RCCOLA

Dhunuesit nuk janë vetëm

/ 5 minuta lexim
KKVITI

Nga Imer Mushkolaj – Ata që sulmuan Valon Sylën nuk janë vetëm, por mbështeten nga mijëra të tjerë që në rrjetet sociale kërkojnë më shumë dhunë, më shumë gjak dhe bëjnë thirrje për vrasje. Një armatë e tërë njerëzish me mendësi dhunuesish. Qeveria duhet ta trajtojë me seriozitet dhe ta ketë prioritet sigurinë e gazetarëve. Duhet dhënë fund pandëshkushmërisë së krimeve ndaj gazetarëve.

Asnjëherë nuk kam bllokuar më shumë komentues në rrjetet sociale sesa orët e fundit, pas sulmit ndaj gazetarit Valon Syla. Burra e gra, djem e vajza të cilët mbështetin ata që kanë kryer sulmin fizik mbi gazetarin, të atillë që ia dëshirojnë vdekjen dhe bëjnë thirrje për vrasje. Mijëra vetë që shfaqin hapur, online, dëshirat e tyre për më shumë dhunë, më shumë gjak. Një armatë e tërë njerëzish me mendësi dhunuesish që i duartroket dhunës dhe është e etur për më shumë dhunë, më shumë gjak.

Është morbide, por shumë shqetësuese njëkohësisht se si mijëra vetë janë kthyer në dhunues online që nuk durojnë fjalën e lirë as mendimin ndryshe. Njerëz që nuk duan t’ia dinë që liria e shprehjes është e garantuar me kushtetutë dhe që askush nuk mund ta marrë ligjin në dorë për t’i qëruar hesapet me askënd.

Në Kosovë ekzistojnë mekanizma shtetërorë dhe joshtetërorë, të cilëve duhet adresuar çdo shqetësim për çfarëdoqoftë që kushdoqoftë e konsideron joetike në media. Ekziston infrastrukturë ligjore e përshtatshme për të trajtuar çdo shkelje etike. Askush asnjëherë nuk duhet t’i jep vetes të drejtë që të sulmojë askënd, vetëm pse nuk pajtohet me mendimin e tij.

Nëse dikush konsideron se është fyer ose ndaj tij a saj është shpifur, për këtë ekziton ligji përkatës. Vetëm një një shoqëri me mungesë sundimi ligji, në një shoqëri në të cilën institucionet përkatëse nuk e kryejnë punën si duhet, njerëzit e ligë zgjedhin të sulmojnë fizikisht, pa frikë këdo që nuk pajtohet me ta, që nuk mendon si ata. Ndërkohë, atmosfera linçuese për sulme krijohet në rrjetet sociale që vlojnë nga sharjet, fyerjet, thirrjet për sulme dhe vrasje.


Por, pse gazetarët janë shndërruar në caqe të lehta për sulm? Edhe pse gazetaria është profesion me rrezikshmëri tejet të lartë, shteti ka bërë pak për sigurinë e gazetarëve. Ndërkaq, gjykatat në njëfarë forme amnistojnë sulmuesit, duke shqiptuar për ta dënime qesharake. Mungesa e ndëshkushmërisë për dhunuesit i trimëron, iu jep krahë atyre. Ndërkaq, autoritetet nuk janë marrë asnjëherë seriozisht me sigurinë e gazetarëve.

Eco Higjiena

Siç vëren juristja e medias Flutura Kusari, qeveria dhe ministritë përkatëse, veçanërisht ajo e Brendshme dhe e Drejtësisë, refuzojnë të zbatojnë Rekomandimin 2016 të Këshillit të Europës dhe Rekomandimin 2021 të Komisionit Europian për Siguri të Gazetarëve. Qeveria nuk ka draftuar strategji apo plan veprimi për sigurinë e gazetarëve, ndërkaq nuk ka trup koordinues kombëtar / ‘task force’ për sigurinë e gazetarëve. Ndërkaq nuk ka as ndihmë praktike për gazetarët e sulmuar.

Sulmi ndaj Sylës nuk është i rastësishëm dhe as i izoluar. Është rezultat i ideologjisë së ushqyer ndër vite, nga njerëz ekstremistë që nuk ndihen rehat në një shtet laik dhe synojnë tjetër rregullim shoqëror në Kosovë. Sulmi ndaj Sylës është rezultat i mendësisë së krijuar nga një grup njerëzish që nuk durojnë fjalën e tjetrit, mendimin e tjetrit nëse nuk mendon si ata.

Sulmet si këto shpërfaqin realitetin e hidhur se çfarë kjo shoqëri ka prodhuar tash dy dekada – një sistem shkollor që prodhon analfabetë, një sistem të përmbysur vlerash, në një shoqëri ku nuk respektohet tjetri për atë çfarë është dhe çfarë përfaqëson.

Sulmi mbi Sylën duhet të konsiderohet sulm mbi të gjithë. Është e frikshme me sa lehtësi çohet dorë mbi këdo që nuk mendon si turma, mbi këdo që e thotë atë që e mendon, në një shtet demokratik. Është e frikshme se si sulmuesit, dhunuesit, pa pasur frikë nga shteti dhe as nga ndëshkimi, pa pikë droje sulmojnë njerëzit.

Sulmi mbi Sylën duhet të shërbejë si alarm për qeverinë dhe institucionet tjera që ta marrin seriozisht çështjen e sigurisë së gazetarëve. Nëse nuk reagohet tash, menjëherë, atëherë situata do të përkeqësohet edhe më shumë. Mosreagimi institucional do t’i inkurajojë që të përdorin dhunë sërish ata që i pengon fjala e lirë, që i pengon liria.