Eko Higjiena

Dujaka promovoi librin “Deja vu”

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Gazetari Esad Dujaka, ka deklaruar se gazeta “Rilindja”, ka folur shqip dhe në këtë gjuhë edhe frymoi, ku në kohët më të vështira nëpër të cilën po kalonte populli shqiptarë i Kosovës, dëshmoi së është pjesë e pandarë e saj.

Ata të cilët dinë të shkruajnë dhe kanë çfarë të thonë për gazetën “Rilindja”, mos të hezitojnë që të tregojnë sepse është koha e fundit që të rinjtë duhet të dinë rreth historikut të kësaj gazete, ka qenë një ndër apelet e doajenit të gazetarisë shqiptare në Kosovë, Esad Dujaka i cili në praninë e miqve dhe dashamirëve të shkrimeve të tij, ka promovuar të mërkurën në mesditë librin “Deja vu”, kushtuar gjashtëdhjetë e nëntë vjetorit të gazetës “Rilindja”.

Autori Dujaka ka përzgjedhur shkrimet dhe intervistat në mënyrë kronologjike duke bërë përpjekje për të ruajtur ato shkrime të kohës që pasqyrojnë zhvillimin shoqëroro-politik nëpër të cilën kishte kaluar vite më parë Kosova.

Gazetari Esad Dujaka, ka deklaruar se gazeta “Rilindja”, ka folur shqip dhe në këtë gjuhë edhe frymoi, ku në kohët më të vështira nëpër të cilën po kalonte populli shqiptarë i Kosovës, dëshmoi së është pjesë e pandarë e saj.

“Gazeta “Rilindja” është pjesë e pashlyeshme e shqiptarëve. Njëkohësisht kjo gazetë ishte edhe abetare e popullit shqiptar në Kosovë. Pikërisht në këtë datë para gjashtëdhjetë e nëntë vitesh në Prizrenin legjendar iu dha emri gazetës “Rilindja”, nga i madhi shkrimtar Esad Mekuli. U bëj apel të gjithë atyre të cilët po përçahen me etiketime të ndryshme se le t’ia lënë kohës dhe historisë që ta dëshmoj se kush ishin në fakt personalitetet e njohura të kombit tonë”, ka thënë Dujaka, i cili më pas shtoi se botimit të këtij libri i ka hyrë krejt rastësisht me “fajin” e mikut të tij Njazi Ejupit.

KKVITI

“Ai më tha se përse nuk i mbledh shkrimet tua për t’i bërë bashkë në një libër, mirëpo përgjigja ime ndaj pyetjes së tij ishte se kjo kërkon mund të madh dhe kohë. Mirëpo ishte bukur vështirë që të mblidhen gjithë ato shkrime dhe më pas të seleksionohen për botim. Për këtë e falënderoj edhe Ramë Manajn i cili më mundësoi që t’i qasem arkivave të shkrimeve të cilat ruhen në arkivat shtetërore”, tha Dujaka.

Nga ana tjetër, recensenti i librit “Deja vu”, Ruzhdi Panxha, ka thënë se autori Dujaka zgjodhi këtë datë simbolike për të botuar shkrimet autoriale të tij në “Rilindja”, “Zëri i Kosovës ”, “Kosova sot”, që të jepet një tablo më pasqyruese mbi jetën dhe mënyrën e të menduarit e shoqërisë për të ngritur dhe mbajtur sa më lartë idealet dhe pasionet për një të ardhme të ndritshme.
“Lirisht sot mund të themi se me guxim dhe largpamësi e përkushtim u trajtuan çështjet më të ndjeshme të kohës dhe vështirësive të cilët i kaloi populli shqiptar i Kosovës në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë, që u trajtuan në shkrimet e zotëri Dujakës dhe po ashtu të brezit të tij. Në këtë përvjetor duhet të kujtojmë peshën dhe rëndësinë e botimit të gazetës “Rilindja”, ku mund të thuhet se ishte dritare e fuqishme për të gjithë shqiptarët e ish-Jugosllavisë, e të mendohet se a ka mbetur forcë që të rikthejë fuqishëm si dikur këtë zë që shumë breza u rritën për një kohë të gjatë”, tha Panxha.

Kurse, Nijazi Tafilaj nga shtëpia botuese “Jalifat Publishing”, ka thënë se ende më shumë duhet të shkruhen libra për sa i përket historikut të gazëtës “Rilindja”
“Kam kënaqësi të veçantë që gjendem në mesin e doajenëve të gazetarëve të gazetës “Rilindja”. Dhashtë Zoti që këso promovime të kemi sa më shumë”, ka theksuar ai.
Ky libër që përmban gjithsejtë 152 faqe të ndara në tri pjesë sipas periudhave kohore kur u shkruan gjatë viteve sa ishte duke punuar Dujaka si gazetar në gazetën “Rilindja”, u tha se është fryt i bashkëpunimit me shtëpinë botuese “Jalifat Publishing” kurse ky libër është shtypur në shtypshkronjën Prograg në Prishtinë.

Esad Dujaka, u lind më 15 qershor 1945 në Gjakovë. Gjatë karrierës 45 vjeçare në gazetari, punoi në revistën javore “Zëri i Rinisë”, Televizionin e Prishtinës, “Rilindja”, “Bujku”, “Kosova Sot” dhe në RTV 21. Ky është libri i tij i dytë, në të cilin janë përfshirë shkrimet më të zgjedhura që kanë një kontinuitet për nga përmbajtja për gjatë 45 vjetëve aktive të këtij autori në gazetari./KultPlus.com/