Eko Higjiena

E premtja e zezë e PDK-së

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Nga Berat Buzhala – E premte ishte nata kur u përballën në RTK kandidati i LDK’së për Kryetar të Prishtinës dhe ai i Vetëvendosjes. Për Kryetarin dhe Zëvendëskryetarin e PDK’së do të ketë qenë pilim e hidhur ajo natë. Po ngjasonte si një debat i Isës dhe Shpendit për pozitën e Kryeministrit të vendit. Sepse gara për Kryeqytet ta jep atë ndjesi, gjë që nuk ta jep Prizreni, Gjilani, Ferizaj, e sidomos jo Klina a Kamenica.

Problemi i Partisë Demokratike të Kosovës gjatë këtyre zgjedhjeve nuk është tek humbja e ndonjë komune nëpër Kosovë, por tek humbja e vendit të dytë në disa komuna. E sidomos tek konfirmimi i vendit të tretë për të dytën herë radhazi në Kryeqytetin e vendit.

Para kësaj here PDK’në e kishte spostuar në vendin e tretë Aleanca Kosova e Re. Kurse ketë herë bindshëm në vendin e dytë doli Lëvizja Vetëvendosja, duke e ngujuar partinë time në diku 10 mijë vota në total. Paramendojeni kur herën e fundit ishin mbajtur zgjedhjet lokale Lëvizja Vetëvendosja nuk ka qenë fare e pranishme në skenën politike. Katër vjet më vonë kjo lëvizje – qëndrimet e mija për të nuk po bësoj se tashmë janë të panjohura – mu në Prishtinë u bë forca e dytë politike.

Prapë PDK në vendin e tretë, duke e pasur madje më afër më vota vendin e katërt dhe të pestë se sa vendin e dytë dhe të parë. Po të flisnim për ligë të sportit do të mund të thoshim se PDK në Kryeqytet gjendet në pjesën e poshtme të tabelës. Me tendencë për të rënë nga liga, nëse rezultatet nuk përmirësohen. E të njëjtat nuk do të përmirësohen nëse edhe më tutje “kuaj të kryesor të garës” janë Lirak Celaj, Shemsi Veseli and CO, e duke i vënë si mashtrim optik, pra si karrem për votuesin Memla, Bleranda, Petrita, Vlora e më the e të thash.

Kurse për ta bërë çorbën edhe më të pakapërdishme mendjet e ndritura të partisë në pamundësi për të gjetur një konsesus brenda këtyre dy fraksioneve, apo mendësive, dalin edhe e marrin me qira një kandidat prej jashtë partisë, para katër vjetësh filozofin Astrit Salihun, e tash gjeneralin Agim Ceku.

UBT

E për rezultatet e arritura vetëm mund të qeshemi, disa prej nesh nga marazi, e disa të tjerë nga kënaqësia. Pak ka rëndësi motivi i të qeshurës. E rëndësishme është se si Partia më e madhe në vend po tkurret drejt margjinave në qytetin kryesor të vendit. Pa dashur të shpërndajë ndonjë pesimizëm për rezultatin e raundit të dytë të Prizrenit që do të mbahet me 1 dhjetor, por megjithatë edhe nëse fitohet Prizreni, ai Prishtinë nuk bëhet.

Ai është vetëm një ngushllim për Prishtinën. Edhe pse tek ka ardhur puna që Hashim Thaci t’i nënshtrohet Zafir Berishës, sec e kam një parandjenjë jo të mirë për plakun Ramada’ Muja, që më shumë kohë është duke kaluar nëpër gjyqe se sa në vendin për të cilin paguhet. Mirëpo le t’i kthehemi edhe njëherë kësaj plagës prej ku po rrjedh gjak tash e disa vite më radhë, Prishtinës. Nuk është më sekret të thuhet se kur me vullnetin supër të mirë Kryeministri Thaci e pati shtyrë filozofin Salihu që t’i dilte përballë armës më të fortë të LDK’së, Isa Mustafës, i cili atëherë ishte edhe më i fortë se sa është tash. Salihu, i ardhur prej komplet jashtë strukturave partiake, ndonëse e kishte korrur një humbje bukur të thellë, megjithatë e pati bërë një paraqitje – për mendimin tim – të jashtëzakonshme. Salihu në anën tjetër thuhej se ishte sabotuar me krejt fuqinë e tyre prej Ramadan Avdiut, atëbotë kryetar dege i PDK’së, Lirak Celajt, Shemsi Veselajt etj., etj..

Përkundër këtij sabotimi Salihaj i kishte marrë afër 10 mijë vota. Kurse me 3 nëntor, Agim Ceku, nga pozita e ministrit, nga pozita e ish shefit të UCK’së, nga pozita e mikut personal të zv.kryetarit të Partisë, z. Kadri Veseli dhe se fundmi – mirëpo jo më e parëndësishmja – duke e pasur cdo të dytën ditë të fushatës në krah Kryeministrin Hashim Thaci – arriti ti marrë saktësisht aq vota sa i kishte marrë filozofi Salihu, i cili kishte lënguar prej mungesës totale të mbështetjes. I ishtë lënë si përforcim një filozof tjetër, Blerim Latifi.

Se udhëheqësit e Partisë Demokratike të Kosovës ka vite që politikën e bëjnë mbi baza taktike, por që moti nuk kanë kurrfarë strategjie, kjo nuk ka asnjë dilemë. Më lejoni ta ripërsëris edhe njëherë faktin se para katër vitesh Vetëvendosja nuk kishte kurrfarë strukture partiake e sot është forca e dytë politike në Kryeqytet. Kurse PDK ndonëse iu nënshtrua intrigave të strukturave të lashta të partisë, nuk arriti të shkonte më larg me vota se sa kur në krye e kishte të papërkdhelurin Salihu.

Kryetari dhe zëvendëskryetari, në vend se të ndëshkonin sabotatorët, si Avdiu, Cela e Veseli – që degën e mbajnë peng ç’prej themelimit të saj – iu nënshtruan sabotazhit të tyre, e madje i shpërblyen, duke e instaluar Celajn si Kryetar dege në vendin më strategjik të mundshëm për një subjekt politik, në Prishtinë. Sigurisht që për Kryetarin dhe Zëvendëskryetarin do të ketë qenë pilim e hidhur nata kur në RTK po përballej LDK me VV. Isa Mustafa dhe Shpend Ahmeti po ngjasonin sikur po luftonin për pozitën e Kryeministrit të vendit. Sepse gara për Kryeqytet ta jep atë ndjesi, gjë që nuk ta jep Prizreni, Gjilani, Ferizaji, e aq më pak Klina a Kamenica. (Vijon: Cila është rruga për të dalur prej izolimit në Prishtinë)