Dardan Gashi: LDK e ka keqpërdorur Familjen Rugova, FAK duhet të bëhet FARK
LDK ia ka kthyer shpinën Familjes së Ibrahim Rugova prej momentit të arrestimit të Ukë Rugovës. Partia e Isa Mustafës e ka përdorë Familjen Rugova vetëm për vota. Ukë Rugova duhet të mbrohet në liri sepse veprat për të cilat dyshohet s’e rrezikojnë askënd. Lista “Ibrahim Rugova” po shkon drejt shuarjes. Por, do të vazhdojmë të jemi në politikë. Unë nuk shkoj në LDK. Emri i FAK’ut duhet të bëhet FARK. Shëndetësia ka degraduar dhe QKUK është shndërruar në fjetore ku nuk bëhen as analizat. Tribunali për pretendimet e Dick Martyt është i mirëseardhur. Njëri prej themeluesve të Listës “Ibrahim Rugova”, Dardan Gashi, flet për Express.
Express: Ku është Lista “Ibrahim Rugova”, pa deputetin Ukë Rugova?
D. Gashi: Lista “Ibrahim Rugova” edhe para se me ndodh kjo që ka ndodh, pra prej tetorit të vitit të kaluar, ka qenë në mbyllje e sipër. Edhe ashtu asnjëherë s’jemi regjistruar si të tillë, si parti politike. Edhe atëherë ka qenë një reaksion ad-hoc që ka ndodhur për shkak të kryesisht mospajtimeve që kemi pasur me Sejdiun dhe me strukturën e LDK’së. Prej gjysmës së mandatit e këtej ne edhe publikisht kemi thënë se Lista “Ibrahim Rugova” nuk ka ndonjë arsye të ekzistencës dhe kohëve të fundit ka qenë në diskutim të kthimit të z. Ukë Rugova në LDK.
Express: Çka është duke ndodhur me Ukë Rugovën, cilat janë informacionet e juaja?
D. Gashi: S’kam çka me pas informacione të tjera. z. Ukë Rugova është në paraburgim në Lipjan. I është vazhduar paraburgimi edhe tre muaj tjerë. Praktikisht na është pamundësuar komunikimi me te. Unë kam kërkuar të shkoj dhe ta vizitoj, por më është refuzuar. Ndërsa, z. Ivanovic po i mundësohet të organizoj edhe fushata prej burgut. Edhe mund të takon z. Petrovic dhe plotë njerëz të tjerë. Në këtë rast, neve nuk na lejojnë të takohemi me te dhe nuk mund të them asgjë se qysh i ka punët ai në burg.
Express: Pas këtij rasti, cila është e ardhmja e Ukë Rugovës në politikë?
D. Gashi: Këto do të sqarohen ashtu qysh janë sqaruar edhe raste të tjera. Ne e kemi pasur fatkeqësisht edhe një përvojë më herët me z. Bukoshi. U dëshmua se është ashtu qysh kemi thënë ne gjithë kohën se është një akuzë e padrejtë. Në asnjë mënyrë nuk po e prejudikojë që ky është fabrikuar diçka. Gjykata e ka punën e vetë, policia dhe do të shihet në fund. Çka jam duke kontestuar është mbajtja në paraburgim e një njeri të politikë dhe të një Familje të rëndësishme për një vepër, e cila edhe po të ishte njëqind për qind kështu siç po thonë nuk paraqet ndonjë rrezik mbajtja e tij në arrest shtëpiak. Se nuk është fjala për vrasje, nuk është fjala për dhunime, por është fjala për një vepër që dyshohet siç thonë amerikanët “white color crime”. Nuk është ndonjë vepër që dikush do të duhej me çdo kush të mbahej në paraburgim.
Express: Por, ai po dyshohet si udhëheqës i një grupi kriminal për dhënien e vizave?
