KKGJILAN

Demarkacioni, patriotizmi, humbjet, realiteti…

/ 10 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Sinan Sadiku – Humbje për mungesë patriotizmi. Nuk kam asnjë dilemë që komisioni në krye me Murat Mehën nga mungesa e përkushtimit në punë, për shkak të urdhrave nga lartë apo… e ka devijuar vijën kufitare me Malin e Zi në dëm të Kosovës. Nuk është hera e parë që ne humbim për shkak të mungesës së përkushtimit, të mungesës së dijes dhe veçmas për shkak të mungesës së patriotizmit të atyre që na përfaqësojnë në bisedime.

Them për shkak të mungesës së patriotizmit, sepse nuk shkojnë bashkë edhe të jesh atdhetar edhe të mos jesh i përkushtuar, të jesh i pakujdesshëm, t`u nënshtrohesh presioneve, të shitesh, ose të pranosh detyra të cilat nuk di dhe nuk mund t`i kryesh me ndërgjegje, përgjegjësi, profesionalizëm e përkushtim. Pjesa dërmuese e hartave ( për të mos thënë të gjitha) të punuara në Beograd dhe në institucione të ndryshme të ish Jugosllavisë tregojnë se me demarkacionin e nënshkruar me Malin e Zi Kosova i ka humb rreth 8000 hektarë tokë. Këtë e thonë edhe librat e gjeografisë të botuara në Prishtinë, Beograd, Zagreb, Podgoricë, atëherë kur e përshkruajnë me fjalë kufirin midis Kosovës dhe Malit të Zi. Ka edhe shumë fakte të tjera që e thonë këtë, por tani nuk po zgjatem.

Nuk është hera e parë as si shqiptarë e as si Kosovë që humbim në bisedime për shkak se komisioni ose njerëzit që na përfaqësojnë nuk janë në nivel të detyrës. Shembull e kemi Pakon e Ahtisarit të cilën institucionet dhe partitë tona e pranuan pa asnjë kundërshtim , duke e krijuar përshtypjen se ajo Pako i kënaq në tërësi interesat e shqiptarëve, ndërsa nuk i kënaq interesat e serbëve edhe pse e vërteta ishte ndryshe. Nuk them se në fund nuk është dashur ta pranonim atë Pako, por them se është dashur të rezistonim dhe nëse nuk do të mund ta ndryshonim në favor tonin së paku t`i tregonim Bashkësisë Ndërkombëtare se pakënaqësia jonë me të është së paku sa e serbëve, në mënyrë që nga ne të mos kërkoheshin edhe lëshime të tjera siç janë kërkuar dhe po kërkohen.

Edhe në bisedimet e Vjenës po të ishin në nivel përfaqësuesit tanë do të ndaheshim më mirë dhe veç tjerash nuk do ta nënshkruanim një Marrëveshje për Bashkësinë e Komunave Serbe, shumë pika të së cilës nuk janë në harmoni me kushtetutën e Republikës së Kosovës e cila ka derivuar nga Pakoja e Ahtisarit. Për shkak të mungesës së përkushtimit tonë për ta ndërtuar shtetin, gjegjësisht për shkak se ndjenjat tona patriotike e kanë humbur betejën në raport me nevojat për përfitime personale në kurriz të atdheut, kemi pësuar mjaft humbje. Po i ceku vetëm disa prej tyre. Po të ishin institucionet tona në nivel të detyrës nuk do të krijoheshin gjithë këto komuna etnike ku serbët janë shumicë dhe në mënyrë institucionale punojnë për Serbinë.

Dihet që në ato komuna (Mitrovica Veriore, Novobërda, Graqanica…) gjenden pasuritë më të mëdha nëntokësore të Kosovës. Pastaj serbët nuk do ta gëzonin të drejtën e vetos duke mos na lejuar ta krijojmë as ushtrinë e Kosovës…

Gjatë historisë tonë dymijë vjeçare vetëm dy herë e kemi gëzuar deri diku mbështetjen e të fuqishmëve

Megjithatë bota, ligjet e natyrës janë të tilla dhe ai që e bënë gabimin i bartë pasojat. Bota, ligjet e saja nuk janë ideale e as të drejta, zakonisht fiton ai i cili është i zoti, i shkathtë, i mençur, pragmatik dhe rrallë herë fiton i drejti. Ne kemi pasur të drejtë ta kishim shtetin shqiptar i cili do t`i përfshinte të gjitha territoret e banuara me shumicë shqiptare para vitit 1876, por nuk e kemi.

