Drita merr teposhtën

Gjilan – Ekipi i Dritës ka marrë teposhtën, ngase ka harruar se kur e ka shijuar fitoren. Ata dy herë radhazi u mposhtën në terren të huaj e këtë të premte pësuan edhe në terren të vet, me rezultat 1:2. Shënues: Gashi 69’ – Tahiri 40’, Guraziu 65’.
Ekipi gjilanas pati një paraqitje të zbehtë, pa sulme të ndërtuara, me pak raste, kurse edhe golat që i pësoi i mori në mënyrë naive.
Vendasit dukej haptazi se e dëshironin një pikë dhe luanin më shumë në mesin e fushës, kurse mysafirët që nuk e patën asnjë rast, që në gjuajtjen e parë shënuan. Në minutën 40, Hysen Tahiri gjuajti nga largësia e portieri i ri vendas Krasniqi, topin që e kishte në dorë e lëshoi për t’iu futur në rrjetë. Ishte ky një top që lehtë mund të pritej, por në mënyrë të pakuptueshme portieri vendas bëri gabim të rëndë.
As në pjesën e dytë vendasit nuk treguan lojë të mirë e mysafirët lehtë e shënuan edhe golin e dytë. Në minutën 65, Karabegu dha gjuajtje nga këndi, në topin e harkuar ndërhyri Guraziu, që me kokë e fërfëlloi topin në rrjetë.
Vendasit krejt çfarë bënë ishte shënimi i një goli, të cilin e realizoi Gashi në minutën 69, pasi më herët ishte krijuar një tollovi para portës mysafire.
Me këtë humbje Drita shkon drejt fundit të tabelës, derisa Hajvalia e mbanë pozitën e parë në Superligën e Kosovës në futboll.
Thanë pas ndeshjes:
Agron Selmani (Drita): “E ndërruam portierin, por nuk shkoi. Preferuam lojë të pëlqyeshme dhe ëndërruam së paku një pikë, por ekipi i ynë doli se është i papërvojë, ngase pësuam gola naivë. Nuk do t’a kemi lehtë as në të ardhmen”.
Sunaj Keçi (Hajvalia): “Fitore e merituar e jona. Ishim më të mirë se sa Drita. Patëm edhe raste të tjera, por nuk i realizuam. Tash mendojmë në lojën me Trepçën ‘89”.
Drita 1
Hajvalia 2
Stadiumi i Qytetit në Gjilan. Shikues: 400. Gjyqtarë: Shuleta, Abrashi, Latifi, Hasani. Shënues: Gashi 69’ – Tahiri 40’, Guraziu 65’. Kartoni i verdhë: Tusuni, Syla, Limani, Ajdari – Hashani, Leci.
Drita: Krasniqi, Baxhuku, Tusuni, Syla, Limani, Berisha, Rexhepi (Kastrati), Kelmendi (Ajdari), Sermaxhaj (Shaqiri), Haliti, Gashi.
Hajvalia: Avdyli (Hajdini), Rafuna (Islami), Hashani, Zhjeqi, Zeneli, Zabërxha (Tahiri), Leci, Emini, Hamiti, Karabegu, Guraziu /rajonipress/