Dorëzimi si zgjidhje
Nga Imer Mushkolaj – Në vend të reagimit, institucionet e Kosovës e kanë zgjedhur dorëzimin përballë veprimeve të Beogradit. Në vend të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, dialogu ka prodhuar marrëveshje për rregullimin e brendshëm të Kosovës dhe ka forcuar bashkëqeverisjen e Serbisë në Kosovë. Ndalimi i Ramush Haradinajt në Francë, sipas një fletarresti të Serbisë, është sinjali i fundit se qasja e Kosovës në dialogun me Serbinë duhet të ndërrojë. Është e papranueshme që në njërën anë të dialogohet për normalizim marrëdhëniesh me Serbinë, e në anën tjetër të arrestohen udhëheqës politikë sipas urdhërarresteve të lëshuara po nga Serbia.
Rasti i Haradinajt do të duhej t’u shërbente si reflektim institucioneve të Kosovës për të parë se ku i ka sjellë dialogu me Beogradin dhe a ia vlen që edhe më tej të vazhdohet në të njëjtën formë. Faktet thonë jo.
Që nga fillimi i këtij procesi, pala kosovare nuk ka vënë kushte e as nuk ka pasur qasje reciproke karshi Serbisë. Thuajse asnjë marrëveshje e arritur nuk është zbatuar në plotëni, ndërkohë që çdo ditë vazhdon agresioni politik e juridik i Beogradit kundër Kosovës shtet. Për më tepër, Beogradi praktikisht bashkëqeveris në Kosovë nëpërmjet Listës Serbe dhe, me veprime që cenojnë integritetin shtetëror, madje ua cakton edhe agjendën institucioneve kosovare.
Pavarësisht se është kërkuar shumë herë që mënyra e dialogimit me Serbinë të ndërrojë, kjo nuk ka ndodhur. Fatkeqësisht, në vend që të dialogohet për normalizim të marrëdhënieve në mes të dyja vendeve, është dialoguar dhe janë arritur marrëveshje për rregullimin e brendshëm të Kosovës. Në këtë mënyrë, Serbisë i është njohur dhe vazhdon t’i njihet një pjesë e sovranitetit në Kosovë.
Qeveria e Kosovës, kryeministri, presidenti e Kuvendi duhet të rishqyrtojnë mënyrën e dialogimit me Beogradin, ngase ashtu siç është zhvilluar deri më tash vetëm sa do të bëjë dëm edhe më të madh.
* * *
Lista Serbe ka paralajmëruar se kah 15 shkurti do të themelojë Asociacionin e Komunave Serbe. Këtë serbët mund ta bëjnë pa i penguar askush. Reagimet mund të jenë të ngjashme sikurse edhe për ndërtimin e murit. Kryeministri e presidenti reagojnë në Facebook, ministrja Edita Tahiri i ankohet Brukselit, e Kadri Veseli e mbledh Kuvendin që ta miratojë një rezolutë koti – nëse ia del ta bëjë madje edhe një gjë të tillë, ngase për Rastin Haradinaj Kuvendi as rezolutë nuk ia doli të miratojë.
Ndërkaq, në rezolutën e miratuar për murin nuk jepet afati i saktë se kur duhet të ndodhë rrëzimi i tij, e as nuk tregohet cili institucion duhet ta zbatojë atë. Thjesht, është një rezolutë sa për të thënë se është punuar diçka.
Muri ende nuk është rrëzuar dhe as që do të rrëzohet. Ai mund të modifikohet, por Beogradi qëllimin e ka arritur. Njësoj do të ndodh edhe me linjën e udhëtimit me tren Beograd- Mitrovicë e Veriut, për të cilën ministri Lutfi Zharku thotë të jetë ilegale. Ministri vetëm konstaton, por nuk ndërmerr asgjë. Siç ndodh rëndom me institucionet e vendit dhe bartësit e tyre.
Strategji e Beogradit është që institucionet e Kosovës t’i vejë para aktit të kryer. Kështu ndodhte me barrikadat, kështu ndodhi më pas me të ashtuquajturin Parkun e Paqes, kështu po ndodh me murin, kështu mund të ndodhë nesër me Asociacionin.
Në vend të reagimit, institucionet e Kosovës e kanë zgjedhur dorëzimin përballë veprimeve të Beogradit. Në vend të reagimit, institucionet e Kosovës e kanë zgjedhur nënshtrimin. Tash, Serbia është më e fortë në Kosovë dhe karshi Kosovës sesa në fillim të dialogut. E ky nuk ka qenë qëllimi i fillimit të këtij procesi.
* * *
Shqiptarët si shumicë duhet të kujdesen për pakicën serbe dhe të gjitha pakicat tjera që jetojnë në Kosovë. Nuk janë problem serbët e Kosovës. Problemi është Beogradi, i cili po shfaqet dita-ditës hisedar në Kosovë – krejt si rezultat i qasjes së gabuar në bisedime.
Sot Kosova diskuton me Serbinë në Bruksel madje edhe si të rregullohet një urë në Mitrovicë. Sot Kosova diskuton me Serbinë në Bruksel madje edhe çfarë të bëhet me murin e ngritur atje. Për çështje të brendshme të Kosovës vendos edhe Beogradi. Strukturat paralele funksionojnë gjithandej vendit, e qytetarëve iu thuhet se ato janë shuar.
Askush nuk është i sigurt që të udhëtojë në veri të Mitrovicës dhe për të hyrë në atë pjesë me makinë, duhet t’i largosh tabelat. Udhëheqës institucionesh gënjejnë pa pra, se gjendja atje është normale. Dhe nuk do të jetë e tillë asnjëherë, përderisa Prishtina pranon që çështjet e brendshme t’i rregullojë bashkë me Beogradin.
Ridimensionimi, rishqyrtimi i dialogut në Bruksel është e domosdoshme të ndodhë. Pala kosovare duhet të jetë më këmbëngulëse në zgjidhjen e çëshjeve të caktuara, siç do të mund të ishte në heqjen e fletarresteve të Serbisë për qytetarët shqiptarë. Përndryshe, dialogu nuk ka kurrfarë kuptimi dhe do të jetë një dështim i madh. Dështim për shtetin e Kosovës dhe qytetarët e tij.