Që nga ai vit, bile edhe më herët ne kemi filluar të tkurremi. Shpeshherë nuk kemi qenë në nivel të kryerjes së detyrave, të përkushtimit dhe nuk kemi sakrifikuar sa është dashur për ta mbrojtur hapësirën shqiptare. Megjithatë nuk mund të themi që të parët tanë nuk kanë luftuar. Kanë luftuar kështu disi siç kemi luftuar ne luftën e udhëhequr nga UÇK-ja. Pra, gjatë 2000 viteve, sa ka jetuar në robëri, dhe nuk ka pas shtet të vetin, populli ynë nuk është që nuk ka luftuar, por asnjëherë nuk ka arritur të çlirohet dhe ta krijojë shtetin etnik – kombëtar.

Pra ne sikurse edhe shumica e popujve tjerë kemi arrit njëherë ta krijojmë Shqipërinë Londinezë, e pastaj edhe Kosovën vetëm atëherë kur përpjekjen dhe luftën tonë e kanë mbështet të fortit Dëgjoj njerëz që deklarojnë se ne falë luftës heroike të UÇK-së jemi çliruar nga okupatori serb. Unë po e them se ne si popull kemi bërë aq sa kemi pas gatishmëri e deri diku edhe mundësi në ato rrethana, po për të na çliruar na ka çliruar NATO. Gjatë tërë historisë tonë mbi dymijë vjeçare vetëm dy herë e kemi pas (përfituar) mbështetjen e të fortëve, njëherë për ta krijuar Shqipërinë Londineze, dhe herën e dytë për ta krijuar Kosovën multietnike.

Asnjëherë tjetër. Andaj gabojnë shumë ata që mendojnë se sa herë që ne luftojmë do të na vije mbështetja e të fortëve. Mund të them se nga qindra luftëra, kryengritje, beteja që i kemi zhvilluar vetëm dy herë deri diku na ka buzëqesh fati të na mbështesin të fortët. Me këtë dua të them se ne nuk guxojmë symbyllas të besojmë se nëse e kërcasim menjëherë do ta kemi Amerikën prapa. Derisa në vitin 1999 Amerika dhe Perëndimi na kanë mbështet duke e penguar Milllosheviqin që të na shfarosë dhe të na shpërndajë nëpër botë , tani nuk ka asnjë indicie (parashenjë) se do ta kemi mbështetjen e tyre që ne të hyjmë në aventura të ndryshme, të fillojmë beteja të cilat nuk jemi të zotët t`i fitojmë.

Mobi Casa

Kjo do të thotë se e para e së pares është që ne t`ia dimë hallin veti, të dimë t`i ndajmë dëshirat nga mundësitë, ëndrrat nga realiteti. Dihet politika është art i së mundshmes. Nëse e lëmë vetëm art, duke ia hequr “i së mundshmes”, ajo bëhet aventurë, ndërsa aventurat të shumtën e rasteve përfundojnë me fatkeqësi. Këto duhet t`i dinë partitë tona dhe të jenë në nivel të përgjegjësisë, të dinë ta luajnë lojën që të mos e humbin, sepse ai që di të luajë, që tregohet inteligjent në rrethanat konkrete ndahet mirë.

Nuk jam duke parë asnjë mundësi që ta korrigjojmë demarkacionin

Me demarkacion Kosova i ka humb rreth 8000 hektarë tokë, për fajin e komisionit Meha dhe të atyre që e kanë emëruar, që e kanë mbështet dhe që i kanë besuar atij komisioni. Kjo i bie që për vendimet e komisionit Meha nuk ka asnjë përgjegjësi opozita e atëhershme e cila e ka kundërshtuar me të gjitha mjetet.

