur dhe pas shtatëdhjetë e shtatë bjeshkëve më duhet të gëlltis pilula pikëllimi.

Uji Dea

Në mua një ftohtësi e venitur tregon se përsëri paskam mbetur i gjallë ndër të vdekur. Si një re në fluturimin e kësaj nate, në trupin tim të lodhur përkundet luhatësja e fatit, duke m’i shkundur kujtimet, në qiririn e derdhur nga flakadani i kohës. Në këtë mesnatë, të pasqyruar nga lotët e syve të mi të lodhur, valëvitet trupi yt i vdekur, përtej këtij eklipsi të madh.

Hëna s’guxon të duket matanë parmakëve të vjetër, se mund të na shohin sytë e botës së marrë, që asnjëherë nuk e ndali vajin e as lotin nuk e thau në sy. Madje, nuk ia kemi parë as atë syrin, ku flenë ëndrrat e mia të ngjyrosura.

Ky portret imi i vogël ka diçka të heshtur, mu në ditën kur i mora udhët e humbura të fëmijërisë.

O jetë, pse më nuk mund t’i gjejmë as ato lule të vyshkura të pafajësisë e as ato cicërima të zogjve, si dikur./rajonipress/