Fundamenti

Drejtësia e dështuar, pa llogaridhënie

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Askush nuk merr përgjegjësi për situatën e rëndë në Gjyqësor dhe Prokurori.

“Derisa nuk krijohen mekanizmat detyrues që të nisë spastrimi në drejtësi, nga ai në KGJK dhe në KPK, por edhe në institucionet e tjera, të mos shpresojmë se këtë do ta bëjnë Parlamenti dhe Qeveria e Kosovës, pasi udhëheqësit kryesorë të shtetit akuzohen se kanë përgjegjësi të mëdha dhe se vetë ata janë ajka e krimit politik, krimit ekonomik dhe fajtorët kryesorë edhe për dështimin e drejtësisë”, shprehet analisti Shefqet Dibrani

Të gjitha partitë politike, të cilat kanë udhëhequr me dikasterin e drejtësisë, që nga LDK-ja tek PDK-ja, por edhe AAK-ja kanë dështuar që ta sjellin një Gjyqësor e Prokurori të pavarur, efikas e funksional, me etikë e integritet profesional. Këto parti në pushtet, që kanë udhëhequr Ministrinë e Drejtësisë, nuk kanë menduar si ta fuqizojnë dhe ndërtojnë një sistem të drejtësisë të mirëfilltë e të mirëqenë dhe sa më funksional, por e kanë stërkequr se tepërmi këtë dikaster të drejtësisë në vend. Kësisoj, deri më sot nuk kemi parë që ndokush të ketë marrë përgjegjësinë për dështimet, madje edhe me dashje të këtij sistemi për gjithë këto vite të (mos)funksionimit të tij që nga paslufta, por përgjegjësi nuk ka marrë askush as për dëmet që i janë shkaktuar atij në vazhdimësi. Në këtë drejtim shtrohet pyetja se a duhet të fillohet që të adresohen fajësitë e tilla, duke filluar nga ish-udhëheqja e KGJK-së, pastaj e KPK-së, por njëkohësisht edhe nga vetë Parlamenti dhe Qeveria e Kosovës, të cilët po ashtu janë fajtorë për këtë dështim, duke dhënë kontributin e vet për ta dëmtuar këtë sistem?

Drejtësia u shfrytëzua për qëllime personale nga politika

RCCOLA

Njohësi i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se pushteti gjyqësor, ani pse është degë e shtyllë e pavarur me Kushtetutë, është ndërtuar me ndërhyrjet politike që nga periudha e UNMIK-ut dhe të cilat kanë vazhduar edhe pas pavarësisë së shtetit. Ai më tej shton se tani juridikisht ky sistem është i pavarur, por që në vazhdimësi ai është shfrytëzuar për qëllime personale nga politika.“Nëse përmendet sistemi i drejtësisë, politikanët ‘kriminalë’ menjëherë thonë se ai është i pavarur, e që në fakt është e kundërta. Ideja e tërë kësaj këtu është që të humbë përgjegjësia, pasi askush në këtë vend nuk dëshiron të mbetet përgjegjës për dështimet, as KGJK-ja, por as KPK-ja, por as institucionet e tjera, pasi qëllimi i tyre është që faji të mbetet jetim”, shprehet Burjani për “Kosova Sot”.

Sipas tij, politikanët përfitojnë nga puna e organeve të drejtësisë. Tutje, ai ka nënvizuar se ky sistem ka nevojë të madhe për një reformim të plotë dhe kadrovik, në mënyrë që të rishikohet se kush realisht është i përgatitur profesionalisht për ta ushtruar funksionin e tij, pasi, siç thotë ai, edhe aty ka mjaft njerëz, të cilët janë të papërgatitur sa duhet. “Në këtë aspekt, mendoj se duhet të largohen njerëzit, të cilët kanë ardhur aty përmes ndikimit nga strukturat e larta. Po ashtu, gjyqtarët dhe prokurorët nuk mund të jenë mësimdhënës e as të angazhohen me kontrata dytësore, pasi ky paraqet konflikt interesi dhe ndërhyn në neutralitetin e tyre”, është shprehur Burjani. Sa i përket asaj se a duhet të marrë dikush përgjegjësi për dështimin e qëllimshëm të sistemit të drejtësisë, analisti Shefqet Dibrani thotë se këtu do të duhej të ishte një ‘PO’ e madhe si përgjigje ndaj kësaj në mënyrën indikative. Sipas tij, ajo që po shihet tregon se oligarkët politikë i paskan rrënjët thellë për ta pushtuar shtetin në të gjitha planet dhe për të mos marrë askush përgjegjësinë e merituar për gjithë këtë dështim.

Prandaj, në këtë drejtim, Dibrani thotë se mosbesimi i qytetarëve është i arsyeshëm, pasi deri më sot drejtësia në Kosovë nuk ka dhënë shembuj, përmes të cilëve do të rritej besimi për këtë sektor të domosdoshëm, e që do ta bënte të funksiononte, siç duhet shteti ligjor. Ndërsa, për këtë dështim të shtetit në të gjitha planet, Dibrani thotë se fajësinë e kanë të gjitha partitë, që kanë udhëhequr me drejtësinë se kush më shumë e kush më pak. “Këtu për fat të keq nuk ka ndodhur e kundërta, që të kishte dallime për të mirë në kohën kur ka udhëhequr LDK-ja apo AAK-ja në raport me PDK-në ose anasjelltas”, shprehet ai./kosova sot/