UBT

Dashuria si lajtmotiv estetik i një shpirti rebelues

/ 10 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Hasan Bunjaku – Një impresion për përmbledhjen e poezive të Fehmi Korçës – “Përtej poleve të jetës” e cila pa dritën e botimit në njëvjetorin e shkuarjes së tij në amshim.

Fehmi Korça, i cili, dashamirësve të fjalës së bukur artistike, nuk u është një emër i panjohur, sepse, pas Përmbledhjes së parë të poezive – “Nuk jam larg”, edituar më 2011, veçmas tri-katër vitet e fundit, ishte tejet produktiv në sferën e të vargëruarit, dhe të të botuarit të një sërë poezishë veçmas, postuar në Facebook-un e tij, por edhe në ndonjë të përditshme, apo revistë periodike shqiptare – e të cilin, vdekja e hershme, si një tufan të rrëmbyeshëm, ia ndërpreu turrin pikërisht kur tashmë arti i të shkruarit, i ishte bërë, thuaja, obsesion – pas librit të parë, i cili u prit fort mirë nga recipientët, por edhe njohësit më eminentë të kësaj branshe, këto ditë, doli me përmbledhjen e dytë, ndonëse të papërfunduar, që e kishte përgatitur për të gjallë të tij, titulluar “Përtej poleve të jetës”…

Ndonëse, përmbledhja e poezive “Përtej poleve të jetës”, do të dilte edhe më e kompletuar, e gjithsesi, edhe më e vëllimshme, po ta përgatiste për shtyp autori vetë, mirëpo, ja që këtë nuk ia lejoi vdekja e hershme fare tinëzare, megjithatë, ajo, si për nga mbarështimi i lëndës, renditjes së saj, sikundër edhe anës teknike, mund të thuhet se nuk i mungon gjë. Nga këto 25 poezi, shpërfaqet i tërë talenti, dhe niveli letrar i një krijuesi tashmë të pjekur, meqë synon vetë majat e vlerave estetike, të krijimtarisë sonë poetike.

Vetë Fehmiu, edhe me këtë rast, na dëshmon se aktualisht, poezinë së zhanër letrar, madje si asnjëherë më parë, e lërojnë një numër i konsideruar krijuesish, si askund tjetër në Evropë, por edhe në Ballkan, sa e si tek ne shqiptarët.

Fehmiu, mbase edhe më herët do ta ketë zbulua në vetveten këtë dhunti, që jo gjithkujt i jipet, dhe ajo që vërehet tek ky krijues, fatmjerisht, jetëshkurtër, është gradacioni ngritës në diagramin krijues të tij, qoftë në thellimin e motivimeve e preokupimeve tematike, qoftë në thellimin e nocioneve e credove artistike, duke dalë çdo herë me vargje më të kultivuara se në poezinë paraprake.

Dashuria si kategori universale, është në fakt lajtmotiv, i cili, si një pe i kuq, e tejshkon tërë poezinë e krijuesit Fehmi Korçës, e cila bën që e tërë poetika e tij të jetë, sa origjinale, aq edhe e mëvetësishme; sa kombëtare, aq edhe altruiste; sa humane, aq edhe etike… Dhe, krahas dashurisë ndaj partneres jetësore, kjo dashuri e këtij shpirti krijues rebelues, ka të bëjë edhe ndaj të afërmve, pragut të shtëpisë së vjetër, prindërve, lagjes e fshatit të lindjes, dhe përgjithësisht, vendlindjes si Mëmë e At-dhe, që përmes vargjeve që shprehin mall të pashuar të gurbetqarit ndaj ndaj çdogjëje të vendlindjes, prej sendeve më triviale e deri tek çështjet kruciale që kanë të bëjnë me bashkëvendësit dhe shtetin e Kosovës, e përmes personazheve emblematikë të historisë sonë të lavdishme, që nga Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, përmes vëllazërve Gërvalla, Kadri Zekës, Ukshin Hotit, dr. Fehmi Aganit, Ibrahim Uruqit, Bekim Fehmiut e një seri të heronjve të Luftërave të fundit Çlirimtare të trojeve shqiptare në Kosovë, Kosovën Lindore e në Iliridë. – që shpreh tërë dashurinë dhe pietetin ndaj çështjes atdhetare.

