Diskursi i ndryshimit

Nga Nexhat Buzuku – Fryma e re qytetare apo rigjetja e vetvetes! Shoqëria kosovare duhet të bëjë domosdoshmërisht tejkalimin e kulturës dhe mentalitetit hipokrit ballkanik dhe po aq domosdoshmërisht të konstituohet në shoqëri moderne me shtet modern, ku normë dhe kod i tij janë qytetaria e angazhuar dhe kreative, për dallim nga një qytetari hezituese, dilematike, e fjetur dhe e heshtur, në pritje…
Shoqëria kosovare është duke kaluar stadin fillestar te ristrukturimit të saj. E vetmja mënyrë për ta shkëputur nga sllamat patriarkale dhe mesjetare të rezonimit mbi të parin, mbi oborrin, mbi mitin, ideologjinë, heroin, luftëtarin, të fortin, komandantin, të paprekshmin, pandryshueshmërinë, farefisin, lidhjet si mundësi mbijetese, mbetet rigjetja e intelektualitetit, e frymës për ndryshim dhe përmbysja e mentalitetit dhe marrëdhënieve të konzervuara dhe bllokuese të ndryshimit.
Ato që Entoni Gidens i shtroi si çështje dominante të shoqërisë moderne janë të domosdoshme edhe për shoqërina kosovare, e që përmblidhen në pyetjet esenciale të kohës që po kalojmë, janë këto:
Çfarë të bëjmë? Si të veprojmë? Çfarë të bëhemi? Si të bëhet transformimi i identitetit tonë personal dhe atij social?
1. Pa një rigjetje të frymës intelektuale në shoqëri ajo do të ndryshojë ngadalshëm, me dilema dhe duke mos e diktuar apo pikasur krejtësisht rrugën përvijuese drejt stadit të ri – shoqëri qytetare moderne;
2. Shkëputja nga kultura dhe mentaliteti i stagnimit ose hamendësimi para ndryshimit, të përshtaturit dhe paprekshmërinë e gjendjes së kotësisë dhe pritjes dilematike se e reja vjen pa e përmbysur apo tejkaluar të vjetrën;
3. Avancimi dhe zgjerimi i mendimit kritik mbi domosdoshmërinë e ndryshimit dhe fryma e guximit për ta prekur konstituimin e shoqërisë moderne;
4. Demitizimi dhe debajraktarizimi i mitit mbi të fortët, të pazëvendësueshmit, promethetë e fatit tonë dhe deziluzionizimi se pa këtë e atë nuk ekziston kjo shoqëri, deri te ndërtimi i mendimit të lirë e pozitiv qytetar, i liruar nga ideologjizmat e ndryshëm;
5. Që hija e luftës dhe semantika e saj të mos na përcjell në vazhdimësi;
6. Demitizimi i proceseve, dukurive, fenomeneve, ngjarjeve, demonopolizimi i tyre mospromovimi i kulteve mbi njerëz të gjallë e të vdekur;
7. Orientimi i shoqërisë drejt daljes nga degradimi moral, social e kulturor;
8. Ka ardhur koha, e duhet të përshpejtojë që të mos vonohet pambarim, për ta kthyer këtë shoqëri në një societat të ri, jo të mbyllur e të frikshëm, por me mundësi dhe frymë të re, me njerëz të lirë, që nuk do të kërkojnë një lidhje te pushteti për të zgjidhur një problem, qoftë ai më minori;
9. Që ristrukturimi i shoqërisë të bëhet pa turbulenca, paqësisht, institucionet, gradualisht, duhet të çlirohen nga zaptuesit dhe uzurpatorët, që të nxirren nga mekanizmat improvizues dhe atyre t’u kthehet funksionaliteti qytetar vleror;
10. Ky ndryshim nuk nënkupton luftë civile mes krahinash e fisesh, mes komandantësh e bajraktarësh për të ndalur ose vonuar ndryshimin, siç pretendohet të imponohet nga anarkistët dhe konformistët.
11. Fryma e re e ndryshimit dhe guximi qytetar për ndryshim ende është i paartikuluar në nivelin e duhur, por kanalizimi i dëshpërimit qytetar drejt ristrukturimit shoqëror tashmë ka nisur. Është proces i pandalshëm dhe i pakthyeshëm;
12. Ristrukturimi i shoqërisë kosovare nuk është përjashtim, sepse këtë e kanë kryer shumë shoqëri dhe shtete moderne, dhe janë bërë të tilla vetëm pasi kanë kapërcyer nëpër këtë proces ristrukturor, promovim dhe institucionalizim i shoqërisë që ka me dhënë vlera dhe jo ideologjizim, mitizim e monopolizim të jetës…
13. Një shoqëri vlerash të njëmendëta, ku njerëzit kanë me u ndie vërtet të lirë, me mundësi të barabarta konkurrence, ku nuk ka me pas blloqe shumë të larta të pasurish dhe blloqe të ulta të varfërish; që të dihet se kush është në qendër e pse është, kush pak më tej se qendra te rangu i dytë e pak më larg në periferi, e kush në sllama, pra në kasollet e rrethuara nga sllamat (kartuqet), që të dihen esencialisht dhe publikisht se si, kush, kur dhe si po pasurohet e në cfarë baze po krijohen dallimet aq të thella sociale, ku dikush me 50 centë ose pa hiç e tjetri me pasuri të pafundme…
Atë që Gidens e quante “rruga e tretë politike” (Third Way), që në fakt paraqet një teori të angazhuar kundër ndarjeve politike në blloqe…, te ne, në fakt, nënkupton debllokimin e frymës së heshtur intelektuale, të mendimit kritik pozitiv, artikulimin e energjisë së ndrydhur frustruese, të mungesës së përspektivës dhe hapjes së hapësirës për një qasje të re ekosociale, socio-ekonomike, kulturore dhe rreshtim në tabloidin e shoqërive moderne. Pra, jo rreshtim i qytetarëve, kategorive të ndryshme të stratifikimit social në anë apo taborre me mentalitet kastash.
Shoqërinë e re kosovare nuk mund ta mbajmë brenda kornizave të marrëdhënieve të vjetra, të konservuara dhe pa frymë kreative.
Ky ndryshim – konstituim i shoqërisë moderne kosovare nënkupton rigjallërimin e shoqërisë dhe shtetit me kod qytetar.
Ristrukturimi shoqëror është i domosdoshëm për ta fuqizuar shtetin me energji dhe frymë të re dhe për ta shkëputur atë nga gjendja defansive përballë mitit dhe ideologjisë.
Shoqëria kosovare duhet të bëjë domosdoshmërisht tejkalimin e kulturës dhe mentalitetit hipokrit ballkanik dhe po aq domosdoshmërisht të konstituohet në shoqëri moderne me shtet modern, ku normë dhe kod i tij janë qytetaria e angazhuar dhe kreative, për dallim nga një qytetari hezituese, dilematike, e fjetur dhe e heshtur, në pritje…!/rajonipress/