UBT

Drita fton zviceranët në festën e pavarësisë së Kosovës

/ 3 minuta lexim
KKVITI

Kosova është shtet i pavarur tash 5 vite. Për hir të këtij përvjetori, Drita Krasniqi po organizon një festë këtë të diele, në Rorschach. Ajo shpreson që të ketë shumë mysafirë dhe para së gjithash zviceranë. Në manifestim do të ketë poezi, muzikë dhe ushqime.

Me mënyrën e saj të këndshme, sharmante dhe me gjermanishten e saj pa të meta, Drita është një ambasadore perfekte për bashkatdhetarët e saj kosovarë. Ajo është 38 vjeçe, e lindur në Kosovë dhe nga viti 1989 jeton në Zvicër, ku tashmë është përshtatur dhe ndjehet mirë. Ajo fton të gjithë banorët nga regjioni i Rorschah-ut në një festë.

Shkas për manifestimin është 5 vjetori i Kosovës, shtet i pavarur. Festa që mbahet në Stadthofsaal fillon në orën 14.00. “Të gjithë janë të ftuar përzemërsisht dhe unë do të isha shumë e kënaqur nëse do të vinin sa me shumë zviceranë”, thotë Drita Krasniqi.

Manifestimi nuk organizohet vetëm për ditën e pavarësisë. Sepse, motoja e tij është: “Danke Schweiz” (Faleminderit Zvicër). Për Drita Krasniqin nuk është i nënkuptueshëm angazhimi i saj kaq i fuqishëm për integrim dhe për këmbim në mes të kulturave. “Unë i them Zvicrës faleminderit për të gjithat. Zviceranët këtu bëjnë shumë për të huajt dhe integrimin e tyre”.

Ajo ka shpërndarë fletëpalosje në shumë shkolla të afërta, te të njohurit dhe të afërmit. “Është synim imi që zviceranët dhe kosovarët të njihen më mirë mes vete”.

Uji Dea

Ajo thotë se në Rorschach është arritur të bëhet integrimi i të huajve. Edhe lidhjet në mes të kosovarëve janë mjaft të mira. Drita jeton prej 10 vitesh në Rorschach. Më parë ka jetuar në St. Gallen.

Mban kontakte të rregullta me familjarët në Kosovë. Për pushime, sipas rastit ajo udhëton për në atdhe. Por, çfarë paraqet për Dritën pavarësia e Kosovës? “Natyrisht, shumë. Kjo ditë, veç tjerash, na jep shkas që të përgatisim një festë. Por manifestimi nuk i kushtohet vetëm pavarësisë së Kosovës. Synimi im kryesor është që të promovoj afrimin në mes të zviceranëve dhe kosovarëve”.

Manifestimi ofron lexim poezish, muzikë dhe ushqime. Poezitë në gjuhën shqipe do të recitohen nga një klasë e shkollës shqiptare ndërsa shumë mysafirë kosovarë do të sjellin me vete specialitete të kuzhinës shqiptare të gatuara vetë. Veç këtyre, kori i shkollës shqiptare të muzikës “Jehona” do të këndojë dhe vallëzojë. Kori drejtohet nga bashkorganizatori i aktivitetit, Murat Avdiu.

Në përmbyllje do të ketë muzikë dhe vallëzim. Përveç këngëve popullore kosovare, në program janë edhe këngë pop e rok dhe dy këngë zvicerane.(koha)