Dromca nga ditari i zhubravitur: Si e përjetoi diplomati amerikan ndalimin e Shfaqjes “Krushqit janë të ngrirë” të Ismail Kadaresë

Nga Sabri Beqiri – Dhe më foli me admirim për veprën e Kadarësë. Ja ku është “Gjenerali… dhe vuri pëllëmbën e dorës mbi kopertinën. Ishte hera e parë që po flisnim jashtë “protokollit” dhe pa asnjë ngurrim. Edhe kjo ishte në kuadër të punës që bënim bashkërisht për mësimdhënie e mësimnxënie të gjuhës shqipe Tash ishte e vdekur ushtria okupuese serbe ndërsa gjeneralët e saj kishin nënshkruar kapitullimin në Kumanovë. Gati – Gati si te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Ismail Kadaresë. Profecia e Peter A. Prahar ishte sendërtuar.
Në vitin 1993 në një Shtëpi private, rruga e parë përtej Shkallëve në Dragodan (tash Arbëria) qe vendosur Zyra e Misionit të OSBE-së. Një miku im më thotë një mbrëmje të vonë : të shihemi neser, kam nja dy llafe me Ty.
- Me ferkun e parë nisëm për Gllobocicë a Tetovë. Ti e di që maxhen e kam thatë. E që ma pejdah një thes miell, po, kisha dal.
– Për bukë s’ka vdek kush.Dil ! Të pres në orën nëntë. Është me rëndësi!
-U tha u bë, ia ktheva përgjigjen si premtim e zotim.
Thënë shkurt e shqip u bëra mësimdhënës vullnetar i Gjuhës shqipe për diplomatin amerikan Peter A. Prahar. Të gjitha i kishte kontraktuar, pa asnjë autorizim timin as gojor as shkrimor Xhemajl Ahmeti.
-Paskeni marrë vendim si në kohët e Kanunit të Lekë Dukagjinit?!, ua thashë të dyve. Një buzagaz i shqiti mikpritësit më shumë njerzillëk. - Pas një ndeje të shkurtër, ishte më shumë njohje e ndërsjellë, u morëm vesh për orarin e punës, ndonjë tekst a literature, si mjet pune, që do të na ndihmonte në përvetësimin e shqipes e që Amerikani u pajtua, aty për aty, pa asnjë mëdyshje. ..
-Të gjitha mi ka thënë Xhimi. Dua sa më shumë të aftësohem për komunikim shqip. Pak, fare pak gramatikë, se diçka kam mësuar në Amerikë, qe kërkesa e parë dhe e vetme e Tij.
Në një zyrë fare të vogël, mbi tryezen e punës shihej dallueshëm , përballë një dyzine materialesh, romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Ismail Kadaresë. Ishte botimi i Rilindjes i vitit 1973. - E ka si Bibel, më pati thanë ndërkohë Xhema. Për aq kohë sa punuam me Z. Peter A. Prahar-in, kryesisht mbas orarit të tij të rregullt të obligimeve ditore, nga Ai ndëgjova vetëm lajme për kronikë të zezë, përjetime të zymta, ballafaqime të rënda, trishtuese nga ato që ai i shihte nga afër në terren. Misioni i tij si diplomat amerikan pranë OSBE-së kishte të bëjë me të drejtat e njerit e që në Kosovë po nëpërkëmbeshin brutalisht nga regjimi i Millosheviqit. Krejt çka Prahari interesohej dhe priste nga unë ishte të mësojë gjuhën që të mund të komunikonte shqip me njrëz që përjetonin dhunë në të katër anët e Kosovës.
Një ditë u kthye me nxitim, ishte vonuar paksa ndërsa I vinte keq që e prita më gjatë se që e kishim orarin e punës. - Më kanë dëshpëruar këta kolegët tuaj të Rilindjes…!
-Pse? – Sepse nuk kanë ruajtur botimet e gazetës, Shume muaj e vite po mungojnë. Po e kam të vështirë me mbrojt diçka që nuk ekziston… Nuk e kanë ruajtur një pjesë të historisë së Kosovës. Tha shumë gjëra me dëshpërim që është e pa denjë t’i rëndis në hollësi, sot e këtu.
