Dugolli rizgjidhet dekan i Filozofikut

Universiteti i Prishtinës (UP) “Hasan Prishtina” ka nisur zgjedhjet për dekanë. Të hënën në tri fakultete të këtij Universiteti janë mbajtur zgjedhje, ndërsa janë zgjedhur tre dekanë të rinj: But Dedaj në Ekonomik, Enver Hamiti në Fakultetin e Energjisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK), si dhe në Fakultetin Filozofik sërish ka fituar për një mandat, dekani aktual Bujar Dugolli.
Sekretari i përgjithshëm i UP-së, Esat Kelmendi, ka thënë për “Zërin” se zgjedhjet janë mbajtur gjatë ditës së hënë në Fakultetin Ekonomik, Fakultetin e Energjisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK) si dhe në Fakultetin Filozofik. “Në Fakultetin Ekonomik ka fituar profesori But Dedaj me gjithsej 23 vota. Ndërsa kundërkandidati i tij Rrustem Asllanaj ka marrë vetëm 17 vota”, ka thënë Kelmendi për gazetën.
Në FIEK votat për dekan i ka marrë Enver Hamiti gjithsej 25 vota nga 29 votues sa ishin prezentë nga stafi i këtij fakulteti. Kelmendi tha se Hamiti nuk ka pasur kundërkandidat. Ndërsa në Fakultetin Filozofik ka fituar dhe një mandat dekani Bujar Dugolli. Dugolli ka fituar me 23 vota në raport me kundërkandidaten Hasnije Ilazi që ka marrë vetëm 10 vota.
Të martën në UP, Kelmendi ka bërë të ditur se do të mbahen zgjedhjet në gjashtë fakultete; Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore (FSHMN), Fakultetin e Filologjisë, në Juridik, Ndërtimtari dhe Arkitekturë, Mjekësi dhe në Arte. E të mërkurën Kelmendi ka thënë se zgjedhjet do të mbahen në Fakultetin e Makinerisë, Bujqësisë, Sporteve si dhe në Edukim. Ai ka thënë se procesi zgjedhor po vazhdohet dhe se deri më tani nuk është evidentuar ndonjë shkelje./zeri/