D. Gashi: Ju mund t’ia vëni emrin si të doni atij. Por, megjithatë, jemi duke folur për një supozim dhe jo për një vendim gjykate që ka dëshmuar se këto krime ka ndodhur. Që do të thotë se kërkesa është shumë e arsyeshme, edhe e Familjes, edhe e jona si miq dhe bashkëpunëtorë politike është që ai të ketë mundësi që të vazhdoj të ballafaqohet me gjyq dhe me drejtësinë. Por, prej një arresti shtëpiak, duke pasur parasysh se edhe në aspektin familjar, ndoshta dikujt i duken qesharake, por nuk janë. z. Ukë Rugova e ka një fëmijë të vogël në shtëpi, është duke pritur një fëmijë tjetër dhe nuk është se dyshohet për krim të rëndë dhe nëse del jashtë mund t’i shkaktoi dëm të madh shoqërisë.
Express: Ku do të vazhdojnë aktivitetin politik njerëzit e Listës “Ibrahim Rugova”?
Nuk do them asgjë në këtë moment për shkak të asaj çka ka ndodhur me z. Ukë Rugova dhe për shkak të pamundësisë me komuiku me z. Rugova. Praktikisht, e vetmja mundësi që na ka mbet neve është sikur në mesjetë me komuniku me letra përmes avokatit me i thënë qe letra dhe kthema letrën.
Express: Astrit Haraqija pati thënë se Ukë Rugova kishte nisur një proces të rikthimit të njerëzve në LDK…
D. Gashi: Prej asaj dite kur është arrestuar z. Ukë Rugova nuk ka pasur asnjë komunikim me LDK’në për këtë temë. E dyta, është shumë interesant që LDK në asnjë moment prej arrestimit e deri më sot nuk ka dalë me asnjë qëndrim qoftë me shprehë ndonjë keqardhje, qoftë me shprehë indinjatë.
Express: Janë gëzuar për arrestimin e Ukë Rugovës?
D. Gashi: Pyeteni LDK’në. Nuk kanë dalë as me një deklaratë për çështjen e bastisjes të shtëpisë së heroit të tyre. Të atij që krejt ekzistencën politike e bazojnë në Rugovizën, kurse nëntë orë policia ka qëndruar në arkivat e Ibrahim Rugovës edhe LDK s’e ka thënë asnjë fjalë. LDK mund t’ju garantoj se nuk ka qenë as me pa familjen. LDK po flas në aspekt të lidershipit. Edhe LDK nuk ka shkuar as në ditën e pavarësisë kur është festuar. Nuk kanë shkuar në shtëpi të tij dhe as të familja e tij ashtu siç kanë bërë sa herë ju ka dashur. Është mirë me e shpjegu LDK’ja, edhe publikut, edhe votuesve të vetë. Unë jam shumë i indinjuar me këtë qëndrim të LDK’së.
Express: Pse po sillet kështu Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa?
D. Gashi: Këtu nuk e di. Kur iu ka vyer si duket për vota e kanë thirrur, kanë shkuar përditë dhe ia kanë bërë qejfin. Momentin që ua merr mendja se iu paska humbur pak vlera se po ballafaqohet me një aktakuzë as Familjen s’e respektojnë më. Ka qenë dhe është çështje e një kalkulimi të thjeshtë politikë.
Express: A mund t’i shohim zyrtarët e Listës në LDK?
D. Gashi: Unë po them, mua jo. Pas kësaj që ka ndodh unë jo. E thash se nëse këta e kanë pasur këtë mundësi që mos të përfillin komplet një Familje, mos me thanë asnjë fjalë publike, mos me shku me i pyet se a kanë miell apo sheqer fol shumë për LDK’në dhe për qasjen që kanë pasur ndaj Familjes Rugova.
Express: A do të merrni pjesë në zgjedhjet nacionale?
D. Gashi: Besoj që po.
Express: Me cilën Parti?
D. Gashi: Sinqerisht, nuk po dua të luajë lojëra, por do të vendosim bashkë me miqtë tjerë ose do të marrë një vendim individual.
Express: Është opsion PDK’ja?
D. Gashi: Opsion janë të gjitha partitë përveç LDK’së.
Express: Po e konfirmoni se ju ka mbyllur dera në LDK?
