KKVITI

Demaçi: Mendoni pak për shtetin

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Veprimtari i njohur i çështjes kombëtare dhe i të drejtave të njeriut, Adem Demaçi, gjatë një interviste për Kosovapress, në prag të pesëvjetorit të pavarësisë së Kosovës, ka folur për të arriturat e vendit në këto vite, por edhe për problemet që po e përcjellin Kosovën, të cilat nëse nuk elimonohen, sipas tij, do t’i kushtojnë shumë të ardhmës së vendit.

Ai u ka bërë thirrje politikanëve që para se të mendojnë për interesat e tyre, të bëjnë më shumë për qytetarët, të cilët janë duke e vuajtur këtë nivel korrupsioni, ekonomie shkatërruese, shëndetësie dhe arsimi të pavizion.

Demaçi si të rëndësishme në këtë pesëvjet shtet, konsideron njohjen e Kosovës nga gjysma e shteteve të botës, megjithatë, në segment të tjerë të vendi nuk ka parë asnjëlloj përparimi.

“Ne me këto pesë vjet mirë është që jemi të pavarur. I vetmi fitim që nxorëm ne nga kjo shpallje e pavarësisë pesë vjeçare që arritëm gati gjysmën e botës me përpjekje të mëdha ku na ndihmoj Amerika shumë e Evropa që gjysma e anëtarëve të Kombeve të Bashkuara të pranojnë Kosovën. Ky është i vetmi prodhim që ka vlerë për ne, por ekonomia mbeti askund hiq. Arsimi, kultura, shëndetësia, kanë mbetur askund hiq. Po si po mbijeton ky popull, po mbijeton falë solidaritetit të madh ndërshqiptar që kemi ne se krejt pensionistët, krejt invalidët, krejt ata që kanë nevojë për ndihma ata do të vdisnin të gjithë, se a jetohet me 45 euro ose 80 a 100 euro”, ka thënë Demaçi.

Ai nuk ka lënë pa kritikuar zyrtarët e institucioneve që merren me interesa personale duke mos qenë në shërbim të qytetarit të vendit.

Eco Higjiena

“Udhëheqjet tona duhet të punojnë dhe t’i shërbejnë popullit. Ministër e kryeministër do të thotë shërbëtor e kryeshërbëtor të kujt?! Të popullit. Duhet t’i shërbejnë popullit e jo t’ i shërbejnë disa qarqeve atje që merren me korrupsionin e merren me punë të liga e mafiozitete e njëqind të zeza që na kanë pllakosur neve. T’i ketë Kosova 20 mijë njerëz të cilët e përdorin drogën, kjo është katastrofë”, ka deklaruar ai.

Demaçi ka folur edhe në lidhje me pritjet e dialogut që po vazhdon midis Kosovës dhe Serbisë dhe deklarimeve, herë-herë të zyrtarëve, se ai do të prodhojë një traktat paqeje midis këtyre dy vendeve. Ai këto pritje i ka quajtur si qesharake, përderisa Kosova vazhdon të figuron në Kushtetutën e Serbisë, si pjesë përbërëse e saj.

“Shikoni është qesharake kjo. Serbia pa e ndërruar Kushtetutën në të cilën shihej se Kosova nuk ekziston si pjesë e Serbisë. Domethënë pa heq dorë Serbia nga apetitet e veta, pa e zhvatur një ¼ e territorit si Kosovë e vogël, s’e kemi mbetur një copë Kosovë edhe këtu donë të ja heqin një copë. Pa ardhur një garniturë tjetër siç ai Çedomir Jovanoviqi e disa tjerë që janë pak më liberal, do të thotë pa i sjellë rrethanat të cilat do të detyronin popullin serb të sjellë në krye të vetës një garniturë e cila sheh realitetin, e sheh se në çfarë kohe po jetojmë dhe e sheh se nuk i paguhet që të shtyhet me zorë një projekt i cili nuk shkon është kundër ligjeve të jetës”, ka deklaruar ai.

Demaçi ka ripërsëritur që insitucionet e Kosovës, liderët e tyre, duhet të bëjnë më shumë punë se sa fjalë të kota, duke marrë si shembull debatin për libëralizimin e vizave, përderisa, sipas tij, shumica e qytetarëve të Kosovës, fatkeqësisht kanë halle të tjera më urgjente se vizat, të cilat as që u bëjnë përshtypje.