Fundamenti

Dasma në asfalt

/ 6 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Ibrahim Rexhepi – “Rruga e kombit” po dëshmon se civilizimi nuk vjen me autostradë. Individë nga të dyja anët e kufirit rrezikojnë jetën e të tjerëve për pak përfitime materiale, apo për kënaqësi individuale. Rreziku po krijohet me barrikadat, relitë e egra, dasmat në asfalt.

Thonë se “Shqipëria është nëna e vakive”. Por hiq larg kësaj nuk është as Kosova. Po dëshmojmë se jemi të një gjuhe e të një gjaku, si edhe të veseve të njëjta, si të mira, apo të këqija. Ndërkaq në këtë hapësirë ndodhin ngjarje të cilat nuk i kanë llogaritur qeveritë e të dyja vendeve kur kanë marrë vendimin për projektin e shekullit 21, autostradën, e cila jo vetëm se do të lidhë të dyja anët e kufirit, por do të bëjë më të lehtë integrimin e kombit dhe bartjen e tij drejt civilizimit, prosperitetit material dhe integrimit evropian.

Por, një apel i Policisë së Kosovës tregon më së miri se ende nuk është kuptuar qëllimi i vërtetë i projektit prej dy miliardë eurosh. Ajo iu tërheq vërejtjen qytetarëve që të mos bëjnë dasma në asfalt! Më saktësisht kërkon nga organizatorët e dasmave që kolonat e automjeteve të mos ndalen në mes të autostradës dhe aty të heqin valle, e të ngrenë dolli!

Ky është vetëm një rast i keqpërdorimit të asfaltit, përkatësisht i rrugëve me shumë korsi. Para pak javësh Policia e Kosovës ka bllokuar një garë automobilistike – reli, e cila në mënyrë klandestine ishte organizuar në një pjesë të autostradës kosovare. Individë që nuk e kanë shumë dert pse rrezikojnë jetën e të tjerëve, bllokojnë rrugën për zhvillimin garës – kush është më i shpejtë. Në këtë garë ka baste e fitime.
Mirëpo, policia e ka të vështirë të kontrollojë të gjitha relitë klandestine dhe të gjitha rrugët e Kosovës. Para pak netësh, në orët e para të një dite vikendi, një numër i madh njerëzish dhe makinash kishin bllokuar rrugën magjistrale Prishtinë – Ferizaj, saktësisht te rrethrrotullimi afër QMI-së. “Prisni deri sa të startojnë garuesit”, ishte urdhri i prerë i tipit që kishte marrë guximin të bllokonte qarkullimin në rrugën nacionale. Urdhri ishte kërcënues dhe atij i nënshtrohej secili që kishte rastisur në at vend, në ato orë të hershme të një ditë gushti. Gara filloj, e pas pak minutash edhe rruga u zhbllokua, por sërish udhëtarët ishin të rrezikuar nga shpejtësia e disa veturave, ku pjesëtarët e këtij spektakli të rrezikshëm nguteshin të kuptonin rezultatin garës.

Uji Dea

Ndërkaq, nga ana tjetër e kufirit, pas shumë vitesh, sërish u paraqit dukuria e plaçkitjes së udhëtarëve, kryesisht kosovarëve, të cilët tash e kanë detin larg vetëm tri orë. Njerëz të armatosur shëtisin nëpër autostradë dhe ua fusin tmerrin kalimtarëve. Ngritin barrikada, apo vendosin pengesa të tjera që më lehtë të kapin prenë. Fare nuk brengosen se kjo mund të kushtoj me jetën e dikujt. Ata kanë qëllimin e tyre – të plaçkitin krejt çka është e mundur- para celularë, gjësende me vlerë, apo edhe krejt makinën. Për fat të keq, policia kurrë nuk u gjind aty në këto momente kritike. Shihet se plaçkitësit autostradën e kontrollojnë më mirë se patrullat e përbashkëta policore. Kjo ishte arsyeja që shumë kosovarë sivjet kanë hezituar që të shkojnë në bregdet ku secilin vit lënë së paku 200 milionë euro.

Sado që dukuri kriminale ndodhin në secilin vend, megjithatë ndodhitë e tilla në rrugën që duhet të bartë shqiptarët drejt civilizimit, zhvillimit ekonomik dhe drejt proceseve integruese, dëshmojnë se këto nuk varen vetëm nga sasia e asfaltit dhe shuma e parave që derdhen në autostrada. Ka edhe diçka tjetër që mund të jetë shumë më e rëndësishme se një projekt fizik. Kjo krejt ndërlidhet me funksionimin e shtetit, ngritjen e nivelit të sigurisë dhe gatishmërinë e njerëzve që të jenë pjesë e këtyre proceseve. Mirëpo, këtë nivel është vështirë të arrijmë, meqenëse në shoqërinë tonë në të dyja anët e kufirit shumëçka nisë mbi bazën krimit dhe të lakmisë për përfitime individuale, duke dëmtuar interesin e përgjithshëm.

Rastet që po ndodhin në autostradën Durrës- Prishtinë mund të jenë individuale dhe të kryera nga aktorët, të cilët në të gjitha rrethanat, ndoshta, do të kishin sjellje të njëjta. Të tillët nuk e kanë dert pse rrezikojnë jetën e të tjerëve, apo pse dëmtojnë turizmin e zhvillimin ekonomik e sociale. Apo, pse “rruga e kombit”, në vend se të jetë simbol i zhvillimit dhe i integrimit, po bëhet rrugë e rrezikut. Krejt në fund fajtorë kryesor del të jetë pushteti, përkatësisht qeveritë si në Prishtinë, ashtu edhe në Tiranë, të cilat me ndërtimin e autostradës qëllim kishin vetëm si të lidhin Durrësin e Prishtinën, por jo edhe të nxisin zhvillimin ekonomik dhe të ulin varfërinë. U investuan rreth dy miliardë euro, e ato nuk reflektuan në rritjen ekonomike, apo përmirësimin e mirëqenies sociale. Sërish ka varfëri, e kjo, zakonisht përcillet edhe me krim. Po ashtu, nuk funksionon mekanizmi i kontrollit dhe i sigurisë, me kompetencë për ndëshkimin e ashpër të atyre që keqpërdorin një vlerë kombëtare dhe rrezikojnë jetën e njerëzve të pafajshëm. Ose, mund të jetë edhe një e vërtetë tjetër. Nëse qeveritë e nisën projektin madhorë edhe për përfitime individuale, atëherë pse këtë të mos e bëjnë edhe të tjerët ?! Krimi nxitë krimin. Autostradën qeveritarët nisën ta vjedhin derisa ishte ende në letra, e tash secili plaçkitës e hajn këtë e bënë në mënyrën e vet.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)