D. Gashi: Jo nuk mu ka mbyllur dera në LDK, por po e mbylli vet. Dyshoj se ka qenë e hapur ndonjëherë. Ka qenë ideja me e përdorë sidomos Familjen Rugova për fushatë elektorale. Por, momentin që LDK e ka vlerësuar se vlera i paska ra për shkak të një arresti, më asnjëherë s’e kanë përmend Familjen Rugova. Nuk e kanë përmend më rastin Rugova dhe s’kanë shkuar as në shtëpi. E di që tash kanë me dalë me lloj-lloj akuzash, por kjo është pikërisht akuza që unë po ia bëj LDK’së. Atyre nuk iu ka interesuar në një moment të vështirë që e ka pas kjo familje, prapë, pa e prejudikuar fajësinë apo pafajësinë e Ukë Rugovës në këtë rast. Tash po e marrë anasjelltas Familjen Jashari dhe po i ndodhka një anëtar i kësaj familje të arrestohet. Edhe mos me ia çel derën më askush? Me izolu? Njëkohësisht me u thirr në historinë e asaj familje. Në fund të ditës, ne jemi shqiptarë dhe i kemi traditat tona dhe nuk mund të mbyllet dera veç pse momentalisht dikush është i arrestuar.
Express: Por, kemi rastin kur Isa Mustafa e pati vizituar Sami Hamitin gjatë arrestit shtëpiak?
D. Gashi: Për shembull ky është një rast. Kjo është thjeshtë një tregim i dhimbshëm.
Express: Megjithëkëtë shumëkush e sheh se ju dhe z. Bukoshi keni përfituar më së shumti pushtet në krahë të Ukë Rugovës?
D. Gashi: Në krahë të Ukë Rugovës jo. Këto kanë qenë marrëveshje politike. S’jemi marrë vesh me LDK’në, qysh atëherë kanë qenë këto tendenca të largimit të disa njerëzve pre LDK’së. Ne kemi përfituar në kuptim të pozitave. Por, edhe këto pozita i kemi shfrytëzuar për të mirën e vendit dhe kemi lëvizur. Unë mund të them se kjo Ministri ka lëvizur shumë prej trendit negativ. Është ndalur trendi negativ dhe është kthyer në pozitiv. Nëse kjo është përfitim nuk e di. Njeriu në politikë hynë me një pikë diku që mund të bëjë ndonjë ndryshim.
Rrënime, rrënime, rrënime
Express: Deri ku ka shkuar aksioni i Ministrisë së Ambientit për rrënimin e objekteve ilegale në Parkun Prevalla?
D. Gashi: Nëse e themi me përqindje janë kryer nja 70 përqind e rrënimeve. Javën që vjen janë edhe 45 objekte që do të rrënohen. Dhe, faza e fundit mbetet këto që kanë leje, por që kanë tejkalime, dhe ne dje i kemi deponuar padi penale ndaj ish-Kryetarit të Prizrenit dhe tre vartësve të tij.
Express: Pse edhe Eqrem Kryezuin e paditët?
D. Gashi: Nëse e shihni objektin e z. Kryeziu në Prevallë – krejt shtëpitë tjera hahen diqysh me sy – shtëpia e tij është sikur njëfarë autobusi i kthyer anash, komplet në kundërshtim me planet që vetë i kanë miratuar në Kuvendin Komunal të Prizrenit. Në rend të parë, ky e ka nxjerr një leje që nuk përputhet me Planin Rregullativ dhe krejt vendimet që i ka marrë Kuvendi Komunal i Prizrenit. Duke qenë Kryetar ia ka miratuar vetës lejen. Tash, teknikisht leje ka, por mënyra se si ka ardhur deri te ajo leje është vepër penale. Në Prevallë ka pasur një ide mes Ministrisë së Mjedisit dhe Komunës së Prizrenit, gjatë viteve 2006, 2007, 2008, që aty të krijohet një qendër turistike dhe të ndërtohen tri lloje shtëpish, me material të caktuar, me dizajn të caktuar dhe me parametra të caktuara. Asnjë gjë prej këtyre nuk ka ndodhur. Do të thotë, materiali që ka pasur nevojë nuk është përdorë, dizajni që është përzgjedh është tejkaluar kryesisht prej njerëzve vendimmarrës siç është Kryetari i Komunës. Ai nuk ka mundur t’ua prish të tjerëve objektet kur vet ka ndërtuar një objekt që absolutisht nuk është i paraparë të ndërtohet aty.
