Fundamenti

Dielli i Atdheut

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Poemë për shpërnguljen

(Grykën e Bosforit, pyeteni
se flet; gjysma është lot
dhe gjysma është det!..)

Rr. Geci, Stamboll, 1993

Re të luftës,.. dallgë dhe stuhi
S´na u hoqën kurrë mbi qepallë
Më të fortë ishim se vetë Sparta
Natën mbi Trojën nuk di ta falë

Dielli mbi Shqipëri nuk shuhet
Kjo është e thënë mbi të bardhë
Roma Çezarit, Nata Osmanlliut
Ilirinë e vranë me hekur dhe zjarr

Në një kontratë të vitit 1937
Të dënuar ishim,…me kalvar
Në atë ( d r a f t ) të fqinjve
Shpërngulja ishte atentati i parë

2
———————————-

O jeta ime e munduar
o jeta ime e shpërngulur
tejpërtej i kam rënë ferrit
me vuajtje e kam këtë jetë

Burgjet kudo janë njësoj
uniformë, hetuesi , tortura
zvogëluesit e trojeve tona
të gjitha mynxyrat i dinin

Krajla, mbretër e perandor
që s´ i patëm kurrë asgjë
na shkulën dhe degëtisën
nëpër vende krejt të huaja

Njerëz të mirë të atdheut
ende s´jem krejt të humbur
gjakun si t´ia fshij plagës
plagën si t´ia fshij zemrës

3
————————————-

Njeri, hapini arkivat e kohës
lexo shekullin e 19 dhe të 20-të
dhe 5 qind vjetët me Turqinë
kundër i kemi 200 kryengritje

Nuk ka njeri në këtë botë, që
ta fshij gjakun e shpërnguljes
plagët janë shumë shekullore
dhimbjet janë të çdoditshme

Udha për në Selanik me qerre
ishte një dramë më shumë
një përgjakje e papërshkruar
dhe shkretim i tokave tona

Një mik i imi, Armir Kosova
pjesëmarrës i (tre) luftërave
me lot në sy më drejtohet;
si t´ ia fshij gjakun plagës

Në çastin kur më dëbuan
tregon miku im i shpërngulur
putha pragun e shtëpisë sime
dhe mora një qese me dhé
që të mos më bjerë hiadha

4
————————————

Në ato vite të shpërnguljes

Stambolli ishte një vrasje

ku “vetëdorzohej” identiteti

gjëja më e çmuar e njeriut

Në Bashkinë e Stambollit

në zyrat e tyre për të huajt

tek po prisja në korridor

të merrja kombësinë turke

në radhët me ne, ishte një

Vajzë bjonde, vjeç 14 , nga

Keçekolla e Prishtinës, serbët

asaj ia kishin vrarë 52 veta

Uji Dea

të familjes,vëllëzërit, xhajat

ndërsa vajza kishte shpëtuar

duke u futur vet në plevicë

5
———————————

Ajo vajzë me 52 varre
doli nga zyra e zemëruar
ç´janë këto dëftere turpi
dua të kthehem në Kosovë
te varri i mamit dhe babit
dhe te varri i 4 vëllëzërve
o e gjallë s´ndërroj komb
Dajë, dhe t´ i o turk i zi
dua diellin e fshatit tim
vesen në petalet e luleve
dua fshatin me fytyrë bari
livadhet me shumë ujë
dua atje të bëhem nënë
dhe të lindi shumë fëmijë
ta rizëjë gjakun e vramë
porosinë e prindërve të mi
n´atë rrëmujë para zyrave
edhe detit pranë i vinte keq!..

O më të mirët e shpirtit
Gjergj, Aleks , Trëndëlinë
dhe juve që s´ po ju njoh
gjuamëni me gurët tuaj
se unë biri juaj, Azgani
do duhej të isha me ju
të jepja dhe unë pak gjak
nga ( gjaku ) i trupit tim
Sa ( herë ) përmallohem
i bie telefonit e bisedoj

6
———————————-

Kosovë, tungjatjeta, si jeni
katundi s´i është; si dolët
në mëngjes, a pati bastisje
a jeni të gjithë shëndosh
dhe sa nuse lindën fëmijë

Në varrezat e Stambollit
prehen me mijëra shqiptarë
thonë se vdiqën në këmbë
dhe me mall të atdheut

tragjedinë e shpërnguljes
e kam përjetuar në Selanik
në një anije të vjetër greke
që transportonte shqiptarët
për në humbje dhe harrim

Në ato vite në Selanik
me sytë e mi e kam parë
një grua nga rrethi Gjilanit
pasi gjuan djalin nga anija
edhe ajo hidhet pas në det!..

7
————————————

Në botën e të shpërngulurit
i shpërnguluri vuan çdo ditë
për të siguruar një gropë varri
dhe një ëndërr për atdheun

Të shpërngulurit në Turqi
me mund e bëmë këtë jetë
i këputur, i degëtisur, i huaj
shpërngulja çdo ditë më vret

Kosovën një jetë se kam parë
Tiranën çdo natë e ëndërroj
lexuar kam mjaft për atdheun
për fushat, malet dhe detin

Me mall për atdheun po vdes
moshë më s´ më ka mbetur
veshët më ushtojnë shumë
e shoh se jam i përmalluar

Tokë e florinjtë është Çamëria
tronditëse janë ëndrrat e çamit
në det kur trapi dremitet
dhe çami me çamen puthen

8
————————————–

Mosha s´ më lë të kapi largësi
fëmijët po na i përtëriinë emrat
për ju që e kuptoni këputjen
degën e thyer edhe era e than

Atdhé, o i shtrenjti im atdhé
Nxirre këngën që ti vetë e di
Na lësho një za prej atje
Të mos vdesim,.. Të harruar

( I huaji në dhe të huaj, as varr
nuk ka, ligjet e shtetit të huaj
edhe për varre lypin qira!..)

O vëlla i gjakut tim, o zemër
jam lindur ku rritet rrushi
jam lindur ku piqet molla
kam gjakun e ujit të Drinit
aty ku i njoh dhe më njohin

( Atdheu nis tek zemra, tek
gjuha dhe flamuri, se në dhé të
huaj, ndrron emrin edhe guri!..)

9
———————————

Grykën e Bosforit, pyeteni
se flet; gjysma është lot
dhe gjysma është det!..

Kjo luftë e ky mundim, do
sjellin një ditë të bardhë
edhe sikur koha të zbres
në zero, shqiptarët do të
jenë një, dhe të bashkuar!..

Stamboll, muaji prill,1993

P.sh.

Kjo poemë është bërë Telepoemë, me titull, “Atdheu nis tek zemra”, në produksion të “Albafilmit” dhe të RTSH-së.