Mobi Casa

Dy momente të Ramës

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Nga Imer Mushkolaj – Pse janë të rëndësishme premtimi i Edi Ramës për ndihmë institucionale nga Shqipëria Festivalit DokuFest dhe emërimi i Shkëlzen Maliqit këshilltar i tij për çështje rajonale?

Edi Rama mund të mos tingëllojë patriot si Sali Berisha kur flet për Kosovën, por kjo nuk do të thotë se ai nuk ka filluar praktikisht të ndërmarrë veprime, të cilat përmirësojnë komunikimin ndërmjet dy vendeve.

Vizita e tij në Prizren pa pompozitet e fanfare, premtimi për ndihmë institucionale festivalit DokuFest, si dhe premtimi për një kalendar të përbashkët vjetor ngjarjesh kulturore ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, shënojnë një moment të ri të marrëdhënieve ndërshqiptare në këtë fushë.

Ndërkaq, një moment tjetër të rëndësishëm shënon edhe emërimi i Shkëlzen Maliqit këshilltar i Ramës për çështje rajonale.

Festivali DokuFest është ngjarja më e madhe kulturore shqiptare, ngjarje që kalon kufijtë edhe të rajonit. Si i tillë, ai është dashur që moti të ketë përkrahjen e premtuar tash nga Rama dhe, gjithsesi, përkrahje shumë më të madhe nga Qeveria e Kosovës. Të mos flasim për Komunën e Prizrenit, udhëheqësit e së cilës duket se ende nuk e kanë kuptuar apo nuk duan ta kuptojnë se çfarë do të thotë që një ngjarje si DokuFest’i të organizohet në qytetin e tyre.

Ndërkaq, me premtimin për krijimin e një kalendari të përbashkët ngjarjesh kulturore ndërmjet dy shteteve, Rama nuk bëri gjë tjetër veçse paralajmëroi realizimin e një projekti që është dashur të ndodhë moti – duke mos e lënë integrimin kulturor në duar të klaneve të ndryshme, madje edhe matrapazëve kulturorë të cilët, në emër të njëfarë bashkimi kulturor, më shumë kanë përfituar vetë sesa qytetarët andej e këndej kufirit.

Ata që mund të kenë rezerva apo mund të jenë kundër këtij projekti, mund ta bëjnë këtë vetëm për arsye fort joracionale. Është ndryshe që bashkëpunimi kulturor të improvizohet e të provohet së realizuari ad hoc, e ndryshe kur gjithçka vihet në rrafshin praktik, institucional e ndërshtetëror. Mbetet të shihen potezat e ardhshëm të Ramës në këtë drejtim.

* * *

Kam lexuar e ç’nuk kam lexuar ditëve të fundit për emërimin e Shkëlzen Maliqit këshilltar i Edi Ramës. Shumica absolute e atyre që kanë shkruar e komentuar nuk janë marrë me veprimin e Ramës, sa janë marrë me personin dhe personalitetin e Maliqit. Për më tepër, me babanë e tij.

Akuza dhe cilësime ndër më banalet janë thënë e vazhdojnë të thuhen e shkruhen për Maliqin, duke e lënë në hije aktin e emërimit të tij.

Uji Dea

Por, përtej retorikës së thatë dhe aspak racionale që ka përcjellë këtë vendim të Ramës, zgjedhja e Maliqit për këshilltar duhet parë si një moment i veçantë në mënyrën e të bërit politikë të kryeministrit të ri shqiptar dhe raportin e tij me Kosovën.

Rama mbase do të mund të kishte zgjedhur dikë tjetër në vend të Maliqit. Por kushdo që do të ishte ai, emri dhe as personaliteti i tij assesi nuk do duhej të bëheshin më të rëndësishëm sesa ideja dhe akti për emërimin e dikujt nga Kosova në postin e këshilltarit, respektivisht përfshirjen e dikujt në vendimmarrje dhe konsulencë brenda qeverisë shqiptare.

Sali Berisha, gjatë tetë vjetëve në pushtet, ka mundur fare lehtë që ndonjë personalitet kosovar të dashur për të ta zyrtarizojë diku në kabinet. Por, duket se më të udhës e ka parë që kosovarët t’i ekzaltojë me retorikën e tij folkloriko/patriotike, ndërkaq për këshilltarë joformalë të zgjedh të tjerë – joshqiptarë.

Maliqi filozof, publicist dhe aktivist i njohur mund të mos jetë i pëlqyer nga shumëkush, për një a tjetër arsye. Ta zëmë, dikush mund të mos pajtohet me zgjedhjen e tij të mbështetjes së një opsioni politik ose me analizat e tij. Dikush edhe mund t’ia zër për të madhe ndonjë veprim të tij. Por, të paktën, askush nuk mund t’ia mohojë, siç e tha një koleg imi në Facebook, angazhimin në kultivimin e mendimit filozofik, politik dhe kulturor në hapësirën tonë kaq të varfër. As përvojën politike e civile dhe angazhimin intelektual.

* * *

Sali Berisha nuk ka preferuar të ndërmarrë veprime konkrete, si këto të Ramës, në funksion të afrimit dhe integrimit kulturor ose politik ndërshqiptar. Por, duket se ditët e mbrama në pushtet do t’i shfrytëzojë për t’ia plotësuar një dëshirë të fundit Lidhjes Demokratike të Kosovës. Zyrtarë të Forumit Rinor të kësaj partie e vizituan në Tiranë dhe kërkuan nga ai ndihmë që Shqipëria t’i nderojë me dekorata “13 personalitete të shquara, bashkëmendimtarë dhe bashkëpunëtorë të ngushtë të presidentit historik të Republikës së Kosovës Ibrahim Rugova”.

Ashtu siç për vite me radhë marrëdhëniet me Kosovën dhe kosovarët i ka ndërtuar mbi metafora e simbolika folklorike, ashtu duket se edhe do ta përfundojë pushtetin e tij – duke intervenuar për dhënie dekoratash.

E di, Edi Ramës do të vazhdojë shumëkush t’ia zë për të madhe pse Goran Bregovic’it ia dha Çelësin e Tiranës. Ai edhe do të vazhdojë të kritikohet e sulmohet. Por, ai e ka shansin që të dëshmojë se raportet me Kosovën dhe kosovarët nuk duhet të mbeten peng i atij veprimi, por ato duhet ndërtuar me veprime konkrete që nuk tregojnë servilizëm e klientelizëm, por realizëm dhe normalitet.

Rama e ka rastin të tregohet, në radhë të parë, normal në raport me Kosovën. Momentet si këto e bëjnë të tillë.