Express: Përveç Prevallës, ku tjetër ka degradime të tilla të Zonave të Mbrojtura?
D. Gashi: Jo krejt Brezovica por në një pjesë të saj ka ndërtime të egra.
Express: Çka do të bëhet me ato ndërtime?
D. Gashi: Aty i kemi identifikuar diku 250 objekte, të cilat kërkojnë trajtim të njëjtë sikur në Prevallë në kuptimin që nëse kanë leje, atëherë, qysh i kanë marrë ato leje. Në rastin e Brezovicës asnjë leje që është lëshuar brenda Parkut Nacional nuk mund të konsiderohet valide. Për dallim prej Prevallës, në Brezovicë nuk ka kurrfarë plani dhe ligjërisht nuk ka mundur askush të lëshojë leje ndërtimi.
Express: Kush janë emrat e tjerë të politikës
D. Gashi: Përveç ish-Kryetarit janë edhe punëtorë të tjerë aktual të Komunës së Prizrenit, drejtori i Urbanizmit dhe disa inspektorë që janë të emëruar politikisht aty. Dhe, janë edhe struktura politike e qeverisjes së kaluar. Do të thotë janë dy Qeveri të Prizrenit të përfshira aty, jo vetëm të PDK’së ose LDK’së. Të gjithë janë të përfshirë në padi.
Express: A ka pasur ndonjë kërcënim apo telefonat për mos t’i rrënuar këto objekte?
D. Gashi: Këtu asgjë nuk shkon pa këso gjërash, por ato nuk janë sene që merren seriozisht. Në kuptim të intervenimeve po ka pasur. Emra nuk jap, por ka pasur emra nga të gjitha partitë politike.
Express: Çka kanë kërkuar ata?
D. Gashi: Kanë qenë raste individuale, ku ata e kanë njohur dikë dhe më kanë thirr se a mundesh me ia falë këtij apo atij. Por, s’ka pasur asnjë falje dhe asnjë përjashtim, duke nisur edhe prej komandantëve të luftës, duke u nisur edhe prej njerëzve të biznesit. Por, do t’i shkojmë deri në fund. Le të mbahen zgjedhjet kur të donë, por deri në qershor kemi kohë për t’i përfunduar të gjitha punët e nisura atje.
Express: Përveç Prevallës pse s’po shkoni edhe në pjesë tjetër për shembull në Parku Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”?
D. Gashi: Tash dalim edhe aty. Brezovica dhe Prevalla janë një Park. Kanë qenë Park Nacional prej vitit 1986. Krejt çka ka ndodhur aty e kanë ditur se janë duke vepruar ilegalisht. Veç se kanë mbajtur shpresë se nuk i nguc askush qysh ka ndodhur deri tash. Bjeshkët e Nemuna është diçka tjetër sepse vetëm vitin e kaluar e kemi shpallur Park Nacional këtë pjesë. Edhe nuk mund të shkohet retroaktivisht pas shpalljes Park Nacional.
Express: Si është gjendja atje?