I përmendi shumë e shumë emra veprimatarësh të Këshillit (KMLDNJ-së) por u shfaq shumë i rrëmbyeshëm me vërejtje e kritika. Po shpërthente njeriu që punonte me përkushtim dhe shprehej pa asnjë ngurrim. Sakaq ndalej, dhe i thosha: mirë po e përvetëson shqipen… - Po e mësoj e kuptoj dita – ditës edhe mentalitetin e shqiptarëve.
Një pasdite kur po kaloja përskaj trotuarit, afër ish- Gërmisë, po shihja panon e njoftimeve të Teatrit kombëtar…..Si në vegim më fanepsej diçka e pabesueshme dhe ndërsa fërkoja sytë lexova: Jepet shfaqja “Krushqit janë të ngrirë” e Ismail Kadaresë. Fill ngjitem të blej dy bileta. Më thotë njëri që vërtitej aty koti fare; duhet të presësh! Sapo doli arkatari.
Kur mbërrita në Dragodan i them Peterit:
-Nëse kemi fat do të shkojmë në Teatër, dita , ora është kjo. A jemi dakord se mund të të dal ndonjë pengesë gjatë punëve tuaja orar e pa orar?!. - Posi ! Me kënaqësi. Dhe më foli me admirim për veprën e Kadaresë. Ja ku është “Gjenerali… dhe vuri pëllëmbën e dorës mbi kopertinën. Ishte hera e parë që po flisnim jashtë “protokollit” dhe pa asnjë ngurrim. Edhe kjo ishte në kuadër të punës që bënim bashkërisht për mësimdhënie e mësimnxënie të shqipes
- E admiroj shumë, tha Peteri. Si shumë herë po fillonim bashkëbisedimin, dialogë të shkurtër, një përshkrim të ndonjë ngjarjeje, mbresa rasti, gjëra themelore por dita – ditës duke thelluar e pasuruar fjalësin e shqipes.
Peter Prahari kishte intersim të madh të përvetësojë shqipen aq sa mos të varet nga përkthyesi.
– U shfaq i gëzuar madje u ngazëllye që e pamë Dramatizimin e romanit “Krushqit janë të ngrirë” të Kadaresë.
– Ndoshta do të ketë rezultat misioni Juaj Z Prahar.
-Arsimi dhe kultura janë të parat që i ka goditur për vdekje regjim i Millosheviqit, i thashë.
Pas dy – tri ditësh, nuk kaloi as java, shpërtheu skandali. U ndalua shfaqja, u kërcënua personeli i Teatrit, u suspenduan, u larguan, u kërcënuan e torturuan si mos më keq punonjësit e Teatrit. - Jam shumë nervoz. Pse i pengon Teatri këta njerëz?! … Bisedonim si zakonisht ndërsa i vetmi mjet që kisha si mburojë e ushqim ishte shpresa.
-Përditë po e kuptoj sa e rëndë, sa e rëndë është gjendja në Kosovë, thoshte Prahar i mllefosur.
Mbi Tryezën e punës shfletonte e sistemonte një dyzinë materialesh që shënonte në tërren nëpër degët e Nëndegët e Këshillave për Mbrojtjen e të Drejtavë të njeriut. Ishin vërtetë Këshilla vajtimi, siç i pati quajtur baca Adem Demaci. Aty në Dragodan po zhvilloheshin monologë ndërmjet nxënësit e arsimtarit që diku ne mes dhe pranë u rrinte romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Ismail Kadaresë. Monologu shkonte, jo rrallë, nga Kongresi i Manastirit, në Janinë e Çamëria, Shkup e Vlore deri lart në Pazarin e Ri. Pashmangshëm s’mund të kapërcehej Noli, Konica e të tjerë.
Ishin ato kohë kur Kosova gjendej në shtetrrethim të hekurt. Masat e dhunshme kishin ngulfatur e ngujuar jetën si me dry pa çelës. Ndoshta, sa për ngushëllim, ishte një privilegj e kurajo, në fund të tunelit, të shihje një xixë shprese nga ndonjë diplomat që vinte përtej Atlantikut. Në këtë njeriu ngushëllohet, gjithashtu, se sa bën ndikim magjia e artit, letërsisë dhe gjuhës, si tipare identitare. Një prej pyetjeve si monolog që shpesh ia bëja Peterit qe edhe kjo e të ngjashme: Në të saten faqe ke mbërri me “Gjeneralin…”? - Po lexoj dhe studioj Kadarenë vazhdimisht. Është mësuesi im i Madh, merrja përgjigjen, shqiptuar me një buzagaz.
