Diskutohen investimet zvicerane në infrastrukturë

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Në kompaninë Regjionale të Ujit ”Hidromorava” janë takuar kryetarët e Komunave të Regjionit të Gjilanit, respektivisht disa nga përfaqësuesit e tyre dhe ata të qeverisë zvicerane përmes organizatës CDI, për t’u informuar me fazën e të investimeve, e cila, do të nisë kah fundi i këtij viti duke investuar qeveria e Zvicres me 14 milionë franga dhe ajo e Kosovës me 8 milionë franga.

Me këtë rast Astrit Vokshi, udhëheqës i projektit, ka thënë se faza e pestë dhe përfshin gjithë territorin e Kosovës – zonat rurale, për investime në rrjetin e ujësjellësit dhe ujërave të zeza.

”Kjo është faza e pestë e cila pritet të filloj kah fundi i këtij viti, ku investimet janë siguruar nga qeveria e Zvicrës prej 14 milionë franga dhe qeveria e Kosovës me 8 milionë franga. Projekti përfshinë gjithë territorin e Kosovës dhe është i përqendruar në ujë dhe kanalizim. Projekti do të implementohet nga konzorciumi CDI dhe Dorsch Grouppe. Qëllimi i projektit është të mbrohen resurset ujore, të sigurohen burime të qëndrueshme të ujit, të intervenohet në zvogëlimin e humbjeve dhe menaxhimi më i mirë i projekteve. Nga një regjion, është e paraparë që të aplikohet me minimum 7 projekte të reja të ujësjellësit dhe 2 kanalizime, të cilat duhet të përfshijnë numër më të madh të përfituesve, zonat ku ka banorë nga minoritetet, rregullimi i sistemit të rrjetit, pompimit etj. Ndërsa në sistemin e ujërave të zeza përparësi kanë fshatrat të cilat janë kontaminuese të ujit të pijes” ka thënë Vokshi.

RCCOLA

Në fjalën e rastit, kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, ka thënë se duhet të punohet në aktivizimin e projekteve jo-funksionale, menaxhimin më të mirë të projekteve, por edhe investimeve në zvogëlimin e humbjeve të ujit.

”Është e domosdoshme që t’i aktivizojmë projektet në të cilat sistemi i ujësjellësit nuk është aktiv, të bëhet një menaxhim më i mirë dhe të investohet në zvogëlimin e humbjeve në rrjet, sepse këto janë problematike për furnizim si duhet me ujë. E falënderoj qeverinë zvicerane për ndihmën e madhe që ka dhënë në këtë aspekt dhe shpresojmë se ky bashkëpunim do të rritet edhe më shumë në të ardhmen”, ka thënë kryetari Haziri, duke ofruar bashkëpunimin dhe gatishmërinë e Komunës së Gjilanit që gjithçka të bëhet mirë dhe sipas standardeve.

Ndryshe, parakusht i komunave është që të kenë marrëveshje bashkëpunimi me Kompanitë Regjionale të Ujit, caktimin e një personi me kompetenca të plota nga ana e secilës Komunë, një përfaqësuesi nga Kompania Regjionale, një nga Ministria gjegjëse dhe nga CDI dhe Dorsch Grouppe. Projekti do të realizohet në grupimin e nivelit regjional./rajonipress/