RCCOLA

Drejt një të ardhmeje më të mirë…

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Në praninë e personaliteteve të larta shtetërore nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, por edhe të ambasadorëve të shumtë të vendeve të ndryshme të botës dhe një numri të madh qytetarësh, ka nisur në mesditë ceremonia kryesore e shënimit të pesëvjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka hapur ceremoninë e parakalimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës, në cilësinë e komandantes supreme të kësaj Force.

Duke nderuar të gjithë ata që kanë kontribuuar për lirinë dhe për shtetësinë e Kosovës, presidentja ka falënderuar edhe miqtë ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe të gjitha vendet tjera që kontribuuan në zhvillimin dhe ndërtimin e shtetësisë së Kosovës.

“Në këtë ditë, ne i kujtojmë dhe i nderojmë të gjithë ata që punuan për atdheun. Ata veprimtarë, ata intelektualë, ata luftëtarë, ata punëtorë, ata bujq, ata qytetarë që gjatë gjithë jetës, me punën e vet të përditshme, dhanë kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin e një shoqërie të drejtë, një shoqërie të njerëzve të lirë e të qytetarëve të barabartë, të një shteti demokratik me rend dhe sundim të ligjit, me institucione të përgjegjshme në shërbim të qytetarit”.

“Republika e Kosovës sot është një kontribuuese e rëndësishme për zhvillimin e marrëdhënieve fqinjësore në rajon, dhe të marrëdhënieve bilaterale, me synimin e qartë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, është shprehur Jahjaga gjatë kësaj ceremonie.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se “Republika e Kosovës është në rrugë drejt anëtarësimit evropian”.

Mobi Casa

Ai ka theksuar se “rezultatet që vendi ka arritur gjatë pesë këtyre vjetëve, janë të kënaqshme, përkundër sfidave”.

“Liria dhe pavarësia ka qenë ëndërr, për të cilën është sakrifikuar me shekuj të tërë. Për këtë të arritur madhështore, lëvdata kanë edhe qytetarët e Kosovës. Falënderimi i madh shkon te qytetarët e Kosovës, pa dallim etnie dhe fetare. Shprehim respektimin më të madh për të gjithë dëshmorët e rënë, për të gjithë luftëtarët që luftuan për këtë liri”, ka deklaruar Thaçi, duke rikujtuar se shteti i Kosovës është njohur nga më shumë se gjysma e shteteve anëtare të OKB-së dhe se Kosova po ndryshon për të mirë.

Pas fjalimeve të udhëheqësve të vendit, u dha urdhri për parakalimin e pjesëtarëve të FSK-së, Policisë së Kosovës dhe Zjarrfikësve.

Me flamuj në duar, në rrugë të stolisura për nder të këtij përvjetori, edhe qytetarët po festojnë në mënyra të ndryshme.

Të vetëdijshëm për sfidat dhe rrugën që ka përpara Kosova në konsolidimin e saj, disa nga qytetarët, nën tingujt e daulleve, shprehin kënaqësinë me të arriturat e deritashme. Të tjerët ndërkaq, kërkojnë një përkushtim më të madh nga ata që udhëheqin vendin në përmirësimin e jetës së qytetarit të Kosovës. /REL/