Fundamenti

Dorëheqja e Idrizit me efekte edhe në mbijetesën e qeverisë

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Deputeti Nijazi Idrizi ka gjetur kohën e fushatës zgjedhore, për të kumtuar vendimin për dorëheqje nga të gjitha funksionet në Partinë Demokratike të Kosovës. Vendimi i tij është i pakthyeshëm. Kurse për efektet që mund të ketë në funksionimin e mazhorancës në Kuvend dhe në lëkundjet e themeleve të qeverisë, zyrtarët e PDK-së nuk kanë treguar shumë disponim të flasin.

Si një personalitet që vjen nga Gjilani, nuk do të ishte larg mendsh që efektet do të ishin të dyanshme dhe do të reflektonin si në suksesin e PDK-së në garën zgjedhore për Gjilanin ashtu edhe në stabilitetin e institucioneve qendrore. Themelet e qeverisë nga rreziku i humbjes së shumicës, rrezikohen për faktin se nga 34 deputetë sa ka PDK-ja në Kuvend, tashmë tre prej tyre janë deklaruar se nuk i mbështesin politikat e liderit dhe kryeministrit Hashim Thaçi.

RCCOLA

Në mesin e tyre, Jakup Krasniqi, Fatmir Limaj dhe Nijazi Idrizi. Kurse përfliten edhe emrat e 2 – 3 deputetëve të tjerë nga ky subjekt politik që janë të gatshëm t’i thonë lamtumirën partisë më të madhe në pushtet. Koalicioni aktual qeverisës në “formën” më të mirë kishte diku 63 deputetë. Nga ky numër paraprakisht është larguar edhe deputeti Muhamet Mustafa nga Koalicioni për Kosovën e Re, si pjesë e koalicionit qeverisës. Mbijetesa e qeverisë varet nga minimum 60 vota plus të deputetëve.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, i kontaktuar të premten nga Tribuna, ka thënë se ende nuk i ka detajet e arsyetimit të dorëheqjes së Nijazi Idrizit, andaj ai nuk kishte ndonjë koment të veçantë për të. Ndërkaq, lidhur me efektet e kësaj dorëheqjeje në punën e Kuvendit dhe miratimin e ligjeve e vendimeve të qeverisë, për shkak të rrezikimit serioz të mazhorancës, Grabovci ka thënë se as kjo çështje nuk mund të analizohet në këtë moment…( Tribuna).