Pra, pikërisht në këtë trini ideo-artistik, Fehmi Korça, do ta mbështesë tërë potencialin e preokupimit tematik: Dashurinë, si ndjesi shpirtërore e çdo qenie njerëzore; dashuria, në formë malli të mërgimtarit ndaj çdo gjëje të kaluar, gjerat sendet dhe njerëzit e tij të vendlindjes, dhe – dashuria, në formë pieteti e respekti të lartë ndaj çështjes madhore kombëtare.

Mbi këtë trinom e superstrukturon poetikën e tij, autori, i cili, me një varg të lirë, pa ngarkesa të mëdha figurash stilistike, tropesh e simbolesh; me poezi që nuk bien erë parfumi, make up-i, pispillosje: pa stoli dhe “xingla-mingla”, jep mesazhe të fuqishme, me një gjuhë të pastër, me figura të gjetura mirë, me fjalë të kursyera e porosi të mirëfillta – duke bërë kështu që poetika e tij të komunikojë shlirshëm e aq këndshëm si tek ata me gusto e kërkesa më të mëdha ndaj fjalës së shkruar artistike, ashtu edhe tek një shtresë më e gjerë e lexuesve të të gjitha kategorive sociale e shkallëve të shkollimit.

Fehmiu, sa është një shpirt i furishëm e rebeles ndaj çdo gjëje të “zezë” në shoqërinë shqiptare, aq është edhe një shpirt subtil e skofiar në momentet e mallit të furishëm, që e përcjell madje edhe në ëndrra; kur u drejtohet më të dashurve të vet, familjarëve, miqve e mikeshave – duke rrezatuar kështu një energji pozitive. Si një sogjetar i rryer, ai pikasë çdo gjë rreth vetes, në rrethin e në botën në të cilën jeton, dhe duke u përpjekur që sadopak t’i “drejtojë” gjërat, shpreh një gamë të tërë ndjesishë, sa në formë lutëse, sa në formë mllefi ndaj fenomeneve e sociale e shkaktarëve të tyre:

“… Dua ta shoh botën me sytë e nënës,
dua që jetës t’i jap kuptim me ndjesinë e saj…” (”Me sytë e nënës”), ose:
“…Kur fryn murlani,
ii zog i mekur shtegtari,
në kujtesë më vjen
djepi e sofra
pragu i vjetër i shtëpisë…” (“Murlani”),

FIDANISHTJA

Por, autori, kurrë s’e pranon se është i shkyçur nga vendlindja, se në mërgim nuk vajti me vetëdashje, apo për ndonjë luks, por thjesht, sepse ishte i shtyrë ta bënte këtë, porse, një ditë patjetër do të kthehet për fare në vendlindje, sepse: “… Jam si degët e dushkut/ prapë filizat e rinj i çel/ se rrënjët i kam thellë/ nën këtë dhe…” (“Era”), “… Se fruti i këputur/ diku nga trungu/ kthehet dhe mbjell farë…” (“Stinët”), fundi i fundit: “… Çdo fillim e ka një mbarim/ kur njëra derë mbyllet/ tjetra hapet sërish! Nga e para do të trokas/ e do të thërras: / Mirëmëngjesi jetë, në dheun tim…” (”Murlani i jetës”), sepse: “… Atdheu qenka lindja dhe perëndimi/ Unë biri i tij, kam shumë mall…”, e “… Nëse malli më kaplon/ e di cilën derë do trokas…” (“Nëse”).

Një frymëzim i aty për atyshëm, ashtu si i vijnë vargjet, ashtu edhe i qet në letër, Fehmiu, madje, pa i “krehur” mëtutje, pa i “herrur” fare, andaj vjershërimi i tij është aq i natyrshëm, aq i paimponueshëm, aq i rëndomtë, thuaja, tashmë kaherë bashkëjeton me vargjet e këtij autori, sadopak aderues i këtij zhanri të të shkruarit artistik qoftë:

“… Lindja jote
e rilind shpirtin
si ninulla e djepit,
si toka në pranverë,
që lind e rritë jetë…” (“Vargu im”);
ose:
“…Ku po e endim pëlhurën e jetës së re?
pa harruar kush ishim
e kush jemi për këtë dhe…” (“Rrënjë të pleksura në kohë…”)
ose:
“… Të gjithë ikën,
mbetëm si qyqe në degë.
Jemi apo ishim?…” (“Jemi ne”)

