Eko Higjiena

Dardha kakiçke

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Nga Milaim Shefkiu – Ndryshimet në Kushtetutën e Kosovës janë bërë të pashmangshme, sidomos me vendimin e Qeverisë për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Ushtria e re, që të jetë e ligjshme, si e do rendi, duhet të ketë mbështetje kushtetuese. Krejt kjo është OK, por halli është se kjo mbështetje arrihet vetëm kur Kuvendi i Kosovës të sigurojë dy të tretat e votave të shumicës dhe dy të tretat e votave të deputetëve të pakicës. Do të thotë, Forcat e Armatosura të Kosovës mund të bëhen ushtri kur pakicat e japin “izën”.

Nëse Rashiq, Petroviq dhe Jagxhillar e kundërshtojnë, FSK nuk mund të bëhet FAK. Fshehtësia e “Thembrës së Akili”, mbahet nga pakicat pasi në këtë rast ndryshimi i Kushtetutës varen nga ta që katërçipërisht po zbulon se Kushtetuta e ndërtuar sipas Pakos së Ahtisarit është si “dardha kakiçke me bisht”. Bishti në këtë rast janë pakicat të cilat tashmë e kanë bërë të qartë ofertën: “Kosova duhet ta jep të dhimbshmen, për ta marrë të konvenueshmen”. Duhet t’i japë 10 vende në Kuvend, për ta bërë FAK-un të ligjshëm.

Këtë lojë “emocionale”, nuk dihet nëse e kanë luajtur kaq mirë pakicat, apo ka ditur ta luajë kryeministri Hashim Thaçi. Që në njërën anë ta bëjë FSK-në ushtri, dhe në anën tjetër t’i ruajë raportet e mira me ndërkombëtarët, duke u dëshmuar si politikan altruist, se është i gatshëm t’ua japë “dhuratë” edhe dhjetë vende pakicave në Kuvend edhe për një nomenklaturë parlamentare.

Vendet e rezervuara duket se janë çështje e pakontestueshme, sepse më e rëndësishme është ushtria e Kosovës sesa 10 vende për pakicat. Fundi i fundit, pakicat edhe ashtu i kanë pasur vendet e rezervuara dhe nuk kanë lënë ndonjë gjurmë që mbahen në mend, përveç që e kanë mundësuar qëndrim “pip” në këmbë të qeverisë Thaçi.

Ajo që është më e rëndësishme në këtë proces, është ndryshimi i Kushtetutës jo vetëm për FAK-un, por për të gjitha çështjet tjera të hapura. Këtu duhet të ndryshohet edhe Ligji për Zgjedhjet, edhe atë për Presidentin, edhe ndonjë çështje e “harruar” siç është komuniteti malazez, për të cilin Podgorica e çoi pluhur disa herë, madje e kushtëzoi edhe hapjen e ambasadës së Kosovës në Mal të Zi me futjen e komunitetit malazez si pakicë në Kosovë.

Fundamenti

Duke i parë zhvillimet e deritanishme se Pakoja e Ahtisarit ka lënë shumë çështje kontestuese, duhet menduar mirë se Kushtetuta nuk mund të modifikohet sa herë që do Prishtina. Kësaj here Ushtria e Kosovës po kushtëzohet me vendet e rezervuara, ndërsa këtë kusht po e vënë pakicat që njihen për qëndrim lojal ndaj institucioneve të Kosovës.

Pas zgjedhjeve të përgjithshme në skenën politike do të instalohet lista “Srpska” e cila do të mbajë, si rëndom, lidhje të fuqishme me Beogradin dhe do ta sfidojë përditë Prishtinën. Për këtë duhet të jenë më vigjilentë edhe ligjvënësit e të gjitha taborëve, se ndryshimet e Kushtetutës në të ardhmen do të sfidohen nga deputetët serbë.

Për ata që kanë harruar, ua përkujtoj se në nomenklaturën e parë qeverisëse, pakica serbe ka qenë e përfaqësuar në Kuvend me 22 deputetë, duke qenë forca e tretë më e fuqishme parlamentare. Kjo mund të ndodhë kollaj edhe në nomenklaturën e ardhshme dhe Kushtetuta do të mbetet tabu për një kohë të gjatë. Prandaj është më shumë se sa e rëndësishme, që deputetët mos të merren me emrin FAK, FUK a FARK, por me çështjet substanciale.

Një rrëfim i kamotshëm për Mehmet Pasha (Pushtuesi) mund t’i shkojë për shtati kësaj situate. Kur i rrethoi muret e Konstantinopojës (Stambollit) dhe për çdo çast pritej sulmi mbi qytet, ata brenda, drejtuesit e Bizantit, në vend që të organizoheshin për mbrojtjen e qytetit, merreshin me studimin e gjinisë së djallit. Ja është mashkull, ja është femër…”.
Edhe këtu te ne, sot, partitë politike po merren me emrin e ushtrisë. Jo FAK, jo FUK, jo FARK, harrojnë ligjshmërinë dhe funksionimin e shtetit.