Degradimi i institucioneve gjilanase
Nga Nuhi Ismajli – Komuna e Gjilanit, këto vitet e fundit, është shembulli i degradimit të skajshëm të institucioneve shtetërore.
Duke mos pasur vetë asnjë fije të kulturës politike dhe duke shfrytëzuar edhe mungesën e vetëdijes e të kulturës politike të qytetarëve e, në radhë të parë, të votuesve të tyre, individë të paturpshëm, për fatkeqësinë shoqërore e qytetare, iu imponuan pozitave të institucioneve dhe zunë vendet pa asnjë meritë.
Po marrim si shembull, së pari, një nga sferat më të rëndësishme shoqërore, siç është sfera e arsimit. Shihni, kush e udhëheq arsimin gjilanas. Krahasojeni udhëheqësin e arsimit të kësaj komuneje me nivelin e përgjithshëm të formimit të arsimtarëve të kësaj komuneje. A nuk është për arsimin gjilanas poshtërim dhe humbje e madhe gjithsesi, që vendin e udhëheqësit të arsimit të një komune ta zërë ai që, realisht, është në radhën më të ulët të formimit të arsimtarëve?! Është e qartë se me të tillë “udhëheqës” nuk mund të udhëhiqet arsimi, se sa për avancim të tij as që mund të bëhet fjalë.
Prandaj, kemi gjithë ato keqpërdorime e marrëzi që bëhen në emër të institucionit, si zgjedhjen, me ndonjë përjashtim, për drejtorë shkollash të individëve aspak meritorë, pengesën e fëmijëve për të zgjedhur mësuesin-en përmes “rregullave” dhe edhe përmes forcave të ndryshme policore, shkeljen e të drejtave të arsimtarëve (duke ua marrë padrejtësisht vendet e punës), zënien e vendeve të punës pa konkurs, në emër të transferimit të punëtorëve, provimin pranues për punësimin e arsimtarëve, injorimin e arsimtarëve më të dalluar dhe shpërblimin e arsimtarëve të afërt me partinë në pushtet, mungesën e shikimit real të problemeve në arsim, pranimit të kritikës së arsyeshme dhe gatishmërisë për mënjanimin e tyre, në njërën anë, kurse lavdërimin e paarsyeshëm për rezultate në arsim, në anën tjetër etj. Është e tepërt të theksohet këtu se ç’personalitet duhet të jetë udhëheqësi i arsimit, ç’shkëlqim dijesh e virtytesh duhet të ketë ai.
Në sferën e kulturës, pushteti gjilanas, gjer më tash, nuk respektoi asnjë rregull të një vendi që sadopak mund të quhet qytetar.
Kështu, në kundërshtim me çdo marrëveshje politike që ka sadopak kulturë politike, shkel marrëveshjen e koalicionit qeverisës, akuzon subjektin, i merr postin e drejtorit të Drejtoratit të Kulturës atij dhe, ç’është edhe më keq, në krye të institucionit komunal të kulturës vendos një person që, parë në atë pozitë, edhe sorrat do të talleshin me të. Qytetari gjilanas nuk mund të mos çuditet me faktin sesi pushteti gjilanas e sheh dhe e konsideron kulturën dhe institucionet e saj.
Në bazë të asaj si është sjellë, në raport me kulturën gjilanase dhe institucionet e saj, qytetari gjilanas do të shohë sesi pushteti gjilanas mendon se në krye të kulturës mund të vendoset kushdo, çdo person, çdo njeri që qëllon në rrugë, një person që nuk është marrë me kulturë dhe është një zero e madhe e saj, një person që nuk e njeh kulturën e problemet e saj dhe nuk ka asnjë fije autoriteti në fushën e kulturës…
Pushteti gjilanas nuk është i aftë të kuptojë se në krye të institucioneve komunale të kulturës duhet të vendosë njeriun i cili shkëlqen me vlerat dhe autoritetin e tij në kulturë.
Ndryshe ky pushtet do t’iu “shërbejë” qytetarëve p.sh. siç iu shërbeu përmes monografisë për Gjilanin, ku, ndonëse pagoi një çmim shumë të lartë me mjetet e qytetarëve, mohoi në mënyrën me të vrazhdë krijuesit gjilanas.
Në sferën e ekonomisë, pushteti gjilanas do të marrë si shembull qëndrimet e ministrit të Ekonomisë së Serbisë, për t’i kushtëzuar qytetarët të paguajnë borxhet ndaj shtetit. Nuk e kemi këtu fjalën për mbrojtjen e qytetarëve që nuk paguajnë borxhet ndaj shtetit, po për format e vrazhdëta që pushteti gjilanas ndërmerr ndaj qytetarëve për të kryer obligimet, e kemi fjalën për maltretimin që pushteti gjilanas ua bën qytetarëve dhe për mosangazhimin e tij që t’u ndihmojë qytetarëve e t’ua lehtësojë jetën. Ja një shembull: para pak ditësh u kërkua që të gjithë shfrytëzuesit e buxhetit të shtetit, përmes vërtetimeve të posaçme, të dëshmojnë kryerjen e borxheve ndaj shtetit. Me mijëra punëtorë arsimorë vërshuan sportelet e komunës për t’i siguruar ato. U dashtë të prisnin arsimtarët në rreshtat e gjatë e në grumbujt e mëdhenj të njerëzve për të nxjerrë një vërtetim, i cili, sërish, do të përfundonte në një nga institucionet e po këtij vendi! Përse u maltretuan punëtoret e shërbimeve publike aq shumë?! Përse u maltretuan, me gjithë ato punë, edhe punëtorët e sporteleve?! A ishte e nevojshme të veprohej ashtu?! A është administrata jonë aq e prapambetur, aq primitive, sa një drejtori të mos komunikojë me drejtorinë tjetër, që punët për qytetarin t’i kryente ajo dhe të mos i maltretonte qytetarët ashtu si i maltretoi?!