D. Gashi: Sa i përket ndërtimeve nuk është aq e keqe sa ka qenë problemi i kompanive që kanë prerë ilegalisht dru. Vërejtja kryesore për me e futë në mbrojtje Bjeshkët e Nemuna – ndërtimet e egra janë një pjesë – mirëpo, pika kyçe ka qenë me ndalë prerjen e drunjve. Është tentuar në mënyra të ndryshme, por pa e ndaluar krejt nuk ka pasur mundësi tjetër. Praktikisht, prerja e drunjve është e ndaluar në Bjeshkët e Nemuna. Në Bjeshkët e Nemuna ka fshatra që janë me shekuj në krahasim me Prevallën, ose me Brezovicën. Në Bjeshkët e Nemuna ke stane,ke prona private, ku, njerëzit prej tyre dhe ato janë respektuar dhe ne nesër në Kuvend e kemi fillimin e Planit Hapësinor për Bjeshkët e Nemuna ku do të vendoset se cilat zona do të jenë strikte, në cilat zona do të mund të zhvillohet turizmi, në cilat zona banorët i shfrytëzojnë për bujqësi ose për prerje të drunjve për nevoja të veta. Kjo është diku 12 metra kub në vjet. Sigurisht edhe aty ka ndërtime të egra prej hotelerisë së egër, të cilët kanë zënë vende afër lumenjve dhe aty tash kabineti i ri do të merret me këtë punë. Mirëpo, vendimet si vendime do të tentojmë t’i marrim tash. Sa i përket Brezovicës do t’i bëjmë tash.
Ruajtja e shtretërve të lumenjve problem në Dukagjin
Express: Deri ku ka shkuar projekti për largimin e kompanive që kanë nxjerr zhavor nëpër shtretërit e lumenjve?
D. Gashi: Kur e kemi nisur këtë proces 130 kompani kanë qenë duke nxjerrë zhavorr prej shtretërve të lumenjve. Të gjitha këtyre 130 kompanive ua kemi marrë licencat, i kemi larguar prej shtretërve të lumenjve ku kanë qenë, kemi konfiskuar diku 19 bagera, disa kamione..
Express: Megjithëkëtë, ka ende bagera dhe kamiona që gërryejnë shtretërit e lumenjve?
D. Gashi: Për shembull Prevalla është më lehtë për shkak se shtëpinë s’mund ta marrësh me vete me fshehë. Këto lëvizje kanë ndodh – e kam thënë dhe po e them edhe një herë – problemin kyç e kemi në Dukagjin. Tash, Kryetarët e rinj të komunave – Mimoza Kuasri edhe Gazmend Muhaxheri – kanë shprehur gatishmëri që të marrim aksione të përbashkëta dhe jemi të vendosur të vazhdojmë deri në fund. Aty kanë mbetur edhe disa zona ku për shkak të mungesë së bashkëpunimit nuk është zbatuar deri në fund.
Express: Kjo po i bien se Ligji është zbatuar selektivisht?
D. Gashi: Ne kemi pasur një marrëveshje me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Drejtësisë dhe komunat kyçe, ku Kryetarët e kanë nënshkruar memorandumin dhe kanë qenë të obliguar që të bashkëpunojnë. Disa javë më vonë, del Kryetari i atëhershëm i Gjakovës, nuk e di për çfarë arsye, pasi del edhe në një sport televiziv se duhet zbatuar ky vendim pastaj del dhe thotë se është i padrejtë ky vendim. Problemi i Ministrisë është se prej Prishtinës e kam problem me dit çka ndodh diku thellë në Malësi në Gjakovës. Ka pasur ngecje në disa zona të Kosovës. Mirëpo, çka duhet pasur parasysh është se ka ndalur trendin e egër ku pamëshirshëm janë shkatërruar lumenjtë. Ka filluar trendi pozitiv i riparimit dhe për këto tri vite janë investuar diku 15 milionë për shtretër të lumenjve. E kemi futur në Ligjin e ujëra si ndalë për eksploatimin e zhavorrit. Në Kosovë më nuk mund të nxjerrë më kurrë ashtu qysh është nxjerrë përpara. Edhe hajnia është e ndaluar por dikush vjedh. Çka mund të them është se para përfundimit të këtij mandati do të ketë aksione prapë sidomos në këto komuna që nuk kemi pasur bashkëpunim të mjaftueshëm.
Express: A ka përfunduar debati për ezanin?
D. Gashi: Unë e konsideroj të përfunduar sidomos pas konsultimeve të drejtpërdrejta që kemime Bashkësinë Islame, të cilët e kanë kuptuar se Ligji nuk i drejtuar kundër tyre, por është për mbrojtje të shëndetit të përgjithshëm të qytetarëve dhe të rehatisë së tyre.
