Fundamenti

Disfata legjendare

/ 6 minuta lexim
ARKATANA

Nga Imer Mushkolaj – T’i quash fitore dështimet legjendare të 3 nëntorit është marrëzi. Siç është marrëzi të thuash se të gjithë paskan fituar e askush nuk paska humbur.

Nuk ka qenë legjendar vetëm Visar Arifaj i Partisë së Fortë në zgjedhjet e 3 nëntorit. Të tillë kanë qenë edhe kandidatë e liderë partish, të cilët gjatë fushatës kanë dhënë premtime legjendare, kanë folur marrëzi legjendare, por që kanë pësuar edhe disfata legjendare.

A nuk e meriton të quhet legjendar dështimi i PDK’së në Gjilan dhe në të tjera komuna, pavarësisht premtimeve për investime qindramilionëshe të Hashim Thaçit, po që se do të zgjedheshin kryetarë kandidatët e PDK’së?

A nuk e meriton të quhet legjendar dështimi i Agim Çekut në Prishtinë?

A nuk e meriton të quhet legjendar dështimi i LDK’së në Prizren, përkundër faktit se rival i Eqrem Kryeziut ishte hiç më pak se Ramadan Muja i akuzuar për keqqeverisje?

A nuk e meriton të quhet legjendar dështimi i AAK’së në Pejë, Gjakovë, Suharekë e Rahovec, përkundër thirrjeve të Ramush Haradinajt se vota për kandidatët e AAK’së ishte votë për të kryeministër kah pranvera e ardhshme?

A nuk e meriton të quhet legjendar dështimi i Lëvizjes Vetëvendosje në mbarë Kosovën, kandidatët e së cilës nuk ia dolën që në asnjë komunë, përveç Prishtinës, të shkojnë në balotazh?

A nuk e meriton të quhet legjendar dështimi i AKR’së, sidomos në Prishtinë, përkundër investimit të madh të Behgjet Pacollit që në parti të sjell emra kredibilë?

Po t’i dëgjosh liderët partiakë të krijohet përshtypja se në zgjedhje kanë fituar të gjithë dhe nuk ka humbur askush. Deklaratave të tilla nuk iu besojnë as ata vetë, e lëre më qytetarët të cilët më 3 nëntor ndëshkuan pushtetarë të papërgjegjshëm, ndëshkuan arrogancën e pushtetit dhe treguan se dinë si ta shfrytëzojnë drejt votën e tyre.

Qytetarët ndëshkuan shumicën e atyre që keqqeverisën, shumicën e atyre që pushtetin e konsideruan privilegj, e jo përgjegjësi.

Qytetarët ndëshkuan ata që nuk u morën me problemet e tyre, por me rritjen e pasurisë dhe mirëqenies së vet.

Qytetarët ndëshkuan ata që ishin vetëm pionë në dorë të liderëve partiakë dhe njerëzve rreth tyre, e jo kryetarë të vërtetë.

* * *

Hidromorava

Po t’i dëgjosh përfaqësuesit e partive politke duke interpretuar rezultatin e zgjedhjeve të 3 nëntorit, të krijohet përshtypja se të gjithë kanë fituar dhe askush nuk ka humbur. Por, realiteti është tjetër.

PDK assesi ta rrezikojë LDK’në në Prishtinë. Për më tepër, LDK u tregua shumë e fortë për të në Gjilan.

LDK, duke provuar që të përhap njëfarë fryme të fitores gjithandej Kosovës (gjë që e ka arritur në njëfarë mase), u godit në Prishtinë. Jo nga Agim Çeku, por nga Shpend Ahmeti.

Isa Mustafës, megjithatë, i duhet t’i përvjel mëngët, sepse nuk është rendi ta fitojë kryeqytetin me duar në xhepa.

Mbase duke u ndjerë komode në komunat që i qeveriste, AAK provoi të shtrihet në pjesë të tjera të Kosovës. Por kjo iu hakmor, duke rrezikuar që të humbasë edhe komunat që i konsideronte bastione të veta dhe në të cilat kryetarë cilat kryetarët qeverisnin si dëshironin.

Retorika e Lëvizjes Vetëvendosje mund të ketë qenë interesante në zgjedhjet nacionale, por në nivelin lokal ky subjekt nuk arriti as të futet në balotazh, me përjashtim të Prishtinës. Qytetarët nuk e ndëshkuan për keqqeverisje, sepse nuk ishte në pushtet në asnjë komunë, por nuk i besuan që t’i qeverisë.

Po të mos ishte Mimoza Kusari-Lila, AKR’ja as që do të zinte vend në këta rreshta. Fati i partisë së stërkequr të Behgjet Pacollit varet ekskluzivisht nga rezultati i Gjakovës. Mbase AKR mund të bëjë përpjekje që të ekzistojë edhe më tej në skenën politike, por jo në këtë format dhe jo me këtë organizim.

Duhet përmendur edhe disa kandidatë për kryetarë komunash, të kthyer nga diaspora, të cilat me plot arrogancë provonin t’i bindnin qytetarët për t’i votuar, duke u sjellë si dofarë shpëtimtarësh që i kanë lënë të gjitha të mirat diku në Europë dhe kanë ardhur që ta shpëtojnë popullin nga mjerimi. Disfatat legjendare mbase i mbushin mend se duhet ta ndërrojnë qasjen, nëse dëshirojnë që eventualisht t’i votojë dikush në zgjedhjet tjera.

Fituese morale të zgjedhjeve janë edhe kandidatet për kryetare komunash, kudo që kanë kandiduar ato – jo për faktin e thjeshtë se janë femra, e as për kuota barazie gjinore, por vetëm për shkak se nuk është hiç lehtë që në një ambient maskulist dhe në një shoqëri që emancipimin e ka problem kronik, të zgjedhin për t’u zgjedhur si alternativa politike jo pse janë gra, por sepse vlejnë – kush më shumë e kush më pak.

* * *

Për mua, hero edhe i këtyre zgjedhjeve është Rufki Suma. Si kandidat i pavarur, ai ia ka dalë të mbajë qeverisjen në komunën e vogël të Hanit të Elezit, përkundër presioneve dhe shantazheve nga disa parti të tjera.

Në komunat në të cilat do të mbahet balotazhi, fituesit e vërtetë të zgjedhjeve janë kandidatët që fituan më shumë vota në raundin e parë. Muhabetet, marrëveshjet, koalicionet partiake mund të ndërrojnë rezultat, por vullneti i qytetarëve është treguar në raundin e parë.

Vota e ndëshkimit është dhënë në raundin e parë. Përpjekjet personale e partiake për një copë pushtet nuk do të prajnë, por verdikti i qytetarëve është ai I 3 nëntorit. Gjithçka tjetër është lajthitje legjendare. Aq legjendare sa kryetari i Partisë së Fortë, që i bëri njerëzit ta shohin ndryshe politikën. Ta shohin të atillë çfarë është në Kosovë – e pamoralshme dhe e pamëshirshme.