“Ecohigjiena” largon qindra kamion me mbeturina në kuadër të ruajtjes së mjedisit
Gjilan – Senad Ramaj drejtor ekzekutiv në “Ecohigjiena” tha se është arritur të largohen qindra kamion mbeturina nga mjediset e ndryshme të Gjilanit, si punë vullnetare e humane e kësaj kompanie.
Para disa ditësh është organizuar një tryezë e cila qëllim primar kishte koordinimin ndërinstitucional për parandalimin, hetimin dhe ndëshkimin e veprave penale që lidhen me mbrojtjen e mjedisit, duke theksuar krijimin e një mekanizmi efektiv, i cili jo vetëm ndëshkon shkeljet, por edhe promovon mbrojtjen e pasurive natyrore dhe kulturore.
Në këtë drejtim kompania “Ecohigjiena” ka reaguar e para, duke larguar mbi 500 kamion mbeturina nga vende të ndryshme të Gjilanit.
Senad Ramaj nga “Ecohigjiena” thotë se ky aksion ishte kryesisht vullnetar, si pjesë e obligimeve që janë marrë nga takimi i fundit me organet kompetente në mbrojtjen e mjedisit, kafshëve, bimëve dhe monumenteve kulturore.
“Ecohigjiena” do të përkrah çdo aksion që lidhet me ruajtjen e ambientit dhe mjedisit më të pastër dhe do të jemi përherë avangardë e iniciativave të tilla sepse vetëm në këtë mënyrë mund të kujdesemi për qytetin dhe ambientet e pastra që posedon Gjilani. Vetëdijesimi i qytetarëve mbetet pika kryesore për të eliminuar deponi të ndryshme të bërllogut e mbeturinave” tha Ramaj./rajonipress/