Megjithatë nënshkrimi i Demarkacionit si akt, si veprim, si ngjarje, ka prodhuar pasoja duke e futur Kosovën në obligime që t`i përmbahet marrëveshjes së nënshkruar. Me që atë marrëveshje e kanë nënshkruar përfaqësuesit e Kosovës në baza vullnetare, pa i detyruar askush , Bashkësia Ndërkombëtare, miqtë tanë, që na kanë bërë shtet për aq sa jemi shtet (sepse askush nuk mundet të të bëjë shtet me zor) , po e mbështesin. Pra ne nuk kemi asnjë mbështetje që ta ndryshojmë vijën e re të kufirit me Malin e Zi. Punën e Demarkacionit nuk mund ta dërgojmë në Arbitrazh, sepse për t`u bërë kjo nevojitet edhe pajtimi i palës tjetër, i Malit të Zi, pajtim ky që nuk ekziston.

Miqtë tanë jo që nuk po na mbështesim për ta korrigjuar demarkacionin, por përkundrazi po na ndëshkojnë që po e zvarritim ratifikimin e tij. Ne jemi duke e parë vetëm një formë të ndëshkimit, mos liberalizimin e vizave, por durimi i miqve tanë po vjen duke humbur dhe tashmë jemi duke përjetuar edhe forma të tjera të ndëshkimit. Thjeshtë nuk jam duke pa asnjë mundësi që ta korrigjojmë punën e demarkacionit. Ne duhet ta kuptojmë këtë realitet, të pajtohemi me të (edhe pse hiq nuk po na pëlqen) dhe të sillemi në përputhje ma realitetin e ri që është krijuar me fajin e përfaqësuesve tanë. E thashë edhe më lartë gabimet i paguan, i pëson ai që i bënë.

Nëse unë e humbi çantën, mbetem pa të, nëse e prishi veturën time, më duhet të paguaj për ta rregulluar, nëse e thyej dorën , mbetem i hendikepuar. Dëmet që ia kam bërë veti nga pakujdesia, ose pse kam marrë vendime pa i “ba sytë katër” bien mbi mua dhe nëse më ka ngjarë ajo unë nuk guxoj që tërë jetën të vajtoj, ose të marrë vendime të cilat veçsa mund ta përkeqësojnë gjendjen. Sepse ka keq e më keq. Më së miri kalon ai i cili pajtohet me realitetin dhe i përshtatet atij duke mos e lëshuar asnjë rast që t`i kompensojë humbjet.

Tani nuk kemi zgjidhje të mirë, zgjidhja më pak e keqe mbetet ratifikimi

Pra tani për tani mendoj që Kosova, së paku brenda një dekade, nuk ka mundësi ta korrigjojë dëmin që ia kanë shkaktuar përfaqësuesit e saj dhe nuk i mbetet tjetër veçse ta ratifikojë marrëveshjen e demarkacionit. Nëse nuk e ratifikon do të ketë edhe pësime, dëme dhe humbje të tjera. Pra, deri këtu sa i përket demarkacionit opozita e kohës kur është nënshkruar është e pafajshme, por nëse tani shihet se nuk ka mundësi të korrigjohet demarkacioni, se mosnënshtrimi i demarkacionit i sjell dëme Kosovës, në këtë situatë zhagitja e nënshkrimit të tij nga opozita e bënë atë fajtore.

Opozita duhet të dijë deri diku çka është e mundshme e ça nuk është, çka mund të bëhet e çka nuk mund të bëhet, sepse siç e thashë edhe më lartë politika është art i së mundshmes. Ti je në një lojë shahu me kundërshtarë të përkushtuar që nuk e lë pa e hetuar dhe pa e shfrytëzuar asnjë hollësi. Nëse e ke humb një ushtar, kujdes, ruaju, sepse mund t`i humbasësh me radhë edhe figurat tjera e ta “fitosh” mat! Nuk vendosin dëshirat, por vendosin dija, mençuria, përkushtimi, përmbajtja… Në këtë botë fiton ai që është i zoti, i mençur, pragmatik… e nuk fiton i drejti!/rajonipress/