Dardania e Bazelit, në Kosovë për testim kundër skuadrave elite

Por jo vetëm kaq, kundër Haitit, thonë ata, do të jemi aty. Po ashtu kundër Prishtinës, Fushë-Kosovës e Dritës do të përballemi e do të luftojmë për fitore. FC Dardania e Bazelit po del kështu të jetë ekipi i parë i Zvicrës që udhëton nga Bazeli me një staf prej 40 personash në drejtim të aeroportit të Prishtinës për të parë ndeshjen e parë të reprezentacionit të Kosovës kundër Haitit që do të luhet më 5 mars në stadiumin „Adem Jashari“ në Mitrovicë.
Super aventura e futbollistëve të Dardanisë së Bazelit nis të premten, më 28 shkurt, me vendosjen e tyre në Grand Hotel Prishtina dhe ata i gëzohen lojës kundër kampionit të Kosovës, Prishtinës. Ndërkohë që derbi më i madh shqiptar që luhet të dielën mes Gjilanit dhe Dritës nuk do t’iu ikë pa e parë. Fundja, ky është një derbi që kanë shkruar edhe mediat e huaja, shprehet trajneri i FC Dardanisë.
Në këtë udhëtim pesëditor futbollistët e Bazelit do të kenë rastin të masin forcat e tyre kundër ekipeve elite të Kosovës. Ndonëse janë të vetëdijshëm se kundër ekipeve si Prishtina e Drita do ta kenë shumë vështirë t’iu rezistojnë, thotë trajneri i FC Dardanisë, Enver Hajdari.
„Sido që të jetë, rezultati ka pak rëndësi, për ne është më rëndësi të zhvillojmë një lojë të mirë, duke përfituar nga cilësia e lojtarëve profesionistë“, meqë siç thotë Hajdari „ne futbollin e kemi pasion, nuk jemi profesionistë“.
Mirëpo, modestia e tij flet diçka tjetër. Dardania e Bazelit kohë më parë nga Federata e Futbollit të Kosovës u vlerësua si njëri ndër klubet me të suksesshme të diasporës kosovare.
Në mesin e kësaj skuadre ka lojtarë të rinj që kanë qenë pjesë edhe e ekipeve të juniorëve të FC Bazelit. Sikur është mesfushori Artan Shillova, që ka qenë pjesë e ekipit U-18 të FC Bazeli. Dhe i riu tjetër, Përparim Rafuna, i cili po ashtu ka ardhur në Dardaninë e Bazelit nga ekipi i juniorëve të FC Bazelit. Përderisa lojtari kyç i këtij ekipi është po ashtu mesfushori Bajram Salihu, që ka luajtur më parë te Flamurtari, KEK-u dhe Fushë-Kosova.
Ndeshjen e parë miqësore futbollistët shqiptarë të Zvicrës do ta zhvillojnë të shtunën, më 1 mars, në orë 12.00 kundër kampionit të Kosovës, Prishtinës.
Më pas, të dielën, do të jenë mysafirë në Gjilan, ku luhet çerekfinalja për Kupën e Kosovës mes KF Drita – KF Gjilani, që njëherësh njihet si derbi më i madh shqiptar.
Kurse lojën e dytë miqësore do ta zhvillojnë të hënën në orën 14.00 kundër Fushë Kosovës në Fushë-Kosovë.
Ndërkohë që të martën ata presin (konfirmimin) të luajnë kundër KF Drita në Gjilan.
Përderisa të mërkurën, më 5 mars, ata do jenë në Mitrovicë në stadiumin “Adem Jashari” për të përcjellë ndeshjen e parë të reprezentacionit të Kosovës kundër Haitit./
Bekim Dalipi/albinfo/