Express: Çka ka ndodhur me termin zhurmë në Ligj?
D. Gashi: Nuk ka ndodh asgjë me atë term. Termi zhurmë në këtë ligj është term teknik dhe nuk është term kualifikues.
Express: Ata po thonë se ju keni hequr dorë, që ezani dhe kambanat e kishave të mos quhen si zhurmë?
D. Gashi: Ne jemi duke e terezitë edhe gjuhën, të cilën nuk e konsiderojnë ofenduese, por në kuptimin e ligjit e ka kuptimin e njëjtë. Ne jemi dakorduar që duhet të rregullohet se sa decibel mund të jetë zëri i ezanit, sidomos në pesë të mëngjesit, në 11 të natës. Dhe, këtë e rregullon Ministria me një Udhëzim të veçantë.
Express: Cili është mendimi juaj, a janë zhurma kambanat dhe ezani?
D. Gashi: Nëse në mënyrë të çakorduar me diferenca sekondash e minutash e lëshojnë ezanin nëpër xhami të ndryshme dhe nëse e lëshojnë pa kontroll dhe ta nxjerrin gjumin, atëherë është zhurmë. Çka kanë dashur të bëjnë kjo pjesa radikale e atyre pseudo përfaqësuesve të islamit në Kosovë – s’po flas për Bashkësinë Islame të Kosovës – kanë dashur të thotë se fjalës së zotit po i them unë zhurmë. Absolutisht jo. Por, nëse dikush për arsye politike, për arsye të profilizimit vjen dhe ia lëshon në altoparlant më shumë se ky imami tjetër dhe tenton në atë mënyrë me keqpërdor ezanin është zhurmë. Për këtë është e pajtimit edhe BIK dhe jemi pajtuar me Myftiun e Kosovës që në Prishtinë do ta centralizojmë punën e ezanit. Të lëshohet në një vend, në një kohë dhe në një volum të caktua. Kambanat e kishës janë njësoj. Kambanat e Kishës e kanë mundësit teknike të akordojnë sa decibel…. Por, të jemi realist kambana të kishave kemi shumë më pak sepse kjo është çështje e përqindjes së popullsisë. Mirëpo, i përfshin edhe ata. Kisha Ortodokse pas diskutimit që kam pasur me Peshkopin është pajtuar dhe deputetët serb, sipas Peshkopit, e kanë keqkuptuar dhe kanë menduar se janë duke e mbrojtur interesin serb kur kanë votuar kundër. Besoj se në votim të dytë të këtij Ligji do të ketë shumë më shumë votues për dhe do të kaloj shumë më lehtë. Dilemat që i kanë ngritur dy-tre islamistë në Kosovë janë sqaruar.
Shëndetësi e dështuar, FAK të bëhet FARK
Express: Para disa ditësh deklaruat se shëndetësia është mëzëmëkeq?
D. Gashi: Besoj se të gjithë pajtohemi se gjendja në shëndetësi është mëzëmëkeq.
Express: Pse është kjo gjendje?
D. Gashi: Pse? Në fund të fundit duhet të përgjigjen njerëzit kompetentë. Por, nëse edhe sot nuk ka javë kemi aksione për të mbledhur para për një fëmijë ose për qytetar për ta dërguar jashtë për shërim është lajm i keq. Kjo tregon dy gjëra që s’paskan ndodhur këtu. Pesëmbëdhjetë pas luftës s’janë krijuar kushtet me gjithë ato donacione që kanë ardhur, as nuk paskemi krijuar fonde për t’i dërguar njerëzit jashtë për shërim. Vetëm këtë rast merre dhe e sheh sa keq është puna. Qeveri pas Qeverie ka derdhur milionat. Donatorë pas donatori kanë derdhur miliona dhe praktikisht gjendja nuk është më mirë se qysh ka qenë në vitet 1999-2000. Ne në përgjithësi kemi dështuar për të përmirësuar gjendjen në shëndetësi. Dje e dëgjova se përveç se qytetarët më herët është dashur t’i blejnë edhe penjtë për operacion, tash, kish filluar edhe me i dërgu njerëzit për analiza në spitalet private. Tash as analizat s’po i bëjnë analizat dhe praktikisht QKUK është vetëm vend për me u shtri, pak a shumë një fjetore.