Në një mes shoqëror të vetëdijshëm dhe me kulturë politike, i pamerituari nuk do të mund të zinte vend udhëheqës. As partia politike e tij nuk do të bëhej e verbër e ta lejonte një gjë të tillë, si po ndodh në rastin tonë, sepse ai udhëheqës është pasqyra e votuesve dhe e partisë së tij. Një parti me kulturë të nevojshme politike, prandaj, kurrë nuk do ta nxirrte udhëheqësin e padenjë, i cili bëhet kompromituesi më i madh i saj.
Në rast se, në ndonjë mes shoqëror të vetëdijshëm dhe me kulturë politike, do të ndodhte vendosja e ndonjë të pamerituari në vendin udhëheqës, do të kishte reagime shoqërore e politiko-partiake të nevojshme dhe një marrëzi e tillë do të mënjanohej. Ndaj të metave të udhëheqësit të pamerituar, do të reagonte, në radhë të parë, votuesi, anëtari, simpatizanti partiak, i cili do një imazh pozitiv dhe vlerën shoqërore të partisë së tij. Prandaj, në vendet e zhvilluara, ku ka vetëdije qytetare dhe vetëdije e kulturë politike, udhëheqësi i gabuar, edhe për një gjë fare të vogël, jep dorëheqje, del para gjyqit dhe dënohet, sepse këtë gjë, pa asnjë kusht, e kërkon vetë partia e tij politike, pasi këtë gjë e do votuesi i tij i vetëdijshëm e me kulturë politike.
Në mesin tonë, ku ka ndodhur të vendoset në vend udhëheqës edhe më i pamerituari, imponohen dy gjëra: e para, të mënjanohen të pamerituarit dhe në vend të tyre të vijnë njerëz me vlerë (me autoritet, dije e virtyte) dhe, e dyta, të mënjanohen të metat e deritashme të udhëheqësve jomeritorë.
Kështu, p.sh., ndër të tjera, duhet anuluar të gjitha vendimet e Kuvendit Komunal, të cilat instalojnë një sistem shoqëror anakronik e diktatorial, i cili bëhet shkak i keqtrajtimit të qytetarëve; vendimet e ndryshme të Kuvendit Komunal, të cilat janë në kundërshtim me ligjin, në kundërshtim me rregulloret e arsimit të Kosovës dhe në kundërshtim me dijet dhe kërkesat pedagogjike, siç janë p.sh. rregullat e ngurta lidhur me regjistrimin e nxënësve në klasën e parë të shkollës fillore ose regjistrimin e nxënësve në gjimnaz, jo sipas konkursit, po sipas vendimit në zyrën e kryetarit të komunës; vendimin, sipas të cilit, punësimi në arsim bëhet përmes provimit pranues, sipas Fakultetit të Edukimit në Gjilan (askush nuk ka të drejtë t’i maltretojë arsimtarët që konkurrojnë për punë në arsim, as Fakulteti i Edukimit nuk ka të drejtë të përzihet në punët që nuk i takojnë!) dhe që, në vend të kësaj, të respektohet konkursi zyrtar; të mënjanohet praktika e punësimit të arsimtarëve pa konkurs dhe të shpallet konkursi për vendet e zëna në mënyrë të paligjshme, si ka ndodhur p. sh. në gjimnazin “Z. Hajdini” (lënda e Gjeografisë, Ekonomisë etj. ); të mënjanohen pasojat e një politike injorante ndaj kulturës, e cila nuk i njeh krijuesit, nuk i përkrah, as stimulon zhvillimin kulturor në komunë, po veç çirret kinse po bën diç me vlerë, si p.sh. duke huazuar madje, sa për reklamë, edhe projektet e ndonjë komuneje tjetër. E të tjera. E të tjera.
P.s.
Në fund të këtij shkrimi, m’u imponua për meditim pyetja: Pse e shkrova një shkrim të tillë, i cili mund të jetë edhe shkak i revoltës e i reagimit të ndokujt?
Përgjigjja e vetme që gjeta qe pakënaqësia me realitetin e jetës sonë shoqërore e institucionale, si dhe nevoja e dëshira njerëzore për t’i kontribuuar përsosjes së jetës njerëzore këtu, që ishte edhe motivi fillestar i shkrimit.