Zyra e OSBE-së në Dragodan ato ditë i ngjante një Qendre pelegrinazhi ku një grup emisarësh qenë shndërruar në kronistë a qatip të evidentimit të shkeljes së të drejtave të njeriut. Sa e sa ankesa, lëngata, njerëz me fasho nga rrahjet e torturat hynin e dilnin nga aty. - Dhimbjen e këtyre njerëzve e ndjej më mirë e më drejt kur flas shqip me këta, thoshte ambasadori Peter A Prahar. Dhe e vente dorën mbi kopertinat e “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur” të Kadaresë. Si të vinte dorën mbi Biblen më bëhej se ashtu e përjetonte.
- Para se të shkoj në Shqipëri në detyrë te re në Ambasadën amerikane, do të kisha dashtë ndonjë takim me intelektualë t ë Prishtinës. Jo me politikanë. Politikanët vijnë përditë këtu. Dua të bisedoj me intelektualë të pavarur, më tha Peteri.
- Ke ndonjë propozim, më pyeti shumë hapur
- Ke dëgjuar për profesor Rexhep Qosjen? Ndoshta e ke takuar ndonjëherë?
- Besoj që mund të flas shqip më te nëse mund të kontaktoj. Do të shoh sa kam nxënë shqip prej teje, ma ktheu dhe e tumiri propozimin.
- Do të shihet nëse ia kemi dal bashkërisht. Shpresoj ta kalojmë provimin, ia ktheva me shaka. Qeshi nga zemra.
Mbas qëndrimit disa vjet në Tiranë, Peter A Prahar u rikthye sërish në Kosovë me 1998. Po rikthehej në Kosovë diplomati humanist e dashamir i dëshmuar – Kosovës që tashmë fliste shqip, mendonte shqip, sillej shqiptarçe dhe po jepte gjithçka nga vetja për Dritën, Lirinë dhe Demokracinë e Botës shqiptare. Po e vazhdonte misionin aty ku e kishte lënë, në Dragodan të Prishtinës.
Së fundmi, besoj edhe sot që po rikujtojmë këto dromca nga ditari, Z. Peter A Prahar është në detyrë të Ambasadorit të SHBA-së në Shtetet Federale të Micronezisë në Paqësorin perëndimor. Ky shtet – Mikronezia – e ka njohur Kosovën me 5 dhjetor 2008.
Një falenderim nga zemra për ambasadorin Peter A. Prahar që aq shume bëri për Kosovën në kohët e saj më të vështira. Mbaj mend, si sot, ditën kur u ndamë për të fundit herë më tha: Kosova e meriton Lirinë dhe demokracinë. Kur i shtrënguam duart e përshëndetjes dhe Lamtumires, mu bë se ia pamë lotin njëri –tjetrit. Aty mbi tryezë po na “shoqëronte” Ismail Kadareja me “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”.
Po rrinim në këmbë njëri-përballë tjetrit dhe mezi shqiptoi:
–Më ka rënë në dorë një Hartë e bukur!. Janë këtu ato katër vilajetet për të cilat shpesh me flisje, më dha Z. Peter A.Prahar. Dikush ma dha mua, unë po ta jap Ty! Ishte Harta e Shqipërisë etnike me sfond të kuq të kadifejtë. Harta e katër vilajeteve shqiptare.
-Po besoj shume se prapë do të kthehem në Kosovë, tha me shumë vetëbesim.
Fill pas qershorit 1999 diplomati Peter A.Prahar sërish ishte rikthyer në Kosovë duke dhënë kontribut të çmuar dhe duke parë nga afër çlirimin e Kosovës. Tash ishte e vdekur ushtria okupuese serbe ndërsa gjeneralët e saj kishin nënshkruar kapitullimin në Kumanovë. Gati – Gati si te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Ismail Kadaresë. Profecia e Peter A. Prahar ishte sendërtuar./rajonipress/