Mobi Casa

Dimensioni real e ideal i Idriz Seferit

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Nga Fitim Rifati- Gjilani me rrethinë në Lëvizjen tonë Kombëtare zë një vend mjaft të rëndësishëm. Ky territor verilindor i viseve shqiptare ka qenë pjesë e pandashme, rrugëkalim i përpjekjeve e lëvizjeve për të drejta dhe pavarësi kombëtare, që në çdo kohë ka qëndruar në ballë të kësaj detyre, duke i dhënë atdheut bijtë më të mirë që ranë në altarin e lirisë.

Njëri ndër udhëheqësit kryesor që organizoi luftën e popullit për çlirim e bashkim kombëtar dhe për mbrojtjen e viseve shqiptare nga pushtuesit e huaj ishte kryetrimi dhe tribuni popullor i kësaj ane, Idriz Seferi.

Idriz Seferi u lind në vitin 1847 në një familje me vlera kombëtare. Meqë mungonin shkollat në gjuhën shqipe si pasojë e sunduesit të kohës, mësimet e para i bëri në odën e burrave dhe aty u kalit në frymën kombëtare. Që në moshë të re ai u përball me aktivitetin e çetave serbe e bullgare, ndaj qëllimeve të të cilave nuk mund të pajtohej në asnjë mënyrë. Kundërshtoi dhe luftoi autoritetet lokale osmane dhe u tregua mjaft aktiv në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe Lidhjes Shqiptare të Pejës.

Idriz Seferi në korrik të vitit 1907 mori pjesë në asgjësimin e çetës komite serbe të Pasjanit. Ai luajti një rol të rëndësishëm në organizmin dhe mbarëvajtjen e Kuvendit të Ferizajt gjatë korrikut të vitit 1908, i cili rezultoi me ngadhënjimin e Revolucionit Xhonturk. Pas këtij Revolucioni, Idriz Seferi dha ndihmesë të çmuar në emancipimin kombëtar të arsimit dhe shkollës shqipe si në Gjilan e rrethinë të tij, dhe kudo në vise të tjera të Vilajetit të Kosovës.

Politika demagogjike, obskurantiste dhe reaksionare xhonturke, në kauzalitetin e situatës dhe rrethanave nëpër të cilat po kalonin shqiptarët, diktonte në esencë nevojën e autonomisë territoriale dhe administrative të Shqipërisë. Ky program u proklamua jo si doktrinë e vetme e platformës së Rilindjes, por si komponentë e përkohshme dhe e hartuar në simetri me aktualitetin e përgjithshëm shqiptar, ballkanik e më gjerë. Për realizimin e kësaj platforme politike kombëtare, Idriz Seferi jo rastësisht u gjend në krye të udhëheqjes popullore në kryengritjet kundërosmane të viteve 1910 dhe 1912.

UBT

Në Luftën e Parë Ballkanike, së bashku me vullnetarët e tij, Idriz Seferi luftoi heroikisht në mbrojtje të trupit të atdheut. Pas Pavarësisë së Shqipërisë në kufij të cunguar, ndonëse ishte në moshë të shtyrë, ai nuk pushoi së rezistuari e luftuari pushtuesit serbë e bullgarë. Në ditët e fundit të jetës, Idriz Seferi do të shprehej: “Nuk paska ma vështirë për burrin se sa me vdekë në shtëpi”. Kështu, komandanti dhe strategu i kryengritjeve për liri dhe pavarësi kombëtare, ndërroi jetë në moshën 80 vjeçare, në mars të vitit 1927, në fshatin Zhegër, ku edhe u varros.

Idriz Seferi mbetet një ndër figurat më emblematike, shëmbëlltyrë e humanizmit, udhëheqjes ushtarake, sakrificës e luftës për liri kulturore, arsimore e pavarësi politike të viseve shqiptare, së bashku me krerë të Lëvizjes Kombëtare në Gjilan e rrethinë dhe përfaqësues të tjerë kryesorë të udhëheqjes popullore e politike kundër pushtuesve të huaj. Për nderë të jetës dhe veprës së tij heroike u thurën këngë në popull, u emëruan sheshe, rrugë, shkolla, shtypshkronja, organizata punuese, u ngritën buste e shtatore. Jeta dhe vepra e tij patriotike u bënë frymëzim edhe në artin letrar, muzikor e atë pamor.

Ky është një dimension i reduktuar për Idriz Seferin real, të cilin e njohim nga të dhënat dhe rezultatet e deritashme të historiografisë tonë. Mirëpo, në dimensionin tjetër, atë ideal, apo çfarë do duhej të ishte, konsiderojmë se ekziston një sasi burimesh arkivale të proveniencave ndërkombëtare të kohës, të cilat janë të mbushura me të dhëna relevante, ku pas një hulumtimi dhe përpunimi të disiplinuar ekipor, do të ndikonin në ekspozimin e fakteve të pa ndriçuara dhe konstruktimin e një figure më komplete për këtë personalitet të lavdishëm të historisë tonë.

Vlerësojmë se ky është obligim kombëtar dhe profesional, në vazhdën e përpjekjeve tona të gjithanshme për të hedhë dritë mbi të kaluarën tonë historike, e cila pret akoma gjurmim dhe studim. Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Gjilan, qëndron e përkushtuar ndaj këtij obligimi.

Krejt në fund, sot kur në të gjitha trojet tona si dhe ngado që jetojnë e veprojnë shqiptarët, po shënojmë me dinjitet 100 vjetorin e shtetit shqiptar, njëkohësisht kujtojmë rilindësit e figurat kombëtare dhe gjithë ata që lanë gjurmë të pashlyeshme në rrugën e përgjakshme të Pavarësisë së Shqipërisë. Në mesin e tyre, që luajti rol domethënës e dha kontribut të pazëvendësueshëm, pa dyshim, ishte edhe atdhetari ynë i madh, Idriz Seferi.