UBT

Demokracia dhe siguria kombëtare

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Burim Ramadani – Siguria që ndryshon në një botë në ndryshim. Ky është një prej formulimeve adekuate për të shpjeguar sistemin ndërkombëtar të sigurisë, sfidat dhe kërcënimet që janë ri-afirmuar në kohën e globalizmit.

Derisa janë fashitur një varg kërcënimesh të vjetra, vendin e tyre e kanë zënë sfida të reja dhe të frikshme, sikurse edhe ato lloj kërcënimesh të sigurisë që kanë ndryshuar mjetet dhe metodat e shfaqjes së tyre. Të tillat janë fuqizuar në territoret dhe shtetet me sistem jodemokratik.

Në fakt, mungesa e demokracisë në pjesë të shumta të botës ka ndikuar, po ashtu, në shfaqjen apo ri-afirmimin e kërcënimeve dhe sfidave të sigurisë globale, rajonale dhe nacionale. Është e qartë se një prej mënyrave më të fuqishme për shmangien e këtyre lloj kërcënimesh e sfidash është përhapja dhe konsolidimi i demokracisë. Duke pasur parasysh mekanizmin e saj të brendshëm për kanalizimin e konfliktit, demokracia në thelb shihet si e lidhur me paqen dhe sigurinë.

Sidoqoftë, siguria nuk është dhe nuk duhet të jetë synim në vetvete, por i shërben mirëqenies së njerëzve. Njëjtë, siguria kombëtare që i shërben dhe duhet t’i shërbejë sigurisë njerëzore. Sigurisë së individit. Siguria kombëtare, boshti i të cilës është mbrojtja e shtetit, “bëhet” siguri njerëzore që vendos në radhë të parë individin dhe komunitetin.

Në praktikë kjo ka bërë që shtetet të kundërveprojnë në shkallë të gjerë ndaj rreziqeve që kërcënojnë sigurinë.

Veprimi parandalues: veprimet për zgjidhjen e konflikteve dhe për ndërtimin e paqes, që kanë në qendër njerëzit.

Ndërhyrja: kur përpjekjet tjera dështojnë – për të ndërhyrë në konfliktet e brendshme me qëllim që të mbrohen popullsitë;

Veprimi kundërveprues: veprimi për dhënien e ndihmave gjatë ose pas një lufte. Ngritjen e kampeve për të shpërngulurit, azili për refugjatët.

Hidromorava

Sistemi ndërkombëtar i sigurisë, sot, përballet me një varg rreziqesh të sigurisë, të cilat zakonisht ndahen në katër grupe kryesore.

Rreziqet politike: paqëndrueshmëria e brendshme politike, shtetet e dështuara, terrorizmi dhe shpërdorimi me të drejtat e njeriut.

Rreziqet ekonomike: varfëria, hendeku mes vendeve të pasura dhe të varfra, recesioni ndërkombëtar financiar, pirateria etj.

Rreziqet e mjedisit: katastrofat bërthamore, ndryshimet ekologjike, degradimi i tokës, mungesa e ujit, ushqimit etj.

Rreziqet shoqërore: konfliktet pakicë/shumicë, mbipopullimi, krimi i organizuar, kontrabanda e drogës, tregtia e paligjshme, imigrimi masiv, sëmundjet, etj.

Siguria kombëtare, në një botë që është në ndryshim, definitivisht është e ndërlidhur me bashkëveprimin e shteteve, si aktorët më të rëndësishëm të sistemit ndërkombëtar në përgjithësi. Megjithëse, aktorët joshtetërorë të sistemit ndërkombëtar vazhdojnë të fuqizojnë rolin e tyre.

Në përgjithësi, ideja se siguria kombëtare mund të arrihet vetëm me “forcat” kombëtare është ide që ka përfunduar me fundin e Luftës së Ftohtë. Tashmë është i nevojshëm bashkëpunimi mes shteteve për sigurinë dhe si e tillë është kthyer në platformë të domosdoshme për sigurinë ndërkombëtare.

Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna.