Eko Higjiena

Deli Hyseni intervistohet nga policia, prokuroria e vlerëson si dëshmitar kyç

/ 9 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Me urdhër të prokurorit kompetent për krimet e luftës Agron Uka dhe në bashkëpunim me policinë rajonale të Gjilanit është arritur që për herë të parë të intervistohet dëshmitari kyç i masakrës së Llashticës Deli Hyseni. Ndryshe kjo intervistë dhe dëshmi e Deli Hysenit dhënë policisë erdhi pas publikimit të shkrimit në rajonipress, ku Deliu foli me tone të rëndë ndaj hetuesve kosovar.

Dëshmitari kryesor i masakrës së Llashticës, Deli Hyseni pas 19 vitesh është arritur të intervistohet nga policia e Gjilanit. Policia e ka intervistuar Deli Hysenin pasi prokurori kompetent Agron Uka i cili merret ekskluzivisht me krimet e luftës kishte dhënë urdhër që të intervistohet Deli Hyseni. “Deli Hyseni është figurë kyçe dhe dëshmitar kryesor në masakrën e Llashticës dhe për ne ka shumë rëndësi deklarata dhe rrëfimi i tij. Do të merret parasysh çdo detaj dhe çdo fjalë e këtij dëshmitari i cili ka shumë argumente dhe ka njohuri meqë e ka përjetuar masakrën” u shpreh Uka.

Edhe, Nehat Shabani i cili është i plagosur në kohën e luftës tha se veprimi i policisë është i mirëseardhur. “Më mirë vonë se kurrë. Deliu dhe shumë dëshmitar të tjerë po treten dhe po humbin pa e dhënë dëshminë kryesore. Është mëkat i madh që pas 19 vitesh dëgjohet deklarata e Deliut ose edhe e të tjerëve” u shpreh Shabani i cili ka falënderuar publikisht Rajonipress i cili sipas tij ka bërë të pamundurën që rasti i Masakrës së Llashticës të merr tretmanin e duhur mediatik.

Ndryshe, Deli Hyseni është njëri nga dëshmitarët kryesor që e ka parë dhe përjetuar pothuajse tërë masakrën e Llashticës. “Më kujtohet si sot, më kujtohet ajo ditë, ajo orë e aj sekondë i trishtuar. Pash e çka nuk pash, përjetova tmerrin më të rëndë për një familjar. Trupat e familjarëve të mi binin njëri pas tjetrit, pushkatoheshin dhe digjeshin për së gjalli. A ka më rëndë, më vështirë se ta jesh dëshmitar për së gjalli. E kam lutur disa herë zotin të vdes e mos t`i shoh ashtu, por njeriu po jetojka edhe kështu”, ka deklaruar Deliu për rajonipress.

Në masakrën e Llashticës Deliu ka humbur babain Hysen Hyseni, nëna Ajshe Hyseni, vellau Fazli Hyseni, gruaja Arife Hyseni, djali i Fazliut, Driton Hyseni si dhe është i vrarë nipi ( djali i motrës) nga Velekinca, Blerim Halili.

Realisht të gjithë dëshmitarët më të rëndësishëm të masakrës së Llashticës, pa dëshirën e tyre ndodhen jashtë Kosovës. E dhimbshme është historia e Deli Hysenit dëshmitarit kryesor i cili në mungesë të përkujdesjes nga ana e institucioneve shtetërore detyrohet të shkojë ilegalisht në Francë për tu shëruar nga plagët dhe traumat e luftës.

Deli Hyseni tani është bërë 50 vjeçar dhe jeton diku në Francë që nga viti 2006. “U zhgënjeva pas luftës sepse edhe pse isha i plagosur dhe kisha humbur gjysmën e familjes, babain, nënën, djalin, vëllain unë sërish duhej të punoja. Duhej ta mbaja pjesën tjetër të familjes. Ika në Francë ku tani jam rehatuar dhe ndodhem me familje” thotë Deliu.

I gëzohet çdo zhvillimi që ndodhë në Kosovë edhe pse thotë se nuk ka mundësi ta shoh sepse në vitin 2007 kishte humbur të pamurin. “Si mos t`i humb këta sy kur panë gjithçka, panë e përjetuan skena të llahtarshme. Më kujtohet si sot dhe çdo orë e sekondë e përjetoj emocionalisht masakrën e Llashticës. Nuk e harrojë asnjë detaj dhe më kujtohet mirë skena e krimit që ndërtuan ushtria dhe paramilitarët serb, që dirigjoheshin edhe nga policia e rregullt”.

Deliu thotë se ankthi nuk e lenë rehat tërë natën kur i kujtohen skenat e rënda. “Si të pushojë e flejë rehat kur para syve të mi më dalin prindërit, djali, gruaja e familjarët e tjerë teksa vriteshin aq mizorisht. Unë kisha vetëm gjysmë vetëdije sepse isha i plagosur në fyt. 30 prilli i vitit 1999 ndryshoj gjithçka në jetën time dhe në kujtesën time të trishtë. Më ka humbur forca e guximi që të flas për atë tragjedi. Është një emocion i madh që kur flas mezi përmbahem. E kam parë vdekjen me sy, kam parë se si vdiqët për së gjalli, kam parë sesi njeriu është më i fortë se guri. Por ende jam i aftë të dëshmojë, të rrëfejë, të tregojë edhe për serbët e dyshuar. Jam i zhgënjyer sepse askush nga policia e as nga prokuroria, nuk më kanë marrë asnjë deklaratë. E kam humbur besimin dhe jam i zhgënjyer”.

Dhe këto fjalë e këto rrëfime loti të Deli Hysenit tregojnë për vrasjen e 13 shqiptarëve në shtëpinë e Rifat Shabanit. Deliut i kujtohet ora kur paramilitari rom e qëllon të parin babanë e tij. “Romi e qëlloi në syrin e djathtë babën dhe vazhdon t`i vras të gjithë me radhë i ndihmuar edhe nga një serb”.

Deliun e godet plumbi në fyt dhe i humbet vetëdija. Sërish e përballon këtë skenë dhe arrin të dalë nga tymi e flaka. “E kam parë me sy sesi digjej nënë Ajshe. Ajo dha shpirt në duart e mija. E kam parë me sytë e mi Fisnik Shabanin teksa po jepte shpirt për së gjalli. Është karbonizuar në krahët e nënës së tij Zijaverës”.

Deliu thotë se paramilitari që ishte rom pas vrasjes së babait e ka ekzekutuar vëllain Fazliun, kushëririn Rifatin, pastaj Xhavitin. “Unë isha goditur me plumb në qafë dhe jam alivanosur. Pas gjysmë ore kam parë se i kanë ekzekutuar të gjithë me nga një plumb, kurse djalit të vëllaut Ymerit i thanë se ty nuk po të vrasim, ty po të lamë me vuajt për tërë jetën” shprehet Deliu.

Kjo është dëshmia e Deli Hysenit, njeriut që pa gjithçka dhe madje edhe buldozerin që erdhi nga Pasjani për të rrafshuar tërë vendin e krimit. “Nuk dua të vdes pa dëshmuar aty ku duhet dhe nuk dua të vdes pa e takuar serbin dhe romin. Anipse nuk shoh, mund t`i njoh nëse përballem me ata drejtpërdrejtë. Këta hetuesit e tanë le të presin derisa të vdesin dëshmitarët. Vërtet është një turp i madh që askush nuk është marrë me neve. Unë do të jetojë me rrëfimin tim që e kam përjetuar në lëkurën time, por me vdekjen time vdes edhe rrëfimi. Edhe në Francë kam dhënë deklaratë, por më thanë se t`i nuk sheh dhe e ke të vështirë të dëshmosh, por unë do të dëshmojë një ditë” shton Deliu.

Porosia e Deliut është e qartë dhe e dhimbshme. “Mos e harroni masakrën e Llashticës, mos e harroni atë tragjedi e katrahur që na bëri Serbia, mos shkelni mbi trupin e fëmijëve e prindërve tanë që u dogjën për së gjalli. Nëse asgjë nuk bëni, të paktën sillni para drejtësisë, arrestoni kriminelët dhe mos i falni sepse historia nuk do ua fal”.

Hidromorava

Edhe, Nehat Shabani mësues ishte dëshmitar i dhunës serbe. Ai është i plagosur në krahun e djathtë dhe e humbi djalin e tij Lirimin. Nehati më 13 prill 1999 plagoset nga serbët derisa banorët po qëndronin në male.

Fatkeqësisht asnjë dëshmitarë i Llashticës nuk është ftuar të dëshmojë në Hagë përkundër premtimit nga Luis Arbur ish kryeprokurore e Tribunalit të Hagës. Ndonëse gjithçka rreth masakrës në Llashticë ishte e përpiluar duke filluar nga deklaratat e dëshmitarëve, skicat nga vendi i ngjarjes, fotografimet e vendit të krimit dhe video regjistrimet, megjithatë hetime zyrtare nga asnjë organ hetues nuk është zhvilluar.

Pos masakrës fshati Llashticë ka përjetuar edhe djegien e shtëpive, ku janë plaçkitur teknika bujqësore, janë zhdukur bagëtitë e fshatit, ishte dëmtuar shkolla fillore “Esat Berisha”, ishte djegur xhamia e fshatit, ambulanca e fshatit, biblioteka e fshatit.

Në tërë fshatin janë djegur 123 shtëpi, 137 objekte ndihmëse, janë plaçkitur 90 traktorë, 120 motokultivator, 3 autokombajna, 3 kombibusa, një kamion dhe 130 vetura. Gjithashtu sipas të dhënave serbët kishin plaçkitur 680 kafshë të trasha.

Të pushkatuarit e datës 30 prill 1999 janë :

1. Hysen Deli Hyseni i lindur më 10.05.1933
2. Ajshe Hysen Hyseni e lindur më 11.12.1937
3. Fazli Hysen Hyseni i lindur më 06.01.1963
4. Arife Fazli Hyseni e lindur më 21.08.1963
5. Driton Fazli Hyseni i lindur më 13.02.1982
6. Mirije Deli Hyseni e lindur më 19.05.1970
7. Blerim Ramadan Halili i lindur më 22.12.1983
8. Rifat Xhemajl Shabani i lindur më 14.09.1919
9. Selami Rifat Shabani i lindur më 02.12.1954
10. Zijavere Ejup Shabani e lindur më 15.06.1962
11. Fisnik Selami Shabani i lindur më 20.12.1996
12. Sylejman Ymer Ibishi i lindur më 18.06.1932
13. Xhavit Banush Berisha i lindur më 10.12.1935

Në këtë pushkatim kanë mbetur gjallë dhe janë plagosur:

– Deli Hysen Hyseni (1968)
– Dritë Fazli Hyseni (1984)
– Blerinë Fazli Hyseni ( 1994)
– Leonorë Deli Hyseni (1993)
– Vlorë Selami Shabani (1986)

Në fshatin Llashticë gjithashtu janë vrarë më 13 prill 1999:

– Ali Bejtë Selimi 15.04.1937
– Enver Sylë Murseli 17.06.1949
– Ymer Kadri Rashiti 18.05.1930
– Lulzim Feti Musliu 28.02.1988

Të vrarë më 16 .04.1999:

– Rukije Qazim Ramushi 08.12. 1927
– Habibe Idriz Ramushi 03.05.1909
– Nezir Hasan Ramushi 15.02.1929
Xhyzide Shaban Hasani (1918)
– Lirim Nehat Shabani (1999)

Të vrarë më 20.04.1999:

Azem Limon Cani i lindur më 25.04.1938./rajonipress/