De Biasi: ‘No coment’ për Berishën

Kohëve të fundit po qarkullojnë fjalë për mundësinë e kthimit të Besart Berishës në Kombëtaren shqiptare, për t’i ndihmuar kuqezinjtë në Kampionatin Evropian “Franca 2016”.
Sulmuesi kosovar nuk ka luajtur qe një kohë shumë të gjatë për Shqipërinë, që nga periudha kur ishte transferuar në Australi, me arsyetim se nuk po mund ta përballojë dot largësinë për të udhëtuar.
E “Zëri”, e ka pyetur për këtë punë trajnerin Gianni De Biasi, pikërisht personin përgjegjës, i cili megjithatë nuk e ka dhënë një përgjigje të prerë apo të qartë, duke i lënë të hapura të gjitha mundësitë. “No comment për Berishën”, është shprehur shkurt De Biasi, i cili e ka dhënë të njëjtën përgjigje edhe kur u pyet nga gazeta për futbollistin në super-formë Bernard Berisha, i cili së fundmi e la Skënderbeun për Anzhin.
Në fakt, De Biasi kishte kontaktuar disa herë me Besart Berishën gjatë eliminatoreve për Kampionatin Evropian. Por, sulmuesi i Melbourne Victory nuk ishte në gjendje t’i përgjigjej pozitivisht ftesës së italianit, duke theksuar se udhëtimet e largëta ia pamundësojnë të japë kontribut maksimal për Shqipërinë, e po ashtu udhëtimet e gjata do të mundë ta lodhnin dhe nuk do të mundë ta ndihmonte as ekipin e tij australian.
Por, tani kur ekipi kuqezi është kualifikuar në “Francë 2016”, sulmuesi i Melbourne Victory e ka dhënë një intervistë për mediat australiane, duke e shprehur gatishmërinë e tij që të kthehet në Kombëtaren shqiptare për garën e madhe evropiane që zhvillohet gjatë verës, nëse Shqipëria ka nevojë për të.
Mirëpo, qarkullojnë zëra që thonë se disa futbollistë dhe zyrtarë të Shqipërisë tani nuk e duan Berishën në mesin e tyre, me arsyetimin se kur kishin nevojë për të, ai nuk i përgjigjej pozitivisht ftesës, duke mos i marrë parasysh arsyetimet e sulmuesit të njohur. Madje, thuhet se tani kundërshtimi ndaj Berishës është i theksueshëm në kampin kuqezi.
Edhe vetë Gianni De Biasi pati deklaruar se futbollistët që kanë luajtur në kualifikime do të kenë përparësi të padiskutueshme për t’i marrë me vete në Kampionatin Evropian. Por, ai kërkonte nga lojtarët të stabilizohen nëpër klubet e tyre, derisa nuk e pati përjashtuar mundësinë për ta sjellë ndonjë risi në ekipin e tij.
Besart Berisha po luan me shumë sukses në futbollin australian në vitet e fundit dhe është njëri prej sulmuesve më në formë shqiptarë qe një kohë të gjatë.
Shqipëria është në grup me Zvicrën, Francën dhe Rumaninë dhe do ta nisë kampanjën evropiane më 11 qershor, ndaj ekipit helvetik, për të cilin do të luajnë Valon Behrami, Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Blerim Xhemaili, Admir Mehmedi e Pajtim Kasami.