Edhe Gjeneva rrjetëzon juristët shqiptarë

/ 6 minuta lexim
Fundamenti

Detyra e udhëheqësit të këtij asociacioni në Gjenevë iu besua avokatit nga Llozana Jeton Kryeziut. Ideatorë i krijimit të Lidhjes së Juristëve Shqiptarë në mërgatë është Ministria e Diasporës së Republikës së Kosovës.

Me këtë projekt synohet identifikimi i të gjithë specialistëve shqiptarë në fushën e Jurisprudencës. Deri me tani të ashtuquajturat rrjetëzime të juristëve shqiptarë janë krijuar në: Gjermani, Suedi, Austri dhe Zvicër.

Kur jemi në Zvicër duhet theksuar se gjatë këtij vikendi tri qendrat më të rëndësishme të këtij vendi Cyrihi, Berna dhe Gjeneva, kanë nisur me rrjetëzimin e juristëve shqiptarë të mërgatës.

Një takim jashtëzakonisht i përzemërt me paraqitje idesh dhe propozimesh tejet interesante është zhvilluar mbrëmë në ambientet e konsullatës së përgjithshme të Republikës së Kosovës në Gjenevë.

Të pranishmit i ka përshëndetur me mirëseardhje konsulli i përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Gjenevë, Ramadan Avdiu.

Ai padashur të përzihet në procesin zgjedhor të formimit të këtij rrjeti të juristëve ka sugjeruar që në krye të tij të vendosën njerëz të dëshmuar në punë.

Gjithashtu Avdiu ka premtuar se çdoherë objektet e konsullatës do të jenë në shërbim të këtyre të rinjve të cilët me punën e tyre janë bërë faktorë i rëndësishëm në Gjenevë e kantone të tjera të Zvicrës.

Pastaj qëllimin e krijimit të këtyre rrjetëzimeve e ka shtjelluar deri në detaje Mentor Borovci, zyrtar i lartë në Ministrinë e Diasporës së Republikës së Kosovës, njëherësh edhe kryeprotagonist i këtij projekti.

Më pas Borovcin e ka plotësuar edhe Shyhrete Gosalci zyrtare ligjore në Ministrinë e Diasporës.

Ajo ka paraparë si të domosdoshme nevojën e bashkëpunimit dhe koordinimin e punëve ndërmjet këtij rrjeti të porsa organizuar me institucionet e Kosovës, në mënyrë që përvojat e fituara nga fusha e gjyqësorit dhe sistemit të perfeksionuar të shtetit zviceran të barten edhe në organizmat shtetëror të Kosovës.

E veçanta e këtij takimi kanë qenë të rinjtë shqiptarë të specializuar në të gjitha modulet e Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Gjenevës dhe atij të LLozanës.

Përshtypje se këtë profesion e kanë të zemrës me diskutimet e tyre kanë lënë Enis Daci pronar i një Zyre ligjore në Gjenevë.

Ai ka shprehur gatishmërinë që për bashkatdhetarët e tij të ndajë dy ditë pune gjatë muajit duke u dhënë këshilla dhe ndihmë falas në sferën e problemit të banimit dhe të çështjeve të tjera të cilat i përkasin fushës së drejtësisë.

Ndërkaq Ilir Muji ekspert i të Drejtës Penale iden për krijimin e rrjeteve juridike e ka cilësuar si të qëlluar.

Muji edhe pse i ri në moshë gëzon respekt tek të gjithë sepse punën e juristit e bënë me shumë dëshirë.

Ai asnjëherë nuk mendon në përfitime materiale. Për Muji parësore është ndarja e drejtësisë në përputhje me ligjet dhe normat e shtetit zviceran.

Uji Dea

Çdo veprim ndryshe sipas Muji i favorizon të këqijtë dhe dëmton të mirët më çka drejtësia ngelet pakurrfarë domethënie.

Ai konkretizimin e këtij rrjeti e sheh vetëm në bashkëpunim të mirëfilltë më organizmat relevant të Republikës së Kosovës.

Me ide e sugjerime pozitive është dalluar edhe e reja Jehona Osdautaj me origjinë nga Isniqi i Deçanit.

Osdautaj ka përfunduar në afat studimet e shkallës Master në Universitetin e Llozanës.

Ajo ka elaboruar shkeljet drastike të klasës punëtore në Kosovë.

Këtë fushë e ka konsideruar si fushë me probleme të shumta që donë zgjidhje të ngutshme. Më pas ajo ka thënë nëse na lejohet qasje serioze në zgjidhjen e këtyre problemeve kontributi ynë nuk do të mungojë.

Ndërkomunikimet me juristët nga Kosova duhet të fillojnë sa më parë. Ato fillimisht duhet të nisin me organizim të tryezave pastaj hap pas hapi të shkohet me zbatim të ligjeve që sigurojnë mbrojtjen e punëtorëve në punë ka thënë në fund të fjalës së saj Zonja Osdautaj.

Juristja me eksperiencë Linda Rexhaj e diplomuar në Universitetin e Zagrebit njohurit e saj të fituara në këtë vend i ka thelluar duke bërë studime shtesë në Universitetin e Gjenevës.

Ajo mendon se gjyqësori është një nga problemet kyçe të një vendi. Rexhaj thotë që krijimi i shteteve të reja si Kosova kanë vështirësi në aplikimin e ligjeve të cilat garantojnë stabilitet dhe siguri për qytetarët. “Kjo arrihet vetëm me qëndrim të paanshëm ndaj problemeve të manifestuara”, tha Rexhaj.

“Mospërfillja e ligjeve dhe favorizimet me symbyllje para problemeve janë kancerogjene për çdo shoqëri”, tha Linda Rexhaj , juriste pranë një këshillimoreje juridike në Gjenevë.

Vërejtje dhe sugjerime rreth kësaj platforme ka paraqitur edhe avokati nga Llozana Jeton Kryeziu.

“krijimi i këtyre rrjeteve duhet të jetë me ndikim në vendimmarrje. Në të kundërtën edhe iniciuesit e projektit dhe anëtarësia e këtyre rrjetëzimeve do të jenë të komprimituara”, thotë Kryeziu.

Si rast më të freskët Kryeziu theksoi shfaqjen e problemit me të ashtuquajturin Karton i Gjelbër, ku mërgimtarët janë viktimë e mosmarrëveshjeve rreth kësaj çështje.

Pas diskutimeve dhe analizave u bë zgjedhja e koordinatorit dhe kryesisë së rrjetit të juristëve shqiptarë të Gjenevës.

Detyra e udhëheqësit të këtij asociacioni iu besua avokatit nga Llozana Jeton Kryeziu, i cili me përkushtimin e tij në punë gëzon kredibilitet të madh te komuniteti shqiptarë e zviceranë. Kurse anëtarë të Kryesisë u zgjodhën: Jehona Osdautaj, Linda Rexhaj,Dalmat Pira dhe Ismet Kurteshi.

Një rreze shprese që ky projekt nuk do të mbetet vetëm në letër është serioziteti dhe dëshira e këtyre të rinjve që të gjitha dijet e fituara në Zvicër t’i bartin në Kosovë, në vendin prej nga edhe kanë prejardhjen./albinfo/