Edison Kelmendi, nga Zvicra në Amerikë
Janë jo pak modeliste dhe modelistë shqiptarë që po ndjekin ëndrrat e tyre në SHBA. Njëri prej tyre është Edison Kelmendi, modelisti zviceran me origjinë shqiptare, i cili së fundi ka vendosur ta lërë Zvicrën për ta sfiduar vetën në botën amerikane të modelizmit.
Modelisti shqiptar është bërë i njohur në fushën e modelimit jo vetëm në Zvicër, por edhe në skenën ndërkombëtare.
Edison Kelmendi ka sfiluar për shumë shtëpi prestigjioze të modës, si “Versace”, GUESS”, “Gassmann”, “La biostethiqua” dhe “Talamonti show”.
Këto ditë ai po qëndron në New York dhe po merr pjesë në javën e modës „Fashion Week“ në New York.
„Fillimisht unë dua të zhvendosem në New York, sepse kam më shumë zhvillime në biznesin e modelimit. Do të vendosem këtu, mirëpo dua të punoj edhe në vende të tjera.
Kam menduar për Amerikën, sepse New Yorku pos që është një qytet i madh, është edhe metropol botëror në botën e modelizmit, gjë që më pëlqen shumë“, tha për albinfo.ch Edison Kelmendi.
Modelisti i njohur shqiptar nuk do ta harrojë Zvicrën, aty ku e nisi karrierën si modelist.
„Zvicra është një vend i vogël dhe nuk ofron shumë mundësi për zhvillimin e modelizmit, por megjithatë mbetet vendi ku kam filluar karrierën“, thotë Edisoni.
Ai po punon me kompani të ndryshme, por ende nuk ka lidhur ndonjë kontratë pune për të ardhmen në New York.
Kelmendi do të jetë vetëm gjatë „Javës së Modës“, e më pas do të kthehet për Zvicër për disa javë, pastaj prapë do t’i kthehet biznesit të modelimit në New York.
„Dua të shoh se sa larg do shkoj në fushën e modelizmit, por është e sigurt që do të vendosem në New York, të jetoj atje dhe të shikoj përpara“, ka vendosur Kelmendi.
22-vjeçari me origjinë nga Gjakova ka raporte të mira miqësore me fotografin shqiptar me famë botërore, Fadil Berisha.
„Nuk kam ndonjë plan me Fadil Berishën. Megjithëse e vlerësoj si një njeri të çmuar, shumë kreativ e me një pasion të madh për fotografinë. Më pëlqen të pozoj për të, sepse pos që jemi miq të mirë, kemi edhe lidhje shumë të mira“, tha Kelmendi.
Edison Kelmendi ka lindur në Gjakovë, por që prej moshës 1-vjeçare jeton në Zvicër. Ai ka jetuar me familje në Cyrih të Zvicrës.
22-vjeçari nga Gjakova udhëton shumë nëpër qendrat më të rëndësishme botërore të modës, ndërsa e ka hobi futbollin, por ka dëshirë të lexojë dhe të dëgjojë muzikë./albinfo.ch/