Edhe në poezitë përkushtuese, personaliteteve atdhetare, martirëve, dëshmorëve e heronjve të kombit, kurdo ia dl që t’i ik antonimit narrativ, krijon vargje shumë të qëndrueshme e me vlerë të lartë estetike:

”… Merre këtë gur!/ mos e kthe në ogurzi/ dhe ndërto një urë!/ Aty ku njeriu lind njeri./ …. (“Kalendari në gur”), e veçmas “…Pusho në qetësi, Odiseu ynë! / prej hirit tënd, do zgjohet legjenda/ Se nuk shterron Lumbardhi, jo!…” (“Lumbardhi”), kushtuar aktorit më të madh shqiptar, Bekim Fehmiut; apo, :”… Të lindi kjo tokë,/ tribun lirie,/ U bëre Orë Historie/ spektër drite…” (“Orë Historie”), kushtuar dëshmorit, Ibrahim Uruqit.

Një pjesë të mirë të poezive të Fehmi Korcës, që i janë përkushtuar dashurisë së mirëfilltë, janë me vargje tejet të matura mirë e që e ruajnë drejtpeshimin etik dhe atë estetik, pa erotikë e porno-përshkrime, por si një proces dhe kategori utilitare jetësore, që poashtu ndërthurren e miksohen me ato dy postulatet tjera: malli për vendlindje e Atdhe, dhe atdhedashuria si palcë e qenies së këtij krijuesi jetëshkurtër. Si në poezitë: “Pa ty”, “Përjetësisht”, “Portreti yt”, “Rilindja poetike”, “Era”, “Titulli”, “Hesht” e ndonjë tjetër:

“…Pa ty/ e zbrazët është jeta/ ndihem i huaj në kockat e mia…” , ose “…Nurmrekullia ime/të gjithin më pushton/ kur me qirinj tëndezur/presim agimin/ thurrim ëndrrat e jetës…” ; “…Dashuria është e bekuar/ kështu do të jetë deri në amshim./ Ngase…/ Ti je portreti im…”, apo, “ …Aty ku lind jeta/Lind edhe vargu/dashuria lëshon/ rrënjë thellësisht…”, por, edhe: “Jeta qenka një uragan/po bëhu pishtar i dashurisë/mos ta shuajë asnjë murlan./ Dashuria është bekim i Perëndisë…”, sikundër edhe: “… Hesht!!!/Sonte dua vetëm/të rrahurat e zemrës t’i ndij…”, për ta përmbyllur me vargjet kaq sinjifikative: “… Dashuria për njeriun/ është tempulli që e kërkoj…”

Një tufan, një uragan, a një vullkan, e përmbushë përbrenda, por edhe gjithandej rreth tij poetin Fehmi Korça, poetin e një shpirti të parehatueshëm e madje edhe jo rrallë, edhe rebeles, vjershtorin e një akribie solide estetike, me elemente edhe meditative, refleksive, andaj, dhembja për ikjen e tij të hershme në amshim, bëhet më e madhe, sepse do kishim një krijues reprezentativ letrar. Madje, mbase mund të jetë kjo vetëm një përshtypje imja personale, që Fehmi Korça, sikur e parandjente këtë ikje fizike kaq të beftë në pakshim, sepse, poezitë më të shumëta e do të thoja më të mira i shkroi asaj pranvere e vere, para se të ndërronte jetë.

“ Të shkruash poezi, është ndjesi. Por kur e do poezinë, është një mrekulli.” – do të shkruajë ai një meditim personal në “murin” e profilit të Facebookut të tij, një diçka – sikur ishte një porosi, mesazh a një testament, i poetit, i cili u “dogj” në mallin e tij për vendlindje, për postulatet etike të një njeriu përplot energji pozitive, koncepte këto që me të madhe i shprehu përmes vargjeve të tij, që në fakt, ishin e mbetën një pasqyrë e një zemre e shpirti të çiltërt, siç qe fare i sinqertë edhe në poetikën e tij, pa të cilën letërsia jonë, gjithsesi do të jetë më e mangët, siç do ta ndjejnë mungesën e tij, lexuesit, që i deshi aq shumë, miqtë, familja e ngushtë dhe ajo e gjerë Korça, gjithandej trojeve tona etnike.

Poezia e tij, sikundër edhe kujtimi për poetin Fehmi Korça, do të jenë të përjetëshme, e ai, u preftë në tokën amë të Kosovës, që e adhuroi kaq fort./rajonipress/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.