Deda: Qeveria i ka shkelë shumicën e premtimeve me të cilat erdhi në pushtet
Opinionisti politik Ilir Deda ka potencuar se Bashkimi Evripian ka kërkuar që të ndryshohet Ligji për Prokurimin Publik pjesë e të cilit janë edhe kontrata njëburimore, për të cilat së fundi është duke u zhvilluar një debat i gjerë mes partive opozitare dhe pozitës së vendit.
Në Rubikon të Klan Kosovës, ai ka thënë se duket që qëllimisht nuk është ndryshuar ligji në fjalë, duke përmendur se vet Lëvizja Vetëvendosje kishte kritikuar partitë e tjera që ishin në pushtet për krijimin e kontratave njëburimore, dhe tani se vet këta po bëjnë kontrata të tilla.
“Natyrisht se në ato kritika ka qenë shumë e zëshme Lëvizja Vetëvendosje vet. Tani këta vijnë në pushtet i kanë 1,700 kontrata një burimore në vlerë të 270 milionë eurove dhe arsyetohen se ne jemi të këqinj, por edhe ata në të kaluarën kane qenë njëjtë”, ka thënë Deda.
“Me qenë qeveri e përgjegjshme e që nuk është, me qenë dhe një qeveri transparente, apo një qeveri që do të vendosë standard të ri në qeverisje e që nuk e ka bërë, do të kishte dalë dhe do të thoshte se këto janë arsyet se pse ne kemi bërë kontrata një burimore, këto janë arsyet që na lejojnë me ligj, këta nuk kanë arsye dhe tani merren me të kaluarën”, ka thënë Deda.
Tutje, ai theksoi se në deklaratat e LVV-së dhe krahasimin e bërë me pushtetet e kaluara në vend për kontratat njëburimore, ky subjekt politik ka shkelur premtimet e veta që i kishte dhënë sa nuk ishte në pozitë.
“Këta njerëz nuk dëshirojnë të japin përgjegjësi, nuk dëshirojnë të jenë ndryshimi, nuk duan me qeveris ndryshe edhe e hyjnë në debat me mbrojtje katastrofale që edhe ata të tjerët kanë bërë kështu si na. Çfarë na mbetet të shohim neve të tjerëve është që shumicën e premtimeve qeveria para se të vinte në pushtet të cilat i ka dhënë i ka shkelur se do të matet vetëm me veten e vet. Këta kanë thënë se do të vendosin standardin e ri dhe se do të maten me veten e tonë, e që në fund doli se është e pavërtetë”.