Express: Cila është përgjegjësia e Ministrit Agani për këtë gjendje?
D. Gashi: Është e padrejtë edhe prej meje e komentu një koleg tjetër. Por, po flas në aspektin e partisë së tij, e cila në vend se të merret me dikasterin që i është besuar, ajo merret me temat e fesë dhe temat e antagonizmave dhe krijon ndasi dhe potencial të dhunës.
Express: Gjatë kësaj periudhe qeverisëse ka pasur edhe skandale. A është dashur të shkojë në shtëpi dikush prej Ministrave për shkak të këtyre skandaleve?
D. Gashi: Mendimi im është se a janë skandale të fryra apo skandale reale. Ka përgjegjësi penale dhe ka përgjegjësi morale politike. Këtë të dytin e vendos individi që është në atë vend pune. Edhe është çështje e përgjegjësisë personale a e merr atë vendim apo jo. Unë po them kështu: Në disa raste unë e kisha marrë atë vendim dhe kisha thënë se nuk është në rregull të vazhdohet më.
Express: Kur prisni të mbahen zgjedhjet lokale?
D. Gashi: Nuk besoj se mund të mbahen zgjedhjet në afatin që po flitet për qershor. Këto janë tema relativisht të rënda. Kërkojnë diskutime më të gjëra dhe kur të hapet dera për me ndryshu Kushtetutën do të dalin grupe të lloj-llojshme që kërkojnë ndryshimin e Kushtetutës. Për shembull vetë emri FAK ose FARK për ushtrinë e Kosovës do të jetë problem….. Po ashtu e kemi problemin e Veriut. Thuhet se Veriu duhet të jetë i gatshëm të futet në zgjedhje dhe ne ende nuk i kemi kryer disa procese atje. Atje ende s’ka ende zbatim të rezultateve të zgjedhjeve dhe po kërkojmë brenda tre muajve të futet në zgjedhje të reja. Atje nuk mund të garantohet liria e votës. Me këto zgjedhje të ngutshme mund ta çintegrojmë Veriun përsëri.
Express: Cili është vlerësimi juaj për këtë emër?
D. Gashi: Mendoj se 90 përqind e qytetarëve të Kosovës për shumë arsye mendojnë se duhet të jetë FARK.
Express: A e keni thënë këtë në Qeveri?
D. Gashi: Ia kam thënë z. Çeku. Se është e pak e panevojshme.
Express: Cila ka qenë përgjigje e tij?
D. Gashi: Arsye dihet se cila është. Të mos jetë sinonimi Ushtrisë që ka ekzistuar. Me rëndësi është të formohet ushtria, por 15 vite pas luftës nuk është mirë ende të kemi kësi ndarjesh. Ky far FAK’u tingëllon çuditshëm. Nuk ka një kuptim të mirë. Gjuhësisht është pak problem dhe duhet të rishikohet edhe çështja e emrit. Për shembull LDK do të jetë kundër emrit FAK në Kuvend dhe do të provoi të ndryshoj emrin.
Express: Cili është mendimi juaj për Tribunalin që po përmendet se do të themelohet?
D. Gashi: Tribunali është i mirëseardhur për shkak se ashtu siç i ka ndihmuar në njëfarë mënyrë Tribunali i Hagës me i pastru disa individë si Fatmir Limajn e Ramush Haradinajn prej akuzave që kanë pasur. Arsyeja pse duhet të jetë jashtë Kosovës nuk e shoh të arsyeshme. Ky Tribunal e ka bazën në akuzat e Dick Martyt dhe shumë lehtë mund të bëhet në Kosovë. Dhe, nëse po u dashka me çdo kush që të bëhet edhe jashtë Kosovës ky Tribunal mendoj se mund të bëhet. Ky Tribunal do të sjell të njëjtin rezultat që e ka sjell Tribunali i Hagës për Ramush Haradinajn e Fatmir Limajn.


