Edhe në Gjilan nisë shkolla verore ndërkombëtare

Gjilan – Në ambientet e Kolegjit “Gjilani” në Gjilan, filloi punimet shkolla verore ndërkombëtare, organizuar nga Qendra Kosovare për Diplomaci dhe Bridge Education Abroad Institute nga SHBA-të, ku rreth 50 të rinj nga vende të ndryshme të botës dhe rajonit, për 10 ditë me radhë do të kenë mundësinë të ndjekin ligjërata nga profesorë nga SHBA-të, Hungaria, Ballkani, dhe të ftuar të tjerë nga institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare, etj.
Në ceremoninë e hapjes së kësaj shkolle të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Akademisë Diplomatike të Kosovës, të komunës së Gjilanit, nga shoqëria civile.
Në emër të institucioneve komunale ka folur Veton Nevzadi, drejtor i Drejtorisë për Rini, Kulturë dhe Sport, i cili e konsideroi këtë aktivitet edukativ si shenjë inkurajuese për hapjen e Komunës së Gjilanit dhe Republikës së Kosovës ndaj vlerave ndërkombëtare duke bërë promovimin e duhur të vlerave të qytetarëve të shtetit tonë në mesin e kombeve të qytetëruara të botës.
Themeluesit e Qendrës Kosovare për Diplomaci, Selim Daku dhe Labinot Hajdari, konsiderojnë se përmes kësaj shkolle është arrit të sillen në Kosovë 50 pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës, dhe kjo është një mundësi e mirë që të promovohet shteti i Kosovës, ku secili nga këta padyshim se do të jenë ambasador të Kosovës në vendin prej nga vijnë.
“Qëllimi i themelimit të organizatës sonë është që përmes aktiviteteve të tilla të pasqyrojmë realitetin e krijuar në Kosovë, me qëllim të përmirësimit të imazhit të vendit”, tha Selim Daku.
“Kosova tashmë është në fazën e saj të konsolidimit të imazhit të vet, ku institucionet tona po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të thyer sterotipet që fatkeqësisht akoma vazhdojnë të jenë evidente për Kosovën, prandaj është përgjegjësi e çdonjërit nga ne që përmes aktiviteteve të karakterit të tillë, si shoqëri civile, të përpiqemi të promovojmë shtetin e Kosovës. Pjesëmarrësit tanë janë të rinj të profileve të ndryshme nga studentë të nivelit bachelor deri tek kandidatë për doktoratë, pastaj përfaqësues të organizatave të ndryshme joqeveritare, gazetarë, etj”, u shprehën Daku dhe Hajdari.
Ndërkaq zëvendës presidenti i BEA Institute, Ben Doherty u shpreh tejet i kënaqur që në bashkëpunim me KCD-në dhe Kolegjin’’Gjilani’’, në Gjilan, është organizuar një program i tillë, ku të rinj nga shtete të ndryshme janë mbledhur në Kosovë për të ndjekur ligjërata nga profesor ndërkombëtar dhe vendor, ku me këtë rast do të kenë mundësi edhe të vizitojnë dhe ta njohin nga afër realitetin e krijuar në Kosovë, gjithashtu të vizitojnë bukuritë që ka Kosova. Padyshim se kjo është edhe një mundësi e mirë që të gjithë së bashku të bëjnë më të mirën për shtetin e ri të Kosovës.
Kjo shkollë verore, e cila është mbështetur edhe nga kryetari i komunës së Gjilanit, Qemaj Mustafa, do të zgjatë deri me 19 korrik, ndërkaq është e paraparë që brenda kësaj periudhe të vizitohen edhe institucione të Kosovës, gjithashtu monumente historike dhe kulturore./rajonipress/